Berisha flet si kryetar i PD-së: U krye! …dhe kurrë mos thoni kurrë!
Por, shkaqet e suksesit të tij nuk duhen kërkuar vetëm tek marëdhënia gati tribale që ai ka vendosur me fanatikët e vet. Ai është i lidhur ngushtë edhe me padrejtësinë që iu bë për ta përjashtuar nga PD-ja. Shumëkush nga ata që kishin gjetur paqe pas tërheqjes së Berishës, nuk e kapërdinë dot trajtimin si dele që do të “hanin bar”, nëse nuk ndaheshin njëherë e mirë me të. Shumë demokratë, që se kanë vënë asnjëherë në diskutim SHBA-në, nuk e kuptonin dot politikën me dy standarte të Ushingtonit, që hakmerrej për bëmat e qeverive të para dhjetë viteve, por shpallte kampionë të demokracisë bandën e tanishme të kleptokratëve. Ata nuk e pranonin dot se si Departamenti i Shtetit mund të shpallte “minues të demokracisë” idhullun e tyre, menjëherë pasi kishte njohur dhe përshëndetur mandatin e tretë “historik” të Edi Ramës. Berisha u rikthye ndoshta edhe sepse ai kishte lënë pas vetes një humnerë të pambushëshme nga askush. Opozita e këtyre tetë viteve, ishe e dobët, e vakët, shpesh kompromisaxhie deri në meskinëri dhe shpesh tragjike deri në keqardhje. PD u bë një parti që e përqeshnin kur hiqej si tolerante dhe që se merrnin seriozisht kur pozonte si radikale. Si rezultat i kësaj, ajo shkoi nga disfata në disfatë, e pafatë që të ndalonte duart e Edi Ramës mbi vjedhjen dhe blerjen e votave. Pra të tre këto faktorë, edhe hija e kultit të personalitetit edhe asimetria e Uashingtonit edhe telendisja e atyre që la pas, qenë determinuese në një nga revanshet më të forta politike, që do të mbahet mend nga librat e historisë. Magjia e foltoreve që kulmoi në kuvendin e 11 dhjetorit dhe pastaj rezultati i 6 marsit, i kanë rrënjët tek ky trekëndësh. Por, po të analizohen me kujdes, të tre brinjët e tij rezonojnë me të shkuarën: Si lidhja që lideri historik ka vendosur me militantët, si bëmat për të cilat e akuzoi sekretari Blinken, si përcaktimi i pasardhësit që formatoi më pas linjën opozitare, janë histori që datojnë, në rastin më të mirë, këtu e dhjetë vite më parë. Pra, në këtë kuptim, finalizimi i fitores së 22 majit ishte një betejë me fantazmat e së shkuarës, ishte ngadhënimi mbi një hapsirë dhe një kohë të cilat ai i ka dominuar. Deri të dielën që sapo kaloi Berisha arriti të tregojë se ka shumicën në parti dhe se pjesa më e madhe e votuesve opozitarë i besojnë atij më shumë se kujtdo tjetër. Por nga sot e tutje fillon një histori e re, sepse dilema për Berishën nuk është se sa i zoti është për të dominuar të djeshmen, por se sa fuqi ka për të ndërtuar të nesërmen. Dhe arkitektura e së ardhmes nuk mund të projektohet pa bashkim. Pikërisht kjo është pika që triumfi e Berishës mund ti ngjajë atij të Pirros. Në garën që e ktheu atë kryetar, ai konkuroi pothujse i vetëm. Ajo u bojkotua nga ⅔ e deputetëve. Që prej ditëve të lavdishme të foltores, në radhët e grupimit të saj nuk është shtuar as një ligjvënës i ri. Beteja e fundit politike, ajo për zgjedhjen e presidentit tregoi se grupi parlamentar i PD-së është i përçarë, deputetët e saj shpesh në shërbim të qeverisë dhe shpesh, thjeshtë apatikë.Zgjedhjet në PD / Berisha fitoi, por nuk bashkoi
A mundet të mbijetojë një opozitë e tillë? A ka kohë ajo të shndërrohet në alternative për zgjedhjet lokale që janë në më pak se brenda një viti? A nxjerr dot ajo në këtë klimë përçarëse një kandidat të besueshëm, ta zëmë, për Tiranën? A i dërgon ajo dot sinjale pjesëve të tjera të shoqërisë, kur nuk ka ditur të gjejë fjalën mes vetes? A mund të pengojë ajo, le të themi, skenarë si ai që Rama organizoi me opozitën fallco, duke marrë avantazhe elektorale për vete? Sali Berisha nuk ka përgjigje për asnjë nga këto dilema. Natyrisht jo vetëm për faj të tij. Ai ka përballë një pushtet që korrupton dhe një makineri diplomatike që shantazhon. Pavarësisht nga rethanat, në politikë i rëndësishëm është rezultati. Dhe sot askush nuk vë dot bast se Sali Berisha është njeriu i duhur për të drejtuar opozitën në këtë periudhë të amullt. Mbreti i së shkuarës nuk jep asnjë garanci se mund të bëjë edhe princin e së ardhmes. Prandaj sa do i paparë dhe spektakolar të jetë kulmimi i rrugës së tij deri në këtë 22 maj, ai ka më tepër aromën e një revanshi personal. Një gjë është e sigurtë: Berisha për vete triumfoi, por askush ende nuk di të thotë nëse kjo do të jetë edhe fitorja e atyre që e ndoqën, besuan dhe mbështetën. ©Lapsi.al