Në një takim me ekspertë shqiptarë e të huaj, me fermerët, agropërpunuesit, përfaqësues nga Shërbimi i Këshillimit dhe Qendrat e Transferimit të Teknologjive në vend, pedagogë dhe studentë nga Universiteti Bujqësor Tiranë. Kryeministri u shpreh se duhet të rritet komunikimi mes prodhuesve në vend. Ai mori shembullin e qershive, duke thënë se ka bujq që nuk i shesin dot qershitë, ndërsa të tjerë bëjnë para me to. Ai theksoi se duhet të ketë komunikim mes tyre.
"Dalin në televizion pamjet e disa fermerëve që fatkeqësisht hedhin qershitë e tyre se nuk i shesin dot. Dhe bërtasin për subvencione, bërtasin për qeverinë që nuk i ndihmon dot dhe bërtasin për çmimet dhe kjo duhej të ishte shqetësuese nëse do të ndodhte në të gjithë Shqipërinë por në të njëjtin territor ka të tjerë që pikërisht me qershinë dhe pikërisht në këto kohë e me këto vështirësi bëjnë sukses. Dhe bëjnë më shumë sukses pikërisht si rezultat i rritjes së çmimeve. Pse për të njëjtin vullnet dhe përkushtim, për të njëjtën sasi djerse që derdhin disa bëjnë të ardhura të larta falë atij prodhimi? ... Refuzoj të pranoj që bujqësia në Shqipëri mund të shkojë përpara me lëmosha apo me subvencione apo politika fiskale që krijojnë vetëm iluzione e nuk prodhojnë sukses. Subvencioni i mbijetesës në bujqësi do të thotë përsëritje e ciklit të mbijetesës dhe pamundësi për të dalë nga ai rreth vicioz, ndërsa financimi i suksesit do të thotë krijimi i bujqësisë sipërmarrëse. Këtu ata që janë nga komuniteti, janë sipërmarrës sot, nuk janë njerëz që mbjellin tokën, mbushin trastë, dalin tek autostrada, shesin domate dhe patate dhe mbajnë familjen me bukë. Janë njerëz që bëjnë sukses financiar. Politika merre fondin e bujqësisë e shpërndaje me thërrime ka qenë një ndër spektaklet e dështimit. Ndërsa politika në shërbim të suksesit është ajo që duhet dhe po na jep rezultate”, tha Rama.