Skandali i patronazhistëve në raportin e Freedom House, liria e medias në rrezik
Edhe në mes të prillit, dokumenti më kritik i Departamentit amerikan të shtetit që është publikuar ndonjëherë, e renditi mes mangësive të garës elektorale çështjen e patronazhistëve. Në të njëtën linjë ishte edhe raporti i Amnesty International (lexo ketu) i cili kujtonte se për të mbrojtur gazetarët që publikuan këtë skandal, u desh një ndërhyrje in extremis e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Ndonëse të gjitha këto raporte të publikuara njëri pas tjetrit nuk sjellin ndonjë risi, ato konfirmojnë një ide që tashmë ka zënë vend, atë se vitin e shkuar u bë një manipulim i madh për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve. Duke qenë në të njëtën linjë edhe me mediat më të mëdha të planetit, që e pasqyruan gjerësisht këtë skenar oruellian, ky shqetësim ndërkombëtar ngre një pikpyetje: A do të zbardhet ndonjëherë ky krim në Shqipëri? Ortek shkrimesh në shtypin europian për skandalin e patronazhistëve Që në gjenezë, ne të Lapsi.al, kemi qenë të bindur se si në shumë raste të tjera edhe drejtësia e re do ta varrosë atë. Që kur prokurorja e çështjes, Enkeleda Millonai dhe shefi i saj Arben Kraja, firmosën për sekuestrimin e zyrave dhe serverave tanë, nuk kishte më dyshim për rrugën që do të ndiqej. Këtë e konfirmoi më pas edhe një kamikaze e Gjykatës së posaçme, Iliriana Olldashi, që në fshehtësi, një ditë të dielë, pa praninë tonë, pra të palës së prekur, mori vendimin për sekuestrim të burimit të informacionit. U desh ndërhyrja e Strasburgut që ky skenar i denjë për një shtet diktatorial të pezullohej. E rrallë /Gjykata e Strasburgut mbron Lapsi.al. SPAK nuk ka të drejtë ta sekuestrojë Por, vendimi i Gjykatës Europiane, ndonëse na mbrojti ne gazetarët, nuk shërbeu si shembull për drejtësinë e “reformuar” shqiptare, se duhet të hetonte ata që kishin kryer krimin dhe jo ata që e zbuluan atë. Gjatë gjithë kësaj kohe SPAK u soll si një levë e partisë, që nuk i shërbente interesit publik për të gjurmuar vjedhësit e të dhënave, por atij të PS, që kërkonte me ngulm tradhëtarin që e kishte dekonspiruar sekretin. As edhe një herë të vetme, “heronjtë e fëmijëve tanë”, nuk guxuan të sekuestronin serverat e PS-apo të AKSH, të merrnin në pyetje hierarkët socialistë apo të investigonin patronazhistët që ishin shfaqur me emër dhe me mbiemër. Ashtu si me dosjet e tjera të vjedhjeve elektorale ata “nuk gjetën dot” gjurmë krimi dhe e transferuan këtë çështje në Prokurorinë e Tiranës, menjëherë pas zgjedhjeve. Natyrisht, askush nuk priste më shumë nga një çetë, që ndonëse financohet me para euro- amerikane, prokurorët e saj i filtron me kritere partiake. Edhe njëherë akoma, Prokuroria e Posaçme tregoi se është KAPS për të hetuar krimet e “të paprekshmëve”, që janë edhe arsyeja reale e qenies së saj. Dhe në këtë kuptim, as raportet denoncuese ndërkombëtare, që publikohen njëri pas tjetrit, nuk mund të japin ndonjë ndihmë. Ato vetëm shërbejnë për të na kujtuar se sa të kapur kanë lindur SPAK dhe drejtësia e re. ©Lapsi.al