Flash

Rritja e çmimeve në kafe e restorante vijoi dhe në gusht

Lapsi.al 9 September 2021
Rritja e çmimeve në kafe e restorante vijoi dhe në gusht

Të ulesh në kafe apo të drekosh në një restorant tashmë kushton më shtrenjtë.

INSTAT bëri të ditur se indeksi i Çmimeve të konsumit, kafe – restorante (catering), në gusht ishte 101.3, ose rreth 1.3% më e lartë se në dhjetor 2020, që shërben dhe si referencë e këtij indeksi (dhjetor 2020=100). Ky është niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë që kur raportohet kjo e dhënë nga INSTAT. Rritja ka filluar që në muajt e parë të vitit, por është përshpejtuar më tej gjatë verës.

Në shumë bare çmimi i kafesë është rritur me 10 lekë, duke variuar në 90 apo 100 lekë, ndërsa ende ka bare që e kanë ruajtur çmimin në 80 lekë.

Operatorët e tregut pohojnë se një nga arsyet lidhet me shtrenjtimin e kafesë në tregjet ndërkombëtare. Kontratat e të ardhmes për kafenë robusta, e cila përdoret shpesh për të bërë ekspres, në fund të gushtit arritën deri në 2,024 dollarë për ton, niveli i tyre më i lartë në katër vitet e fundit. Analistët citojnë si shkaqet kryesore motin e keq në Brazil, si dhe kufizimet e Covid-19 në Vietnam. Brazili, që është prodhuesi më i madh i kafesë në botë u godit nga një thatësirë ​​e keqe këtë vit dhe u pasua nga ngrica, e cila ka dëmtuar seriozisht bimën e kafesë në vend, sipas CNN.

Biznesi i bareve dhe restoranteve ishte ndër më të goditurit nga karantina dhe pandemia dhe ende vijon të vuajë pasojat e saj. Të dhënat të tjera të INSTAT për indeksin e vlerës së bareve e restoranteve tregojnë se në tremujorin e parë 2021, konsumi në bare e restorante ishte rreth 6% më i ulët se në të njëjtën periudhë të një viti më parë (kur sapo kishte filluar pandemia e Covid-19) dhe 10% më pak se në janar-mars 2019, kur gjithçka ishte në normalitet dhe biznesi i bareve e restoranteve shënoi vitin më të mirë historik.

“Sektori ende nuk e ka marrë veten nga pandemia dhe nuk besoj se do të arrijë të rikuperohet para vitit 2022. Për të arritur nivelin e vitit 2019 duhet të presim pranverën e vitit 2023. Hapja e kufijve dhe largimi i shqiptarëve jashtë për pushimet e verës (pothuajse kishin dy vjet pa lëvizur) ishte një tjetër faktor që ndikoi në mosarritjen e nivelit të frekuentimit si para krizës”.

Përfaqësuesi i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve thotë se pavarësisht se ka pasur rritje të frekuentimit të bareve dhe restoranteve, sidomos në muajt e verës, shpenzimet e një familje në restorant kanë qenë të ulëta. Sipas tij, pandemia ndikoi edhe për të vendosur një rregull të ri tek konsumatori, pasi ata u mësuan të porosisin nga shtëpia dhe bizneset në Shqipëri nuk ishin gati për paketime.

Kafeja është një ndër argëtimet më të preferuara të shqiptarëve. Sipas të dhënave të INSTAT, në fund të vitit 2019, në Shqipëri kishte rreth 16 mijë barë e restoranteve (4 mijë restorante dhe 12 mijë bare), të cilat përbëjnë rreth 15.4% të subjekteve private në Shqipëri.

Në total, në bare dhe restorante janë të punësuar rreth 45 mijë persona në 2019-n, sipas INSTAT, gati 10% e totalit të të punësuarve në sektorin privat jo bujqësor.

Të ardhurat e bareve e restoranteve, apo shpenzimet e shqiptarëve, arritën një nivel rekord në 2019-n prej 51.8 miliardë lekësh, ose rreth 420 milionë euro, ose 150 euro/frymë. Sipas INSTAT, në krahasim me 5 apo 6 vjet më parë, shpenzimet për kafene e restorante janë dyfishuar./ Monitor

Të këshilluara

Zjarr në Zvërnec të Vlorës

Në Zvërnec të Vlorës ka rënë zjarr pasditen e së mërkurës. Mësohet se shkak për vatrën e zjarrit mund të jetë bërë ndonjë shkëndijë elektrike nga një kabinë në ...

12:56

ide

Keqkuptimi kryeministror mbi anti-korrupsionin

Fakti që asnjë institucion i administratës sonë publike nuk vuri re se u investuan miliona euro në inceneratorë fantazëm, se AKSHI kontrollohej nga një kriminel ordiner, se drejtorët e Bashkisë së Tiranës ia jepnin tenderat vetes, apo se drejtori i policisë dhe drejtoresha e SHISH punonin për Gysin, tregon se nuk kemi administratë publike dhe shtet

09:35 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

19°c

KËMBIMI EURO

91.68

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI