Kreu i PD-së Sali Berisha ka komentuar sot çështjen e dosjes së sigurimit, për të cilën u aludua se kishte të bënte me ish-kreun e Shtetit Ilir Meta. Berisha tha se gjithçka është një përpjekje për të keqpërdorur Shërbimin Informativ kundër kundërshtarëve politikë.
“Pas verifikimit të dokumenteve unë deklarova dy ditë më parë që gjithçka është një trillim i paskrupullt i Edi Ramës dhe i turpshëm i një njeriu në panik, pa asnjë moral, që përdor shpifjen dhe trillimin kundër kundërshtarëve politikë. Dje pasdite dhe sot unë kam dokumentet në dorë. Nuk ka akt më të shëmtuar, Edi Rama bashkë me Shërbimin Informativ e ka bërë në mënyrën më të trashë këtë kurth. E ka stisur në mënyrën më të trashë. Cilido që lexon e-mail-in e ka të qartë se I. M. është Ilir Murati nga Librazhdi dhe Filip Tale është nga Librazhdi dhe s’ka asnjë lidhje me Ilir Rexhep Metën. Këtë e kanë ditur këta. Edi Rama ka keqpërdorur, ka keqshfrytëzuar në mënyrë më të shpifur qoftë kryetaren e Autoritetit të Dosjeve, qoftë Lindita Nikollën. Unë mund t’ju them ju, në dokumentin që Genta Sula i drejton Linda Nikollës, akuzon direkt Ilir Metën për bashkëpunëtor të Sigurimit të Shtetit. Një akt i pashembullt. Kjo zonjë është keqshfrytëzuar në mënyrë ekstreme nga Edi Rama për arsye që ajo i di vetë dhe do të zbardhen. Mbi bazën e këtij dokumenti të hartuar në SHIK, për herë të parë në jetën e saj politike Linda del dhe u thotë shqiptarëve se jam e tronditur nga dokumenti që ka dalë. Histori të turpshme, zyrtarë primitivë që s’kanë asgjë të përbashkët me integritetin e një zyrtari. Ky është kurthi që organizon Edi Rama në mënyrë që të përdor SHISH-in për fabrikim dokumentesh.
Cila është situata ligjore sot në Shqipëri?
Unë jam për ligjin e lustracionit, por ka një vendim Gjykate kushtetuese që e ka rrëzuar. Ne e bëmë provën në 2015 dhe e refuzuan. Gjithçka është një përpjekje për të keqpërdorur Shërbimin Informativ kundër kundërshtarëve politikë. Linda dhe Genta janë thjesht fatkeqet e Ramës që kanë lejuar të përdoren nga Rama.