Psherëtima e lehtësimit në momentin e shortit ishte evidente, mund të kishte shkuar më keq për Juventusin në 1/8 e Champions League, por kjo nuk do të thotë aspak se mund të nënvlerësohet Villarreal i Unai Emery. Nëndetësja e Verdhë është rikthyer në mesin e 16 më të mirëve në Evropë 13 vjet pas herës së fundit dhe këtë e bëjnë pasi eliminuan Atalantën e Gasperinit në grupe. Villarreal është një ekip shumë i shpejtë dhe teknik dhe me kualitetin e shtuar të Lo Celsos në merkaton e dimrit arrin të krijojë hapësirat për të shfrytëzuar thellësinë. Në Estadio de la Ceramica, ku disa skuadra italiane tashmë janë dorëzuar në të kaluarën, Juventusi duhet të jetë shumë i kujdesshëm.
Qëllimisht Unai Emery e rreshton Villarrealin e tij me një 4-4-2 shumë më sulmues sesa mund të mendohet, të paktën për sjelljen në fushë. Skuadrës spanjolle i pëlqen të zotërojë topin dhe të imponojë një lojë sulmuese, por ndryshe nga shumica e formacioneve iberike, qarkullimi teknik në mesin e fushës finalizohet me vertikalizimin në hapësira të krijuara nga lëvizshmëria e sulmuesve që cajnë mbrojtjet kundërshtare.
Të shumta pasimet filtruese dhe depërtimet e mesfushorëve, por Villarreali ka treguar se di të jetë i rrezikshëm edhe nga topat inaktiv, sidomos nga goditjet e këndit falë cilësive të Parejos. Duhet patur kujdes edhe kontributit sulmues i mbrojtësve: nëse Albiol dhe Pau Torres me fizikun e tyre janë të rrezikshëm në zonën kundërshtare, lehtësia me të cilën mbrojtësi i majtë Pedraza jep asiste bëhet një armë që Emery e përdor shpesh.
Pika e dobët e tyre është faza e mbrojtjes. Me një lojë të çekuilibruar përpara, pas Albiol dhe Pau Torres shpesh hapen hapësira në të cilat Villarreal goditet në kundërsulm. Shpejtësia e Moratas, Cuadrados dhe Vlahovic në këtë kuptim mund të jetë vendimtare në rinisjet e Juventusit të Allegrit. Skuadra bardhezi gjithashtu duhet të përpiqet të bëjë presing të fortë në gjysëmfushën kundërshtare, sepse në daljet nga poshtë Villarreal shpesh kryen disa gabime banale.