Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha akuzoi kryeministrin Rama se shkoi në Bruksel si monist. Ai tha se Rama shmangu opozitën duke mos e ftuar atë.
“Shkoi në Bruksel si monist, njëlloj sikur të shkonin paraardhësit e tij. Mos u çuditni. Do ju tregoj një gjë nga historia, por të vërtetë. Nga viti ’86, qeveria hungareze dhe qeveria rumune, zhvillojnë tratativa të fshehta me Brukselin për t’i pranuar në BE.
Brukseli u përgjigj: “Jo”, - tha, ju nuk mund të pranoheni sepse jeni në sferën e Bashkimit Sovjetik. I vetmi vend, e thanë në konfidencë, nga ish-komunistët që mund të pranohet është Shqipëria...por Shqipëria ishte armik me të gjithë botën. Nuk ka dyshim që ky shkoi si monist në Bruksel. Ndaj unë e kam shpallur atë armik të lirisë së shqiptarëve.
Natyrisht, po të më ftonte do shkoja. Por t’a harrojë se do të kishte shtrëngim duarsh me mua. Nuk mund të ndodhte kurrë ajo. Do të shkoja për t’u përfaqësuar ju, aspiratat demokratike të shqiptarëve. Pra, shkoi si monist, u kthye si monist. Natyrisht me dosjen në shpinë të inceneratorëve, me dosjen e Portit të Durrësit” – tha Berisha në një takim në Durrës. ©LAPSI.al