Flash

Qeveria ndryshon ligjin e pronave sipas vendimit të Strasburgut

Lapsi.al 4 October 2022
Qeveria ndryshon ligjin e pronave sipas vendimit të Strasburgut

Projektligji i ri i prezantuar në Komisionin e Ligjeve parashikon kompensime jo më pak se 10% e vlerës së pronës si dhe parashikon një mundësi të re për dosjen e patrajtuara.

Ministria e Drejtësisë prezantoi të martën në Komisionin parlamentar të Ligjeve projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.133/2015 Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, në përmbushje të detyrimeve të përcaktuara nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Gjykata Kushtetuese.

Ndryshimet në ligj adresojnë vendimin e 7 majit 2020 të GJEDNJ-së në çështjen “Beshiri dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, i cili e ka shpallur të papranueshme skemën e re të qeverisë me ligjin e 2015-ës për trajtimin dhe kompensimin e pronës. Ndryshimet kushtëzohen dhe nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese i shkurtit 2021, e cila shfuqizoi disa prej dispozitave të këtij ligji si të papajtueshme me Kushtetutën.

Zv. ministja e Drejtësisë, Adea Pirdeni tha para deputetëve se “projektakti përmban dispozita për formulën e përllogaritjes së vlerësimit financiar për pronat që rezultojnë me zë kadastral të ndryshuar dhe për të cilët garantohet tashmë kompensimi të paktën në masën 10 përqind të vlerës sipas zërit kadastral aktual”.

Ajo sqaroi se projekligji detyronte rishikim të vendimeve përfundimtare të marra nga Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP) me skemën e vjetër të përllogaritjes dhe se bëhet fjalë për 4672 vendime që impaktohen nga skema e re.

“Në çdo rast është e garantuar se vlerësimi financiar i vendimeve përfundimtare për kthimin dhe kompensimin e pronës si dhe i vendimeve që kanë njohur vetëm të drejtën e kompensimit duhet të sigurojë që subjekti i shpronësuar të përfitojë jo më pak se 10 përqind të vlerës sipas zërit aktual kadastral,” tha ajo.

Vlera e parashikuar nga qeveria për rivlerësimin e këtyre vendimeve sipas zv/ministres kap shifrën 18.5 miliardë lekë dhe ATP-ja do të ketë një afat 3 mujor për të bërë rillogaritjen.

Ndryshimet në ligj po ashtu parashikojnë një mundësi të re për 6950 dosje të patrajtuara, ndërsa Pirdeni tha se ata që i janë drejtuar gjykatave mund të riaplikojnë nëse heqin dorë nga gjykimi.

Afati i ri ligjor për trajtimin e tyre do të jetë 31 dhjetor 2024.

“Projekligji i njeh të drejtën subjekteve që kanë tërhequr kërkesat e patrajtuara për njohje të pronës ose i janë drejtuar gjykatës së shkallës së parë që të heqin dorë nga gjykimi i çështjes dhe të paraqesin kërkesë pranë ATP-së,” tha Pirdeni, duke shtuar se kjo dispozitë vlen dhe për ata që i janë drejtuar gjykatës administrative për vlerësimin financiar të pronës.

Sipas relacionit shoqërues, ndryshimet bëjnë dhe rregullimin e autorizimit ligjor për Këshillin e Ministrave për të përcaktuar radhën dhe prioritetin e formave të kompensimit.

Deputetët e opozitës e cilësuan të një rëndësie të veçantë dhe kërkuan që të ishte ministri i Drejtësisë që të mbronte ndryshimet në komision, si dhe një seancë dëgjimore me grupet e interesit.

“Partia Demokratike e ka kundërshtuar në Gjykatën Kushtetuese dhe jemi para një realiteti të ri, ku qeveria detyrohet ta rishikojë pasi kjo gjykatë i ka shfuqizuar disa dispozita, ndaj këtu duhet të jetë ministri,” tha Dhurata Çupi.

Kërkesën e mbështeti dhe Oerd Bylykbashi, i cili shtoi se miratimi i ndryshimeve duhet të marrë kohën e duhur, pasi sipas tij, ligji “duhet të ketë kuptim si t’u kthejë pronën pronarëve dhe jo të bëhet një instrument për të mos e kthyer pronën”.

Kryetarja e Komisionit, Klotilda Bushka e cilësoi seancën vetëm prezantuese dhe njoftoi deputetët se në seancat e tjera komisioni do të ketë diskutime edhe në bazë të sugjerimeve e komenteve që do të adresohen në platformën e konsultimit publik./Reporter.al

Të këshilluara

Kosova, Vuçiç: Serbisë po i bëhet presion

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka thënë se zhvillimet gjeopolitike kohëve të fundit e kanë vendosur në një pozicion të vështirë Serbinë dhe sipas tij, p...

16:51

ide

Haga, si përfundim i një epoke të gjatë yes man-izmi

Nga drama e 16 shtatorit, që po rekemi ta konsumojmë si popujt primitivë me lotë, mallkime, ofshama dhe qurravitje duhet të dimë të nxjerrim një mësim: Këtej e tutje askush nuk do të na rrespektojë, po nuk ditëm të respektojmë vetveten. Sepse verdikti i asaj gjykate të instrumentalizuar erdhi si pasojë e servilizmit tonë të verbër ndaj perëndimit

16:25 Andi Bushati

Gënjeshtra e rezorteve elitare

Në Sazan edhe në Zvërnec qeveria po financon komplekse luksoze banimi që do pasurojnë ndërtues lokal dhe ndërkombëtarë, herë duke i hequr taksat, herë duke i çuar infrastrukturë dhe herë duke privatizuar tokën dhe plazhet publike

13:55 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

29°c

KËMBIMI EURO

91.54

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI