Goditja e fundit / Bashën e braktisin të gjithë nënkryetarët
Po atëherë, nëse Basha bie, nëse Berisha nuk zë vendin e tij, si do të drejtohet PD - mund të pyesë dikush? Një përgjigje simpliste të kësaj dileme e dha fitorja e 6 marsit në Shkodër, ku triumfoi grupi që organizoi primare dhe ku komisioni i rithemelimit nuk kishte kryetar “de facto”. Ky duhet të jetë edhe modeli i PD-së së nesërme, madje për një kohë të gjatë. Një parti e udhëhequr në mënyrë kolegjale, preokupimi i së cilës të jetë demokratizimi dhe jo riliderizimi. Ajo duhet të jetë e hapur duke ftuar së pari të gjithë të përjashtuarit dhe duke lënë në ajër mirazhin se ka plot vende të lira edhe për prurje të reja. Bagazhi i mërzisë, zhgënjimit, tradhëtisë që ka ngjallur rilindja, nuk ka pse të mos derdhet një në një opozitë të ribashkuar dhe të ripërtrirë. Ky proces mund të zgjasi edhe mbi dy vjet sepse deri në fund të këtij mandati, PD nuk ka nevojë, as për një lider të fortë, as për një figurë simbol, asaj i volit më tepër uniteti. Nuk do të ishte aspak mëkat që lideri i ardhshëm të mund të zgjidhej në prag të zgjedhjeve të përgjithshme. Pra, ndonëse jam shumë skeptik se kjo parti është e aftë të marrë këtë rrugë, ku gjithsecili duhet të sakrifikojë shumë nga vetja, nuk shoh një zgjidhje tjetër për shpëtimin e saj, përpos kësaj axhende me katër pika. 1)Basha të largohet sa më parë. 2) Në themel të ribashkimit të jetë një rezolutë për dënimin e shpalljes “non grata”, që denoncon manovrat e regjimit dhe garanton shumicën berishiste. 3) Berisha të heqë dorë nga ambicia për të kapur karrigen e kryetarit, menjëherë sapo ajo të mbetet e lirë. 4) PD-ja të udhëhiqet për një kohë të gjatë, në mënyrë kolegjale si e vetmja mënyrë që mund ti lejojë zgjerimin dhe ribashkimin. Pasi, përndryshe, nëse fiton mendësia e revanshit të njërit grup mbi tjetrin, kjo parti do të shkojë drejt vetëasgjesimit të sigurtë. ©Lapsi.al