Opozita në Kosovë doli e pakënaqur nga takimi thirri kryeministri Albin Kurti me Lumir Abdixhikun e LDK-së, Memli Krasniqin e PDK-së dhe Ramush Haradinajn e AAK-së për situatën e paprecedent të krijuar në veri të Kosovës.
Pasi Serbia e shtoi presionin duke tërhequr policët, gjyqtarët dhe deputetët serbë nga institucionet e Kosovës, është ende në pikëpyetje nëse Kurti u koordinua me SHBA dhe BE për vendimet e tij.
Pikërisht këtë pyetje i kishte bërë disa herë, Ramush Haradinaj, që e braktisi takimin pasi nuk mori përgjigje.
“Edhe pse isha pjesë e takimit me kryeministrin Kurti, u detyrova ta lëshoj takimin sepse Kurti mbante ligjërata e nuk na sqaronte, se përse ka prishur raportet me Amerikën dhe përse nuk po kthehej që të realizojë kërkesën e tyre. Për mua është e papranueshme që në raste kaq të ndjeshme, të prishim raportet me aleatin kryesor të sigurisë”- tha Haradinaj, pasi doli nga takimi.
Mungesën e koordinimit me SHBA e përmendi edhe Lumir Abdixhiku i LDK-së. Megjithëse qëndroi deri në fund të takimit, ai dukej i bindur se Kurti kishte marrë vendime pa pasur asnjë plan, se si do të dalë Kosova nga situata që u krijua në veri.
“Destabilizimi buron nga sjelljet e Beogradit dhe Vuçiçit. Është jetike që Kosova të deklarohet me aleatët e vet. Ne kërkojmë që kjo Qeveri e Kosovës të sigurojë edhe ligjshmërinë edhe aleatët e vet. Sot është akt patriotik që të kërkohet koordinimi me ShBA-në… Nuk ka koordinim të tillë sepse nuk ka një deklarim të tillë. Dhe, i treguam kryeministrit që temën me Serbinë të mos ta bëjmë temë të diskutimit të brendshëm sepse partitë në këtë pikë janë në një pike. Në këtë takim nuk kuptuam diçka shumë më të re sesa deklarimet publike që kryeministri i ka bërë tanimë, dhe nuk pamë ndonjë plan konkret për zgjidhjen e çështjes së re të krijuar në vakumin institucional, juridik e gjyqësor në veri të vendit”, tha ai.
Ndërsa kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi e quajti “papjekuri” të qeverisë situatën ku ndodhet Kosova për momentin.
“Sot dal nga ky takim jo shumë i sigurt që qeveria e dinë se në çfarë rruge ka hyrë dhe sesi të dal nga kjo situatë duke e ruajtur territorin e Kosovës. Unë ia shpreha kërkesën e PDK-së, se Kosovës i duhen veprime dhe vendime të përgjegjshme, që e ruajnë sovranitetin e Republikës. Për këtë do ta ketë përkrahjen e PDK-së, qoftë në Kuvend apo përmes çdo mundësie që ne e kemi”, tha Krasniqi.
Kritikat që i bën opozita për situatë, Albin Kurti tha se nuk iu dukën “mospajtuese”.
“Tash përshtypja ime është se krerët opozitar janë më shumë të pakënaqur se sa mospajtues”, tha ai për gazetarët
Edhe për çështjen nëse ka pasur apo jo koordinim me amerikanët dhe BE, Albin Kurti u përgjigj se nuk ka asnjë krisje në raportet me aleatët.
“Koordinimi, komunikimi, kontaktet me QUINT-in, BE, ShBA-në, NATO-n, KFOR-in, EULEX-in, janë të vazhdueshme ndodhin nga disa herë në ditë andaj nuk është e vërtetë se ka kurrfarë cënimi të raporteve, përkundrazi ka dendësi të komunikimit e të bashkërendimit. Ndërkaq, për atë se kush sillet nuk mendoj se duhet t’i lë pa punë analistët në debatet e mbrëmjes”, theksoi ai.
Teksa komentoi deklarëtn e kreut të LDK-së Lumir Abdixhiku se qeveria nuk ka plan për çështjen e veriut, Kurti tha se kjo nuk është e vërtetë. Sipas tij rruga e tyre është rrugë e ligjshmërisë, kushtetutshmërisë, e lirive dhe të drejtave të njeriut dhe pakicave.
“Plani i veprimit është plan i organeve tona të sigurisë dhe ato bëjnë vlerësime mbi veprimet dhe reagimet që ne bëjmë. Gjithçka është duke shkuar sipas ligjit, sipas procedurave dhe rregullave në respektim të kushtetutshmërisë, sovranitetit dhe integritetit territorial”, tha Kurti.
Prej javësh ambasadorët amerikanë në Prishtinë dhe në Beograd i kërkuan kryeministrit të Kosovës të shtynte planin për targat me 10 muaj të tjerë, por ai refuzoi. Thirrjet e amerikanëve u bënë më të forta pas artikulimit të të dërguarit të SHBA në Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar dhe më pas nga zëdhënësi i DASH, Ned Price.
Megjithëse tha se i merrte në konsideratë këshillat e aleatëve, Kurti nuk u tërhoq plotësisht nga vendimi për reciprocitet me targat, por e ndau atë në faza, këshillimi, gjobitja dhe më pas bllokimi i mjeteve.
Një ditë më parë, Kurti dhe Vuçiç morën një telefonatë nga shefi i NATO-s, Stoltenberg.
“U kërkova të dyve që të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm që mund të shkaktojë përshkallëzim. Dialogu është e vetmja rrugë përpara”, ka shkruar Stoltenberg në Twitter.
Ai tha se NATO dhe KFOR-i mbeten vigjilent për situatën atje. Më 5 nëntor, përfaqësuesit e serbëve ofruan dorëheqjen nga institucionet e nivelit lokal në Kosovë, nga Gjyqësori, Policia, si dhe nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës.
Largimet ndodhën pasi qeveria e Kosovës më 1 nëntor nisi zbatimin e planit prej tri fazash për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia në ato RKS – Republika e Kosovës./Lapsi.al