Kryeministri Edi Rama thotë se ndjen keqardhje për personat që do i bashkohen protestës së opozitës të thirrur në 12 nëntor në Tiranë. I pyetur nga gazetarët, Rama tha se i vjen keq për këdo që do merren me zor për të qenë pjesë. Ai akuzoi opozitën se lidhjet me likuiditetet ruse në PD nuk janë ndërprerë.
“Nuk kemi asnjë minute për të humbur me protestën e thirrur prej tyre që kanë marrë gjysmë milioni dollarë për protesta të kësaj natyre. Koha do tregojë që lidhjet e tyre me likuiditetet ruse janë s'janë ndërprerë. Keqardhje e madhe për ata që i shkojnë nga mbrapa. Thjesht do tërhiqen nga hunde, ndërrojnë emrin, pamjen por janë po ata që nga 1990” - tha Rama. Ai e gjeti të pavend mënyrën se si PD e trajtoi çështjen e parave ruse.
“Ata janë bedelë dhe janë bedelë në kuptimin e plotë të kësaj fjale. Hapni fjalorin dhe gjeni se çfarë do të thotë bedel. Dhe janë bedelë sepse sot është dita për t’i dhënë përgjigje një pyetje. Pse paratë ruse u derdhën në Shqipëri tek një parti politike për të rrëzuar qeverinë e këtij vendi?
Patjetër tek një parti e opozitës, patjetër për të rrëzuar një qeveri me të cilën kjo parti ishte në opozitë, por ishte dhe është qeveria e këtij vendi dhe besoj që edhe për një parti të opozitës, qeveria e këtij vendi duhet të jetë më e rëndësishme sesa paratë ruse dhe në këtë moment, kur askush nuk çohet dhe thotë: “Ky është një turp që ka bërë Partia Demokratike, unë jam këtu, nuk isha asnjë dijeni për këtë. Më vjen shumë zor që në atë kohë unë nuk e besova këtë gjë.
Kërkoj falje që u kam thënë shqiptarëve që ky është një komplot i Sorrosit me Edi Ramën sepse ky paska qenë një fakt, sepse tani e shkruan e zezë në të bardhë një raport i shërbimit sekret amerikan i CIA-s i bërë publik, kështu që për të gjitha këto arsye unë ndihem keq dhe distancohem”.
Jo, nuk e bëri asnjë. Nuk e bëri asnjë sepse jo se ata kanë marrë pjesa më e madhe e tyre paratë, po sepse janë bedelë dhe në momentin kur janë bedelë, nuk ka kapacitetin moral minimal për të vënë vendin e vet, interesin e vet mbi bedelizmin, atëherë ai nuk është vetëm një bedel, është një i pafe,është një i paatdhe” – tha Rama. ©LAPSI.al