Me afrimin e fushatës elektorale për zgjedhjet lokale krerët e dy partive të mëdha kanë intensifikuar kontaktet me militantët, njerëzit dhe grupet e interesit. Rama dhe Berisha i kanë shpeshtuar zbritjet në terren për të qenë më pranë votuesve, por në sjelljen e tyre ka një ndryshim të madh.
Lapsi.al ndoqi sot takimin e Berishës me studentët. Pasi i dëgjoi për pothuajse një orë vërejtjet, sygjerimet apo shqetësimet e tyre, lideri demokrat mori fajlën dhe u dha atyre përgjigje një e nga një. Nuk ka dyshim se në takimin e PD-së të ftuarit nuk qenë të rastësishëm, por kryesisht militantë të filtruar më parë nga forumi rinor. Por ajo që bie në sy, ndonëse dialogu është i organizuar mes të ngjashmëve, është fakti se Berisha do të japë imazhin se qëndron në rolin e atij që kërkon të dëgjojë.
Ndërsa rivali i tij kryeministri Rama, megjithëse prej 9 vitesh në pushtet, duket se është vënë në rolin e atij që ka nevojë të bindë, prandaj flet gjatë dhe papushim, pa dëgjuar askënd. Lapsi.al pa të plotë një takim të kryeministrit në Kafaraj të Fierit dy ditë më parë (video poshtë).
Aty njerëzve u foli fillimisht Taulant Balla, pastaj kryebashkikau i Fierit, Subashi dhe më pas ministrja e Bujqësisë, Krifca. Pasi e gjithë kjo paradë zgjati për 25 minuta foli për 35 të tilla edhe vetë kryeministri.
Fjalimeve të gjata, në Gjirokastër, Rama u shtoi edhe notat e një "One man Show", kur filloi të bëjë batuta me kurnacllëkun e gjirokastritëve, kur tentoi të tregojë barcaleta, se ata kanë frikë që po mbyllën frigoriferin nuk u fiket drita, duke e lidhur këtë me faktin se si duhet kursyer energjia.
Edhe në takimin me rektorët, pas protestës së pedagogëve, kryeministri foli një orë dhe pranoi vetëm 3 ndërhyrje njërës prej të cilave iu përgjigj me shpoti dhe pelivanllëqe.
Lexo me tej:
Video/ Rama me rektorët, si takimi i Ramiz Alisë me intelektualët
Nga mënyra se si ka nisur kjo para fushatë duket se Berisha dhe Rama kanë zgjedhur strategji të ndryshme. I pari po kërkon të luajë rolin e atij që do të dëgjojë shqetësimet e njerëzve për të reaguar, duke i dhenë prioritet sallave para liderit. Ndërsa Rama po kërkon të përforcojë imazhin e liderit që turmën e ka në funksion të tij, por që edhe po s'e pati kërkon ta joshë me gallatë dhe batuta.
Ndonëse sjellja e Berishës është më politikisht korrekte dhe më respektuese karshi publikut, në krahasim mes të dyve, ajo e Ramës është më e sinqertë, sepse të dy krerët e pative të mëdha, në fakt, janë njerëz që dëgjojnë pak dhe vendosin përgjithësisht vetë.
©Lapsi.al