Ilir Meta i ka dhuruar Sali Berishës për garën lokale të 14 majit, atë që Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi nuk arritën të bëjnë dot për të bashkuar opozitën, para zgjedhjeve të përgjithshme të 25 prillit. Në dokumentin e koalicionit të firmosur këtë të enjte në Hotel Tirana, thuhet qartë se ish lësëistët, që kanë qenë gjithmonë një partner bezdisës për partitë e mëdha të koalicionit, nuk pretendojnë asnjë bashki të lirë për ta fituar me kandidatët e tyre.
Pra, parimisht ata kanë pranuar se të gjithë konkurentët përballë socialistëve do ti takojnë PD-së se. "Nëse dikush nga Partia e Lirisë ka ambicie, ai mund të konkurojë në primaret e PD-së" pohoi në konferencën për shtyp pas ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes, Ilir Meta, duke pohuar jo vetëm faktin se ai ka sakrifikuar interesat partiake në emër të unifikimit, por duke shkuar edhe më tej, duke ftuar njerëzit e tij të bëhen pjesë e primarve që organizon një parti tjetër. Kandidatët e përbashkët do të vendosen nga primaret "që do të organizohen nga Partia Demokratike e Shqipërisë" thuhet në pikën e parë të dokumentit të nënshkruar nga dy liderët.
Lexo me tej:
Firmosja e marrëveshjes PD-PL, Ilir Meta: Absolutisht historike, jam i bindur në fitore!
I vetmi kusht që duket se ka vendosur Meta është se në ato raste kur këshilltarët e dy partive bëhen shumicë në Këshillat Bashkika, kryetari i këtij këshilli do ti takojë PL-së. "Këshillat Bashkiakë, si institucionet më të rëndësishme të përfaqësimit të qytetarëve, do të drejtohen nga përfaqësues të propozuar nga Partia e Lirisë, në rastet kur këshilltarët e kësaj të fundit rezultojnë përcaktues në sigurimin e shumicës në këta këshilla", saktësohet në pikën 3.
“Marrëveshja me Meten është historike”, Berisha: Veliaj do shkojë në plehrat e Sharrës
Nën koncepte si rikthimi tek referendumet lokale (pika1), rritja e transparencës (4) dhe ndërprerjes së betonizimit në favor të shëndetit të qytetarëve (6) Ilir Meta ka dashur të japë mesazhin se për të më e rëndëshishme është përballja me një regjim kleptokrat sesa fati i ndonjë kandidati të Partisë së Lirisë. Pra ai i ka dhënë më shumë prioritet sfidimit të rilindjes përmes një frointi të bashkuar, duke qenë se një nga prioritetet e Edi Ramës ka qenë mbajtja e opozitës në gjëndje përçarjeje.
Meta “rikthehet plotësisht” tek PD: Nuk jam penduar në 2013-n
Që në zgjedhjet e vitit 2017, kryeministri u angazhua personalisht të pengonte futjen me koalicione të rivalëve të tij në zgjedhje (përmes marëveshjes së 17 majit) ndërsa, katër vite më pas, ai ndryshoi kushtetutën pasi loja kishte filluar, për të penguar me ligj koalicionet. Në asnjë nga rastet opozita nuk gjeti rrugën që me zgjidhje politike ti kundërvihej taktikave të pushtetit për ta mbajtur të fragmentarizuar. Prandaj duke hequr dorë nga sjellja e mëparshme e LSI-së, për ti marrë partive të mëdha maksimumin, Ilir Meta po i jep një dorë krijimit të një fronti opozitar, në krye të të cilit ai ka pranuar se qëndron PD-ja e Berishës.
©Lapsi.al
Pikat e marrëveshjes
♦Konkurrimi për Kryetarët e Bashkive do të bëhet me kandidatë të përbashkët, të cilët vendosen nga rezultati i konkurrimit në primare, që do të organizohen nga Partia Demokratike e Shqipërisë;
♦Referendumi, si forma e shprehjes direkte të vullnetit të qytetarëve, për çdo çështje që i shqetëson, në nivel qendror apo lokal, do të jetë angazhim madhor dhe i patjetërsueshëm, për të cilin PD dhe PL do të ndërmarrin të gjitha nismat ligjore dhe aksionet publike të nevojshme për realizimin e kësaj të drejte kushtetuese të mohuar prej 25 vjetësh;
♦Këshillat Bashkiakë, si institucionet më të rëndësishme të përfaqësimit të qytetarëve, do të drejtohen nga përfaqësues të propozuar nga Partia e Lirisë, në rastet kur këshilltarët e kësaj të fundit rezultojnë përcaktues në sigurimin e shumicës në këta këshilla;
♦Të angazhohen për realizimin e transparencës së plotë për menaxhimin dhe përdorimin e të gjitha fondeve publike, si edhe të gjitha vendimeve të Këshillave Bashkiakë dhe të Bashkive që lidhen me to, përfshirë organizimin e seancave të hapura publike, me lidhje live në televizionet kombëtare dhe rrjetet sociale, në funksion të llogaridhënies para qytetarëve;
♦Të angazhohen, me prioritet të veçantë, për realizimin e vazhdueshëm të seancave publike të hapura të Këshillave Bashkiakë, me lidhje live në televizionet kombëtare dhe rrjetet sociale, ku qytetarët të dëgjohen në mënyrë të drejtpërdrejtë në seancat plenare;
♦Të angazhohen përmes nismave të përbashkëta institucionale, për ndalimin e betonizimit kriminal dhe korruptiv të qyteteve, duke i dhënë përparësi në vendimmarrjen lokale shëndetit të qytetarëve dhe gjelbërimit të qyteteve.