Flash

Rreziku nga sulmet e Iranit, MEK njofton shtyrjen e samitit të planifikuar për t'u mbajtur në Durrës

Lapsi.al 23 July 2022
Rreziku nga sulmet e Iranit, MEK njofton shtyrjen e samitit të planifikuar

Opozita iraniane e strehuar në kampin e Manzës bëhet me dije se ka shtyrë pa afat Samitin e lajmëruar për t’u zhvilluar në datat 23 dhe 24 korrik në Durrës. Vendimi i marrë një ditë para Samitit Botëror të Iranit të Lirë, pasoi paralajmërimin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës u bënë qytetarëve të tyre, që të mos merrnin pjesë në këto aktivitete, si edhe të qëndronin larg zonës ku do të zhvillohej ky aktivitet për arsye sigurie.

Sipas njoftimit të publikuar nga ambasada amerikane në vendin tonë thuhej se qeveria e SHBA-së është në dijeni të një kërcënimi të mundshëm që synon Samitin Botëror të Iranit të Lirë. Por përgjatë ditës së djeshme, mësohet se në kamp dhe rreth e rrotull tij janë shtuar kontrollet e sigurisë, ndërkohë që asnjë masë shtesë nuk është parë nga autoritetet tona shtetërore.

E ndërkohë që ambasada amerikane dhe vetë zyrtarët e kampit ku janë të strehuar zyrtarë të opozitës iraniane flasin për pasiguri dhe dyshime për akte terroriste, asnjë zë zyrtar përgjegjës për sigurinë në vend nuk ka dalë për të folur mbi masa konkrete shtesë për të njoftuar së paku interesimin e institucioneve të sigurisë në vend.

Njoftimi që u shpërnda për të lajmëruar shtyrjen e samitit ditën e djeshme u përcoll në heshtje, ndërkohë që vetëm pak ditë më parë portalet online të qeverisë u “lëshuan në tokë” nga një sulm frontal që sipas dyshimeve ishte organizuar dhe drejtuar nga Irani.

Ndonëse SPAK ka nisur prej disa ditësh kontrollet nëpër vende, banesa dhe objekte ku qëndrojnë dhe veprojnë iranianë të dyshuar që qëndrojnë në Shqipëri, ditën e djeshme asnjë informacion nuk e pasoi deklaratën e kampit të cilët shtynë Samitin e tyre për shkaqe sigurie!

NJOFTIMI I ASHRAF

Në njoftimin zyrtar për anulimin e Samitit që do të zhvillohej këtë fundjavë, në “Ashraf 3”, aktiviteti është shtyrë pas rekomandimeve të qeverisë shqiptare, për arsye sigurie dhe për kërcënime dhe komplote terroriste.

“Samiti Botëror i Iranit të Lirë, i planifikuar për t’u mbajtur në datat 23 dhe 24 korrik në ‘Ashraf 3’, Shqipëri, shtyhet deri në njoftimin e mëtejshëm me rekomandime të qeverisë shqiptare, për arsye sigurie dhe për kërcënime e komplote terroriste”, thuhet në njoftim.

Ne këtë Samit ishte parashikuar të merrnin pjesë figura të njohura nga Shtetet e Bashkuara, përfshirë senatorë, kongresmenë, ish-komandanti i NATO-s, si dhe ish-Kryeministra të ndryshëm në vendet e Bashkimit Evropian, të cilët e kanë mbështetur opozitën iraniane në mbrojtjen e saj ndaj regjimit të Teheranit.

Sulmi kibernetik ndaj serverëve të qeverisë shqiptare pasoi me aludime se pas tyre fshihet shteti i Iranit.

Disa mesazhe mbërritën nëpër celularët e qytetarëve shqiptare në emër të organizatave iraniane, por aludimet nuk janë vërtetuar ende pasi çështja është nën hetim nga prokuroria e Tiranës. Vetë Kryeministri pranoi se sulmi kibernetik ishte nga shtete të huaja, por nuk dha emrat e tyre.

Të këshilluara

ide

MOTI TIRANA

26°c

KËMBIMI EURO

94.21

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI