Ministri i jashtëm grek Nikos Dendias ka “zbuluar” në një intervistë për shtypin grek ato që publikut shqiptar iu mbajtën sekret pas vizitës së tij në Tiranë. Ai ka zhvilluat një intervistë tejet të fortë me kolegët e Radio Skay ku ka folur edhe për marrëveshjen e detit që duhet sikur kishte dalë nga axhenda e lajmeve të ditës. Ai ka pohuar se ka qenë në një drekë me kryeministrin Rama nga e cila është siguruar që gjithçka do të shkojë mirë.
Por çfarë i ka thënë kryeministri shqiptar shefit të diplomacisë greke? Dendias e ka pohuar me fjalët e veta: “Ai (Rama shënimi i Lapsi.al) ra dakord me ne që të shkojmë në Hagë sipas rregullave të së drejtës ndërkombëtare. Kjo nuk është bërë ende pasi presidenti nuk i jep autoritetin përkatës kryeministrit. Presidenti padyshim do të zgjidhet një tjetër President në Shqipëri në dy-tre muajt e ardhshëm. Pra, e gjithë kjo atëherë është e realizueshme”.
Pra nga përgjigja e qeveritarit të vendit fqinj dallojmë dy gjëra që nuk janë normale për marrëdhëniet diplomatike mes shteteve. E para që Rama qenka ankuar tek grekët se Iliri Meta sipas obligimeve që i cakton Kushtetuta nuk i jep atij mandat për të çuar përpara zgjidhjen e kufirit detar me Greqinë. Pra për një kryeministër që deklaron ngado se “nuk i shan kundërshtarët e tij në gjuhë të huaj”, fakti se është ankuar në Athinë për kreun e shtetit nuk është një sinjal i vogël.
Po pse Rama nuk e merr dot autorizimin dhe pret largimin e Metës? Çfarë i ka premtuar ai Greqisë që nuk e pranon presidenti aktual?
Brenda kësaj dileme fshihet edhe një sekret i dytë.
Dendias thotë me siguri që presidenti i ardhshëm nuk do të jetë më pengues. Po nga e di ai? A mundet kryediplomati i Athinës të dijë se çdo të ketë në mendjen e presidentit të ardhshëm të Shqipërisë, kur emrin e tij nuk e di ende askush. Kjo deklaratë bëhet edhe më e rëndë kur dihet se në të njëjtën ditë që Dendiasi jepte intervistën Taulant Balla dhe Enkelejd Alibeaj bënin sikur përpiqeshin për të zgjedhur kreun konsensual të shtetit. Pra kjo tregon se flitet për një farsë pasi Rama ia ka pranuar edhe ministrit të jashtëm grek se presidenti i ardhshëm do jetë zgjedhje personale e tij.
©Lapsi.al