Andi Bushati: Një fjalim për të kthyer Thaçin në skenë
Edhe ligjërata e stërgjatë në Strasburg kishte pikërisht këtë qëllim: mbrojtjen e një shoku. Po të lexohet me kujdes teksti i saj referencat janë të qarta. I gjithë fjalmi i Ramës në raport me Thaçin mbështetet mbi një manipulim. Gjykata Speciale që po e gjykon atë u ngjiz si pasojë e akuzës për trafik organesh. Tani që kjo akuzë nuk është vërtetuar ish presidenti mbahet kot në qeli. Në fakt, e vërteta është shumë më e nuancuar. Po, është e saktë se raporti i Dick Martit dhe akuzat e tij patën një rol në krijimin e klimës për gjykimin e krerëve të UCK. Por ama, rezoluta e Këshilli të Evropës nuk ishte vendimtare. Pas asaj u ngrit një task forcë e BE, e cila arriti në konkluzionet se nuk kishte prova për trafik organesh por gjendeshin të tilla për krime lufte, rrëmbim, keqtrajtim dhe zhdukje personash. Për hetimin e tyre dhe jo për "shtëpinë e verdhë" u ngrit tribunali i Hagës. Por po të lexosh fajalimin e Ramës në Strasburg, historia paraqitet e shtrembëruar. Ja ç’thotë ai: “…pavarësisht mungesës mbresëlënëse të të dhënave lidhur me trafikun e organeve u krijuan dhomat e specializuara të Kosovës që çuan në arrestimin e 4 individëve, përfshi presidentin e Kosovës në atë kohë, Hashim Thaçi. Vetëm për një moment vini në lëvizje imagjinatën dhe imagjinoni presidentin, kryeministrin apo udhëheqësin që merret nga zyra e tij dhe merret nën mbikëqyrje, vihet nën arrest pa asnjë aktakuzë zyrtare”.Rama me dy standarte ndaj Gjykatës së Hagës, ndryshe për Haradinajn, ndryshe për Thaçin
Por, avokatia për shokun nuk përfundon këtu. Si shkarazi Rama përmendi se dikur presidenti aktual i SHBA-së e ka krahasuar me Xhorxh Ushingtonin e Kosovës, ndërsa ai vetë me anë të një metafore guxoi para europarlamentarëve ta quante procesin e tribunalit special si absurd, duke marë për shembull romanin Procesi të Kafkës: “do të ishte më e përshtatshme ta quanim Josef K., ashtu si personazhi i Kafkës te “Procesi” u arrestua nga një autoritet i largët, i panjohur pa kuptuar se për çfarë ishte akuzuar” tha ai në fjalim. Dhe manipulimi i Ramës shkon në skaj kur ai aludon se Thaçi gjendet në Hagë si pasojë e gënjeshtrës së trafikut të organeve: “Eshtë ende në burgim. Krijuar nga një lajm i rremë që u përhap si murtajë dhe ndikoi politikën e institucionet ndërkombëtare”. Duke ditur se në Strasburg nuk mund të flasë si në Shqipëri për drejtësi të manipuluar që vonon të dënojë Metën dhe Berishën, Rama u betua para asamblesë: “Megjithatë mos më merrni për keq. Nuk jam këtu të vë në diskutim as Dhomat e Specializuara të Kosovës e asgjë që lidhet me procesin e rregullt gjyqësor”. Por, ai bëri pikërisht këtë vuri gjatë gjithë kohës në diskutim procesin që po zhvillohet në Hagë duke dashur ta zhvlerësojë atë dhe ta paraqesë si një proces të manipuluar, ku Rusia ka arritur të gënjejë Këshillin e Evropës dhe vetë gjykatësit apo prokurorët. Natyrisht, që Hashim Thaçi, ndonëse gjendet në burg konsiderohet i pafajshëm, dhe gjithë shqiptarët do të uronin që ai ta fitonte këtë betejë ligjore, por pyetja që shtrohet është: Pse ky nxitim i Ramës për të bërë sikur e ndihmon? Pse ai po paguan çmimin e kundërvënies me ndërkombëtarët, që i reaguan ashpër në sallë e i bojkotuan takimet, për një çështje që e ka marrë në dorë drejtësia?Rama në burgun e Thaçit, dy standartet me drejtësinë e ndërkombëtarëve
Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve duhen parë disa deklarata të tjera të Ramës. Kur zgjidhja e konfliktit Kosovë Serbi, po tentohej të kanalizohej me aventurën e ndryshimit të kufijve, Edi Rama ka bërë një deklaratë të fortë në kuvendin e Kosovës: atë për një president të përbashkët të shqiptarëve. Atëherë ai nuk tha emër, po shumë kush e lexonte projektin e shkëmbimit të popullsive dhe territoreve si një bashkim të pjesës së mbetur të Kosovës me atdheun mëmë. Me Ramën kryeministër dhe Thaçin president. Këtë emër Rama do ta përmende shumë kohë më vonë atherë kur miku dhe aleati i aventurës së përbashkët ndodhej tashmë në qeli. Në fillim të majit, kur në Shqipëri ishte hapur procesi i presidentit të ri ai nuk nguroi të thotë se, nëse ish kreu i shtetit të Kosovës nuk do të kishte qenë në burg, ai do të ishte një presidenti i shkëlqyer i Shqipërisë: “Ai do të ishte një president i shkëlqyer për Shqipërinë dhe Kosovën, por fatkeqësisht ai nuk është i pranishëm për momentin në bashkësinë shqiptare. Kjo sepse ndaj tij po zhvillohet një proces që mos më bëni ta them se ca procesi është”, tregoi Rama zgjedhjen e tij.Ndoshta edhe me këtë deklaratë, njësoj si me fjalimin e Strasburgut, ai i çoi mesazh Hashim Thaçit se i qëndronte besnik planit të dikurshëm pavarësisjt se çmimin për të e kishte paguar vetëm njëri, ai që e kishte lënë politikën për të përfunduar në Hagë.
©Lapsi.al