Sulmi i ushtrisë ruse mbi teatrin e Mariupol rezultoi me vetëm 1 të plagosur rëndë dhe asnjë të vdekur. Këtë e bënë të ditur autoritetet lokale të Ukrainës.
Më herët u raportua se 130 persona ishin nxjerrë të gjallë nga struktura e bombarduar nga Moska, pavarësisht se fjalët "fëmijë" të shkruara në oborr në gjuhën ruse dukeshin qartë nga lart.
Sipas Lyudmyla Denisova, komisionerja ukrainase për të drejtat e njeriut, 1300 njerëz janë ende të mbyllur në bunkerin kundërajror në bodrumin e teatrit. Më pas “Human Rights Watch” foli vetëm për 500 civilë, të cilët forcat lokale po përpiqen t'i nxjerrin jashtë duke pastruar zonën nga rrënojat.
Deklaratat kanë nxitur një valë mosbesimi edhe për mungesën totale të imazheve të të mbijetuarve që janë nxjerrë nga rrënojat e teatrit. Nuk ka as video apo foto të 130 personave që autoritetet ukrainase pretendojnë se u shpëtuan pas bombardimit.
Pas këtyre mosbesimeve, Human Rights Ëatch u detyrua të saktësojë se "nuk kishte qenë në gjendje të kontaktonte në telefon me askënd në Mariupol më 16 mars për të përcaktuar nëse civilët ishin larguar nga teatri para sulmit, por kishte folur sipas dëshmive të mbledhura më herët se aty strehoheshin midis 500 dhe 800 civilë”.
Në këtë pikë nuk është e qartë nëse ata ishin apo jo të pranishëm në bunker, dhe sa ishin kur mbi teatër ranë bombat. Ajo që deri tani duket e sigurt është se nuk ka pasur viktima.
Edhe pse fatmirësisht, një masakër e frikshme ndaj civilëve nuk ka ndodhur, ky sulm ndaj teatrit është kthyer në një nga simbolet e propagandës të të dyja vendeve. Ukraina kërkon të sensibilizojë opinionin ndërkombëtar ndërsa Moska thotë se ky është një “operacion special” për të shpëtuar popullsinë e Donbasit.
Menjëherë pas sulmit, Ukraina akuzoi Rusinë për një masakër të paprecedentë ndaj civilëve. Nga ana tjetër, Rusia u përgjigj menjëherë duke mohuar akuzat se kishte goditur teatrin dhe duke akuzuar ushtarët e batalionit Azov, pjesë e të cilit janë ultranacionalistë ukrainas. Moska tha se ky ishte një "provokim i ri i përgjakshëm, duke hedhur në erë ndërtesën e teatrit të minuar prej tyre".
Edhe vetë Human Rights Watch e bëri të qartë se nuk mund të përjashtojë mundësinë që në teatër ose pranë tij të ketë pasur një objektiv ushtarak. ©LAPSI.al