Flash

Mediat po i mbyt binomi pushtet-biznes

Lapsi.al 10 September 2022
Mediat po i mbyt binomi pushtet-biznes

Përplasja e fundit mes qeverisë Rama dhe grupit Media Focus, me pronar zotin Hysenbelliu, ka prodhuar dy lloj reagimesh, njësoj gjysmake. Mbështetësit e qeverisë e shikojnë sulmin ndaj biznesmenit në fjalë si një mundësi për t´í dhënë fund fenomenit të përdorimit të mediave si mburojë e bizneseve të pronarit. Për këtë kamp problemi primar qëndron tek keq-përdorimi i mediave nga pronari. Ndërkohë ndërhyrja brutale e qeverisë dhe tolerimi nga ana e saj i këtij fenomeni është problem dytësor.

Në kampin anti-qeveritar sulmi ndaj biznesmenit interpretohet si një goditje e hapur ndaj një media të lirë. Këtu problemi themelor nuk është keq-përdorimi i mediave nga biznesi, por autoritarizmi i qeverisë që kërkon tu japë një sinjal mediave që guxojnë ta kritikojnë atë sadopak. Natyrisht gazetarët dhe analistët në këtë kamp e pranojnë dhe e kritikojnë keq-përdorimin e mediave nga pronarët biznesmen, por problemi themelor është sulmi qeveritar dhe jo struktura e pronësisë mediatike.

Të dyja janë versione gjysmake që më shumë se të vërtetën reflektojnë pozicionimin politik të palëve. Janë produkte të transformimit të medias nga dëshmitar dhe dokumentues i realitetit në protagonist të tij. Prej kohësh mediat tona raportojnë, informojnë dhe investigojnë shumë më pak se sa marrin pjesë në politikë. Është ky transfomim që fillimisht e ka zëvendësuar gazetarin me analistin, dhe më pas e ka transformuar këtë të fundit nga vëzhgues dhe analizues në protagonist të debatit politik.

E vërteta është se median e pavarur dhe serioze në Shqipërië e ka mbytur simbioza pushtet-biznes. Pushteti i toleron shkeljet e biznesmenit mediatik, i ofron atij ambiente, kontrata apo leje, madje edhe ia lehtëson biznesin në shkëmbim të një mbulimi mediatik që nuk e dëmton atë. Biznesmeni, nga ana tjetër, e ndërton median e tij apo të saj, plotësisht në shërbim të interesave të tij ekonomike.

Natyrisht ka biznesmen që e bëjnë këtë në mënyrë më të sofistikuar dhe të tjerë që e bëjnë në mënyrë më banale. Ama mes interest publik dhe interesit të biznesit gjithmonë dominon ky i fundit. Çka do të thotë se nëse ka një përplasje mes asaj që i interson publikut dhe asaj që i intereson pronarit, fiton kjo e dyta.

Ky është fenomeni që u shfaq qartë në përplasjen e fundit mes qeverisë dhe grupit mediatik, Focus Media Group, të zotit Irfan Hysenbelliu. Kemi një sulm brutal të qeverisë për prishjen e rezortit turistik të biznesmenit në fjalë, dhe largimin e mediave të tij nga ambiente shtetërore. Natyrisht të gjitha aksionet e qeverisë mund të jenë brenda ligjit, ama momenti në të cilin ndodhin është shumë domethënës.

Është pikërisht kur ekziston një përplasje mes biznesmenit në fjalë dhe qeverisë që kjo e fundit kujtohet të shikojë ligjshmërinë dhe përmbushjen e kontratave nga ana e tij. Për ta kuptuar këtë mjafton të lexosh deklaratën e Ministrisë së Financave ku thuhet se grupi mediatik nuk ka paguar detyrimet financiare kontraktuale gjatë 6 viteve të fundit.

Nëse kjo është e vërtetë pyetja që shtrohet vetvetiu është se përse Ministria e Financës e ka toleruar për 6 vite rrjesht këtë shkelje flagrante? Përgjigja është e qartë, sepse biznesi në fjalë kish marrëdhënie të mira me Ramën, Ballën apo Veliajn, sikurse e ka dëshmuar edhe vetë pronari.

