Mona Lisa" ishte subjekt i një tentative vandalizmi të dielën, kur një vizitor i muzeut të famshëm të Luvrit në Paris lyen me tortë xhamin mbrojtës të pikturës së epokës së Rilindjes.
Burri, i cili dukej se mbante një parukë në videot e incidentit të shpërndara në mediat sociale, iu afrua pikturës në një karrige me rrota përpara se të ngrihej dhe të hidhte një copë tortë në veprën e artit, sipas një deklarate nga Luvri.
"Një vizitor u shtir si invalid në mënyrë që të përdorte një karrige me rrota për t'iu afruar veprës, e cila ishte instaluar në një vitrinë të sigurt. Luvri zbatoi procedurat e tij të zakonshme për njerëzit me probleme në lëvizshmëri, duke e lejuar personin ta admironte këtë vepër të madhe arti," thekson deklarata. “Ndërsa qëndronte pranë pikturës, ky individ hodhi një tortë që e kishte fshehur në sendet e tij personale në kutinë e xhamit të Mona Lizës. Ky veprim nuk ka ndikuar në pikturën, e cila nuk është dëmtuar aspak”.
Një zëdhënës sqaroi se vizitorët me karrige me rrota lejohen të lëvizin përpara vizitorëve të tjerë të muzeut për ta parë më mirë veprën.
36-vjeçari u arrestua dhe u dërgua në një infermieri psikiatrike në selinë e policisë, sipas zyrës së prokurorit të Parisit. Prokuroria ka hapur një hetim për “tentativë për dëmtim të një pasurie kulturore”. Luvri ka bërë një ankesë.