Ashtu siç e kishte paralajmëruar, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka ngritur një grup auditimi për të hetuar çështjen e skandalit të financimit rus të Partisë Demokratike. Vendimi është marrë sot në mbledhjen e Kryesisë dhe Sekretariateve. Ky audit do të drejtohet nga Ledina Mandia. Në qendër të hetimit do të jetë ish-kryetari i PD-së, Lulzim Basha.
Lexo më shumë: Financim rus?/ Berisha: Audit Bashës, ka marrë provat me vete
Rikujtojmë se emri i Partisë Demokratike dhe shifra e përmendur prej 500 mijë dollarësh përkojnë me hetimet që janë hapur në Shqipëri në atë kohë ndaj PD-së. Këto hetime janë bazuar në deklarimet që firma lobuese amerikane ‘Muzin Capitol Partners’ ka raportuar se ka marrë nga PD-ja.
Lexo më tej: Bild fshin shkrimin për financimet ruse të Bashës (artikulli i plotë)
Një raport i komunitetit amerikan të zbulimit zbuloi se Shqipëria është financuar nga Rusia përmes një kompanie fantazëm. Firma lobuese amerikane kishte deklaruar në vitin 2018 në Departamentin amerikan të Drejtësisë, se ajo kishte marrë gjithsej tre pagesa. Një shumë totale prej 675 mijë dollarësh, për punën e saj në favor të Partisë Demokratike në vitin 2017.
Pagesa e parë mban datën 24 mars 2017. Ajo është bërë nga firma ‘Biniatta Trade LP”, me një vlerë prej 150 mijë dollarësh. Dy pagesat e tjera, sipas deklarimit janë bërë nga Partia Demokratike, njëra më 27 mars, për 25 mijë dollarë, dhe tjetra më 9 qershor për 500 mijë dollarë.
Në një artikull të gjatë hulumtues rreth këtyre pagesave për Muzin Capitol, revista amerikane Mother Jones ngrinte dyshime se pas një pjese të pagesave të bëra nga kompania “Biniatta Trade LP” me bazë në Skoci, për aktivitete lobimi në favor të PD-së para zgjedhjeve të vitit 2016 në Shqipëri, qëndronin biznesmenë rusë.
Hetimet
Autoritet shqiptare hapën hetime lidhur me këto pagesa. Ato thanë se “paratë janë paguar nga një kompani kompani offshore dhe se Partia Demokratike nuk ka raportuar në mënyrë të rregullt, pranë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, paratë e shpenzuara, duke iu shmangur kështu legjislacionit për parandalimin e pastrimit të parave”.
Më pas prokuroria u tërhoq nga akuza për pastrim parash. Gjykata pushoi çështjen e ngritur për falsifikim dokumentash ndaj Lulzim Bashës, Arben Ristanit dhe Ilir Dervishajt lidhur me pagesat për firmën Muzin.
Financimet në Ballkan
Veç Shqipërisë, sipas burimit të administratës amerikane, në raport përmenden edhe Bosnja dhe Mali i Zi. Respektivisht për financimin e fushatës së udhëheqësit të serbëve të Bosnjës, Milorak Dodik për zgjedhjet e vitit 2018 dhe fonde për partinë pro-ruse Fronti Demokratik.
Zyrtari amerikan tha për median se Shtetet e Bashkuara janë angazhuar me aleatë dhe partnerët për të mbledhur më shumë informacion për rrezikun e financimit rus për partitë politike.
“Ajo që është më tronditëse për këtë studim është se shohim praninë e financimit të fshehtë rus në mbarë botën… Po i paralajmërojmë këto parti të huaja dhe kandidatë se nëse pranojnë fshehurazi paratë e Rusisë. Ne kemi mundësinë t’i ekspozojmë, dhe do t’i ekspozojmë”, shtoi ai.