Përplasja në Apel për logon, vulat dhe zyrat e selisë është lënë pezull dhe në PD kanë nisur negociatat e brendshme për t’u bashkuar. Jo se u lodhën nga konfrontimi, por se të gjithë e kanë të qartë se rruga drejt fitores së zgjedhjeve kërkon bashkim.
Pas katër orësh mbledhje me deputetët e tjerë, Gazment Bardhi u caktua negociator. Kur doli nga mbledhja ai përsëriti të njëjtën gjë që opozitarët e kërkojnë prej kohësh.
“Fakti është që Edi Rama ka një kandidat në secilën prej bashkive, opozita, por më së pari PD e gjitha bashkë, do të duhet të ketë përballë një kandidat" u shpreh Gazment Bardhi, që bëhet gati të takohet me Edi Palokën.
Ndërsa hyri në selinë e PD-së, Berisha tha se nuk ka kushte paraprake për grupin e deputetëve.
“As kam kushte dhe as nuk marr kushte. Mirëpres cilindo që dëshiron të kandidojë apo të propozojë, të debatojë. Hapje e plotë dhe totale” tha ai për gazetarët.
https://lapsi.al/2022/10/04/vula-e-pd-dordolecet-qe-e-duan-partine-me-gjykate/
Por në prapaskenë llogaritë janë ndryshe. Flamur Noka kërkoi një sinjali më të qartë për bashkim dhe si shembull solli tërheqjen e padisë në gjykatë.
“Tërheqja e padisë është rruga e vetme për tu dhënë sinjal të qartë demokratëve që bashkohen dhe jemi bashkë me një qëllim për t’u përballur me Edi Ramën dhe regjimin e tij” tha Noka.
Për nga grupi tjetër, kjo është një kërkesë që nuk pranohet. Përgjigjen ia dha Agron Gjekmarkaj.
“Valëvitjet e Flamurit në erën e ndarjes duhet të ndalen. I zoti e shet, tellalli se jep. Pa kushte, pa histori të vjetra si prita për qëllimin final” ka shkruar Gjekmarkaj në Twitter.
Në fakt, padia që mbahet pezull në gjykatën e Apelit është një tregues se negociatat po zhvillohen mbi një terren të minuar. Pikërisht për këtë marrëveshja mes palëve, që të funksionojë duhet të jetë më e gjerë se kandidati i përbashkët. Mjafton një lëvizje nga gjykata dhe armëpushimi i brendshëm në PD vihet në pikëpyetje./Lapsi.al