Pas mbylljes së kolegjit turk Mehmet Akif, një institucion arsimor jopublik dhe kopshtit për fëmijë “Zübeyde Hanım”, pjesë e “Turgut Ozal Education”, Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka mori falenderime në Turqi për vendimin e qeverisë shqiptare.
Vlerësimet iu dhanë në konferencën e përbashkët me Ministrin e Jashtëm të Turqisë, Mevlut Çavushoglu të martën. Mbylljen e shkollës ai e lidhi me organizatën FETO, që për Turqinë është një strukturë terroriste.
"Ka disa zhvillime në lidhje me shkollat e FETO-s. Por këtë ne ia themi gjithmonë Shqipërisë vëllazërore. FETO nuk është vetëm një kërcënim për ne, është një kërcënim për çdo vend ku ndodhet. Çdo shtet është gjithashtu një inteligjencë, një vend tjetër i tretë e përdor këtë FETO, e përdor kundër nesh, e përdor kundër Shqipërisë. Ndërsa ju po luftoni kundër FETO-s, cilido shtet që ju ndërhyn apo ju sugjeron, dijeni se edhe ai vend është me FETO dhe kundër jush." tha ai.
Në konferencë, Çavushoglu tha se dorëzoi një listë të re me emrat e gylenistëve që duhen ekstraduar nga Shqipëria.
Listat me emra kanë qarkulluar prej vitesh nga njëri vend tek tjetri, por asnjëherë nuk janë bërë publike. Kësaj radhe bëhet fjalë për një rinovim të informacionit, siç u shpreh Çavushoglu.
"Sot, ne ndamë informacionin e nevojshëm në lidhje me ekstradimin e disa njerëzve [gylenistëve] në Turqi," tha Çavushoglu, ndërsa vlerësoi mbylljen e kolegjit Mehmet Akif Ersoy. Duke theksuar se lufta ndaj FETO është gjithashtu e rëndësishme për sigurinë e Shqipërisë, Çavuşoğlu tha se
"Janë ndërmarrë disa hapa të rëndësishëm. Sot kemi ndarë informacionin e nevojshëm për ekstradimin e disa personave në Turqi".
Lexo edhe: Rama si vasal i Erdoganit, godet shkollat e gylenistëve në Shqipëri
Çavushoglu la të kuptohet se ishte në dijeni të detajeve konkrete të procedurave të ekstradimit, ndërsa përmendi rastin e një mashtruesi turk të kriptomonedhave, që u arrestua në Shqipëri.
Bëhet fjalë për Faruk Fatih Özer, themeluesi të të kriptomonedhave Thodex, që po gjykohet në Shqipëri.
“Sot u mbajt seanca e katërt dhe seanca e pestë do të jetë në datën 10 nëntor. Me përfundimin e këtij procesi ligjor edhe ky person do të transferohet në vendin tonë. Ne presim kthimin e tij. Sepse ai është një mashtrues që ka mashtruar shumë qytetarë tanë." tha Çavushoglu.
Në Tiranë, nuk është pranuar asnjëherë që kolegji turk dhe një kopsht u mbyllën për të përmbushur kërkesat e Turqisë.
https://lapsi.al/2022/09/23/andi-bushati-shtepia-e-shqiptarit-e-erdoganit-e-zotit-apo-e-djallit/
Rama tha se nuk ka "asnjë qëllim tjetër përveç zbatimit të barabartë të ligjit në rastin e heqjes së një licence shkolle si plot të tjera më parë".
Më 22 shtator, Këshilli i Ministrave i Shqipërisë vendosi mbylljen e veprimtarisë së institucionit arsimor privat parauniversitar kolegjit “Mehmet Akif Ersoy”, pjesë e Fondacionit Gülistan.
Më herët ishte mbyllur edhe kopshti “Zubeyde Hanim” në Tiranë, që është pjesë e shoqërisë “Turgut Ozal Education”.
Që pas grushtit të shtetit në Turqi në korrik të 2016 Ankaraja ka kërkuar në mënyrë të përsëritur mbylljen e aktiviteteve të financuara nga Guleni, apo organizata Feto.
Gjatë vizitës së presidentit turk Erdogan në Tiranë në janar të këtij viti, ai bëri një paralajmërim të hapur në parlament, kur tha se kjo çështje shihet si “parakusht i vëllazërisë, miqësisë dhe partneritetit strategjik” mes dy vendeve./Lapsi.al
https://www.youtube.com/watch?v=2BreLzAXO3g&ab_channel=FindyNews