Çmimi i miellit u rrit me 15 për qind brenda një jave në tregun vendas, duke reflektuar zhvillimet në tregun ndërkombëtar dhe sidomos të korrat e dobëta në hemisferën veriore të globit. Pikat e shitjes me pakicë i shitën dje 100 kilogram miell kundrejt 5,500 lekëve nga 5,000 lekë që ishte çmimi para një javë. Tregtuesit e shumicës pohuan se rritja po vjen për shkak se furnizimet e reja nga importi po bëhen me çmime më të larta.
Megjithëse prodhuesit e mëdhenj i kanë shtuar sipërfaqet e mbjella këtë vit, ndryshimet klimaterike me përmbytje e thatësira i kanë dështuar korrjet në disa plantacione. Rritja e çmimit të grurit, një produkt bazë në konsumin global pritet të sjellë një rritje zinxhir të çmimeve në produktet dhe nënproduktet e brumit. Njësitë e shitjes me pakicë pohojnë se është rritur çmimi i makaronave, teksa lajmërojnë ndryshim edhe të çmimit të bukës.
Gjatë pandemisë rezervat e grurit ranë dukshëm për shkak të shitjeve rekord në muajt e parë të karantinës në fillim të vitit 2020, por situata u kthye në normalitet me hapjen e ekonomisë. Meqenëse gruri është një mall i tregtueshëm, niveli i çmimeve të tij është i lidhur ngushtë me dinamikën e tregjeve ndërkombëtare dhe nga faktorë të tillë si ndryshimet klimatike, rendimentet e prodhimit, çmimet e naftës, etj.
Të ardhurat e kompanive që tregtojnë miell kërcënohen si nga çmimet më të larta të grurit ashtu edhe nga presioni publik për çmime më të ulëta të bukës./Monitor