Falenderimet nga SHBA/ Rama bëhet më afgan se afganët në mediat e huaja
Për të kuptuar se sa hipokrite është kjo kryqëzatë mediatike mjafton të përmendim vetëm dy shembuj, kur i njëjti protagonist është sjellë në mënyra krejt të ndryshme. Atëherë kur vendosi që në kulmin e pandemisë të çonte mjekë dhe infermirë në Itali, madje shpenzoi edhe veshjet sterile që mungonin krejtësisht në spitalet tona, vetëm për të kryer xhirimet propagandistike me ta në aeroport, Rama e mbyti shtypin me intervista për vendin e vogël solidar që nuk e harron fqinjin e saj, ndryshe nga Franca dhe Gjermania që e kanë braktisur atë. Madje ai urdhëroi një lakeun e vet mediatik të botonte edhe sondazhe italiane që e nxirnin Raman liderin më të pëlqyer në glob, më shumë se Merkelin, Putinin, apo Makronin. Por, krejt ndryshe u soll ai me nje ngjarje që mund të kishte një impakt të vërtetë në shtypin ndërkombëtar, për faktin se ishte hera e parë që Shqipëria e vogël i thoshte jo një halli të Amerikës. Pasi protestat e forta kundër demontimit tek ne të armëve kimike të Bashar Al Asadit e detyruan kryeministrin e zgjedhur rishtaz të tërhiqte premtimin që i kishte dhënë Uashingtonit, ai u mjaftua vetëm me një fjalim drejtuar popullit ‘se nuk kish pasur kurrë ndërmend ta tradhëtonte”. Për këtë ngjarje që mund etiketohet si një ushtrim brilant i demokracisë, që mund të kishte joshjen mediatike të kundërshtimit të SHBA, pra që mund të bënte lehtësisht lajm, nuk gjendet asnjë intervistë e Ramës në mediat botërore. Konkluzioni është i qartë. Ai nuk nis kryqëzata mediatike për të mbrojtur parime dhe vlera, ai i ka ato për kalkulime të ulëta politike. Edhe këtë radhë, fabula e njeriut që i del në krah SHBA-së, imazhi i liderit pro amerikan, i vyen Ramës për të mbuluar shumë nga njollat e qeverisjes së tij kleptokratike. Prandaj ai po pompon atë. Por këtë po e bën në mënyrë aq të shumtuar dhe talebaneske sa është vënë në rolin e atyre sharlatanëve që shkojnë e bëjnë bamirësi me një pako në duar dhe me dhjetë kamera pas shpine. Ai po demostron mungesën therrëse të elegancës të dikujt që nuk humbet asnjë rast pa e përmendur nderin. Dhe kjo po bëhet duke përdhosur edhe atë pak imazh të mirë që Shqipëria mund të merrte prej një akti mikpritjeje të vendosur nga lart. ©lapsi.al