Në takimin e sotëm me ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes të Ukrainës, Dmytro Kuleba dhe Oleksii Reznikov në Varshavë, Joe Biden tha se presidenti rus Vladimir Putin ka ngelur i shtangur sepse ka kuptuar se nuk mund të përçajë dot aleatët e NATO-s në reagimin e tyre ndaj pushtimit rus në Ukrainë.
"Unë jam i sigurt se Putin po mendonte të ndante NATO-n, duke ndarë krahun lindor nga perëndimi, për të qenë në gjendje të ndante kombet bazuar në historitë e kaluara," tha Biden. Presidenti amerikan tha se Putin nuk ia ka dalë dhe nuk do ia dalë as në të ardhmen.
Gjatë fjalës së tij për mediet e huaja, Biden theksoi se historia ka treguar rëndësinë që luan fakti që SHBA të mos qëndrojnë mënjanë gjatë konflikteve në Europë.
“Ne kemi mësuar nga përvoja e trishtuar në dy luftëra botërore, kur kemi qëndruar jashtë dhe nuk kemi qenë të përfshirë në stabilitetin në Europë. Kujtimet e atyre ditëve i përndjekin Shtetet e Bashkuara", shtoi Biden. ©Lapsi.al