Flash

Osmani: As BE as SHBA s'kanë kërkuar të heqim dorë nga njohja reciproke

Lapsi.al 23 October 2022
Osmani: As BE as SHBA s'kanë kërkuar të heqim dorë nga

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se kërkesa që njohja reciproke të jetë pjesë e një marrëveshjeje finale me Serbinë është domosdoshmëri. Sipas saj, tërheqjen e kësaj kërkese Kosovës nuk ia kanë kërkuar as Shtetet e Bashkuara dhe as Bashkimi Evropian.

Gjatë një konference për media në Prishtinë, pas takimit me homologun e saj nga Malta, George Vella, Osmani u pyet të komentonte deklaratat e të dërguarit të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, që Kosova të mbështesë një marrëveshje me Serbinë, që nuk përfshin njohjen reciproke.

Por, Osmani tha se bëhet fjalë për “marrëveshje specifike”, që duket se është referencë një propozim të Francës dhe Gjermanisë për të cilin kanë raportuar mediat.

Siç kanë deklaruar zyrtarët në Serbi, ky propozim franko-gjerman, që thuhet se është dorëzuar liderëve në Prishtinë dhe Beograd, parasheh që Serbia të mos e pengojë Kosovën në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, përfshirë edhe Kombet e Bashkuara, në këmbim të një anëtarësimi të shpejtë të Beogradit në bllokun evropian.

“Janë tjetër gjë propozimet për marrëveshje specifike të cilat diskutohen në Bruksel. Siç e dini, ka qenë çështja e energjisë, akoma vazhdojnë diskutimet për fatin e të zhdukurve me dhunë apo edhe tema të tjera që kanë të bëjnë me lirinë e lëvizjes. Dhe përpjekjet e partnerëve tanë që të gjitha këto çështje të shtyhen përpara në një mënyrë të intensifikuar", tha Osmani.

"Megjithatë, nuk ka pasur kërkesë, qoftë nga SHBA-ja, qoftë nga partnerët e tjerë brenda BE-së asnjëherë që Kosova të heqë dorë nga kërkesa për njohje reciproke, sepse të gjithë e kuptojnë që ajo është domosdoshmëri që e përmbyllë një kapitull të dhimbshëm të asaj çfarë ka ngjarë në këto dekada në Ballkanin Perëndimor, që kanë qenë luftëra të tmerrshme të iniciuara dhe të kryera nga ana e regjimit gjenocidal të Serbisë”, - shtoi ajo.

LEXO EDHE: Çfarë dihet mbi propozimin franko-gjerman për Kosovën dhe Serbinë

Ajo shtoi se edhe vetë presidenti i SHBA-së, Joe Biden, dhe sekretari i Shtetit, Antony Blinken, kanë kërkuar që një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë të ketë në qendër njohjen reciproke.

Ndërkaq, Escobar më herët gjatë kësaj jave ka qëndruar në Kosovë dhe Serbi, për të inkurajuar palët që të intensifikojnë procesin e dialogut, që ndërmjetësohet nga BE-ja dhe që ka për synim normalizimin e raporteve mes shteteve.

Zyrtari i lartë amerikan ka folur edhe për propozimin franko-gjerman dhe ka thënë se SHBA-ja e mbështet të njëjtin, duke argumentuar se ky propozim “do ta zhbllokonte Kosovën, por potencialisht edhe Serbinë, në rrugën e integrimeve euroatlantike”.

Më 22 tetor në Prishtinë qëndroi edhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. Ai tha se në takimin me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, është diskutuar edhe për propozimin franko-gjerman, por nuk dha më shumë detaje.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog me ndërmjetësimin e BE-së që nga viti 2011. Por, përderisa Prishtina kërkon që njohja reciproke të jetë pjesë e marrëveshjes finale, Beogradi kërkon një zgjidhje kompromisi, pa specifikuar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë. /REL

Të këshilluara

ide

Haga, si përfundim i një epoke të gjatë yes man-izmi

Nga drama e 16 shtatorit, që po rekemi ta konsumojmë si popujt primitivë me lotë, mallkime, ofshama dhe qurravitje duhet të dimë të nxjerrim një mësim: Këtej e tutje askush nuk do të na rrespektojë, po nuk ditëm të respektojmë vetveten. Sepse verdikti i asaj gjykate të instrumentalizuar erdhi si pasojë e servilizmit tonë të verbër ndaj perëndimit

16:25 Andi Bushati

Gënjeshtra e rezorteve elitare

Në Sazan edhe në Zvërnec qeveria po financon komplekse luksoze banimi që do pasurojnë ndërtues lokal dhe ndërkombëtarë, herë duke i hequr taksat, herë duke i çuar infrastrukturë dhe herë duke privatizuar tokën dhe plazhet publike

13:55 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

19°c

KËMBIMI EURO

91.54

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI