Kundërshtimet e opozitës për ta futur me procedurë të përshpejtuar në parlament aferën 2 miliardëshe të portit të Durrësit, ku investitorit po i dhurohet toka, e ka nxjerrë kryeministrin nga vetja. Pasi i është përgjigjur deputetëve demokratë, se vendos ai se pse zgjedh procedurën që do vetë: "Duhet të jetë sepse kështu mendojmë ne që duhet të jetë" , dhe pasi e ka miratuar atë në kuvend me 62 vota, shefi i qeverisë është hedhur me një batare sharjesh e ofendimesh për ata që kishte përballë. "Ju jeni ca të mbaruar ca të pafytyrë" iu drejtua Rama atyre duke i quajtur si njerëz pa fe dhe pa atdhe, pa din e pa iman. Kulmin e ofendimit e arriti ndaj deputetit Dash Sula, të cilit i tha se as nuk e kupton se pse është ulur në atë karrige, duke e etiketuar si "gjel deti Peqini" (poshtë).
Lexo me tej:
Rama-opozitës: Porti i Durrësit investim që nuk ishte imagjinuar ndonjëherë
Në gati 45 minutat e fjalimit, Rama përbetohej se investimi i Alabbar në portin e Durrësit nuk do t'i kushtojë asnjë cent shqiptarëve, ndërkohë që ai me firmën e tij e ka lehtësuar investitorin që pretendon se do të investojë 2 miliardë USD, nga taksa e ndikimit në infrastrukturë dhe nga ajo e strehimit social. Për këto qindra mijëra euro të avulluara, në vend që të përgjigjej, kryeministri kishte zgjedhur të shante dhe përpos epiteteve që Lapsi.al ka përzgjedhur në videon poshtë, gjatë fjalimit u përdorën dhe të tjera.
Berisha: Në aferën e Portit të Durrësit janë Rama, Vuçiç e Lukashenko
E gjithë ndërhyrja ishte pa asnjë fakt po vetëm me ofendime për deputetët përballë: "Jeni të mallkuar", "Jeni të mbaruar", “Mblidheni si dele dhe blegërini”, “Gojën e keni të shkëputur nga truri”, “Kastravecë do dilni nga kjo histori”, "Ju kanë rrahur si këlyshë", "Llazore", "bedel", "Kryebedel".
Tabaku i përgjigjet Ramës: Sa herë shthuret gjuha mbrohet një aferë
Përgjigjen më të saktë në mes të gjithë atyre që iu përgjigjën me sharje dhe ofendime ia dha Jorida Tabaku: "Sa herë shthuret gjuha. Sa herë përdoret ky fjalor, dihet se po mbrohet një aferë", tha ajo duke përmendur se të njëjtin stil pati ndjekur kryeministri, edhe kur u kapën avionët me drogë apo kur i duhej të mbronte inceneratorët. Ndërkohë për të vërtetuar pretendimin se bëhej fjalë për një aferë deputeti i PL, Petrit Vasili nxori një vendim të komitetit të investimeve strategjike që drejtohet nga Edi Rama ku thuhet: “ky projekt do përjashtohet nga taksa e ndikimit mbi infrastrukturë dhe taksa e strehimit social”. Pra të gjitha sharjet e ofendimet donin të turbullonin opinionin rreth shprehjes se publiku nuk po paguan asgjë.
©Lapsi.al