Ama goditja e pushtetit ndaj grupit mediatik është vetëm njëra anë e medaljes. Rrjeshtimi ushtarak i të gjitha mediave, gazetarëve dhe analistëve të këtij grupi pas hallit të pronarit dhe jo pas interest publik është goditja paralele që vjen nga brenda saj. Produkt i transformimit të medias në një zgjatim të intereave ekonomike që e financojnë dhe jo në mbrojtëse të interesit publik.

Interesi publik në këtë rast është i qartë. Së pari, duhet informuar në mënyrë objektive në lidhje me përplasjen në fjalë, detyrimet kontraktuale, ekzistenca ose jo e lejeve ndërtimore, etj. Thjesht duhet bërë gazetari. Së dyti, duhet vendosur lajmi në dimensionin e tij real për publikun në përgjithësi. Pra i duhet dhënë një rëndësi që është proporcionale në raport me shumë lajme të tjera që i interesojnë publikut.

Fatkeqësisht më shumë se te informimi apo investigimi mediat në fjalë u fokusuan tek denoncimi i qeverisë. Ndërkohë lajmi i përplasjes së tyre me qeverinë eklipsoi pothuajse cdo lajm tjetër, duke përfshirë edhe krizën energjitike që afrohet dhe pasojat e rënda që ajo do të ketë për qytetarët, sidomos gjatë dimrit.

Ndaj përplasja mes qeverisë dhe grupit mediatik Fokus nuk është thjesht një shembull më shumë i reduktimit të lirisë së mediave në Shqipëri nga një pushtet autoritar. Natyrisht që kjo është një pjesë e së vërtetës. Ama ndonëse pushteti mund tu japë mediave goditjen përfundimtare ato bien shumë lehtë sepse themelet e tyre si roje të interesit publik i kanë ngrënë prej kohesh pronarët që i kanë transformuar në zgjatime të interesit personal. Për pasojë bëhet e vështirë t’ia shesësh publikut përplasjen me qeverinë si një çështje të interesit publik apo të lirisë mediatike.

Shkruar për Lapsi.al nga Blendi Kajsiu

Të këshilluara

Legjenda Rozafës me ndërtimet pa leje

Lajmi i dhënë dje se qeveria ka nxjerrë një VKM për të sekuestruar katet e ndërtuara pa leje është shakaja e radhës nga fusha e shtetit ligjor. Janë arrest...

13:51

Dallëndyshet që paralajmërojnë fashizmin

Ngjarjet e fundit kanë nxjerrë me më shumë forcë në pah një steriotip të pështirë burokrati që për hir të së vërtetës, nuk i ka munguar asnjëherë peisazhit shqi...

14:29

Fitorja e disiplinës strategjike

Në një proces të bashkërenduar nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Serbia më në fund pranoi zgjidhjen e problemit të dokumentave bazuar m...

09:38

Yuri Kim si ikona e idiotëve të dobishëm

Pasi ka përfunduar pushimet, nga të cilat këtë herë, fatmirësisht, nuk i rrodhën foto, ambasadorja amerikane ka përveshur llërët e përfshirjes në debatin politi...

17:59

ide

Çfarë është “Shqipëria e re”?

Shteti, partia dhe pushteti janë personalizuar tek një lider i vetëm. Sot hendeku mes fasadës së propagandës rilindase dhe realitetit që jetojnë qytetarët është bërë po aq i madh sa hendeku mes propagandës komuniste dhe realitetit qytetar dje

21:40 Blendi Kajsiu

Letër e hapur njerëzve të Drejtësisë: Shtet i së drejtës apo bandë e madhe plaçkitësish

Kambanat e kësaj proteste nuk bien vetëm për Edi Ramën, ministrat, parlamentarët, qeverisësit dhe plaçkitësit e tij, ato bien edhe për gjykatesit dhe prokuroret. Pyetja që ngrihet sot nga njerëzit në proteste është: a jeni ju në shërbim të asaj drejtësie që në Kushtetutën tonë formulohet në trajten “E drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit.” apo, si në kohën e Enver Hoxhës, jeni në shërbim të bandës së plaçkitësve që e shkel përditë kufirin e së drejtës?

16:24 Fatos Lubonja

MOTI TIRANA

30°c

KËMBIMI EURO

93.67

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI