Flash

1-vjetori i shembjes së Teatrit/ Vetëvendosje: Rama rrënoi edhe shumë iluzione

Lapsi.al 17 May 2021
1-vjetori i shembjes së Teatrit/ Vetëvendosje: Rama rrënoi edhe

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje për Shqipërinë, Boiken Abazi ka bërë një koment të gjatë në 1-vjetorin e shembjes së godinës së Teatriot Kombëtar. Ai thotë se shembja kriminale nga pushteti vlen të theksohet se është shembur jo vetëm Teatri, por njëkohësisht edhe shumë iluzione.

“Iluzioni i parë që u shemb, përveç Teatrit, ishte iluzioni se Qeveria Rama nuk do shkonte deri në shembjen e këtij objekti të trashëgimisë kulturore në qendër të Tiranës. Teatri jo vetëm që u shemb, por shembja u bë tinëz, në orët e para të mëngjesit. Madje, goditjet e para të fadromës u bënë duke pasur ende aktivistë brenda objektit të Teatrit, dhe duke u rrezikuar edhe jetën. Forca speciale të Policisë së Shtetit, të armatosura deri në dhëmb, hynë në objektin e Teatrit dhe me dhunë nxorrën aktivistët që ishin ende brenda. Dhuna e shfrenuar policore u ushtrua ndaj kujtdo që bënte rezistencë, dhe u pasua me dhjetëra arrestime ndaj qytetarëve” – shkruan Abazi.

“Një vit pas shembjes së Teatrit, u shemb edhe iluzioni se bashkë me Teatrin, Rama shembi pushtetin e tij. Është e qartë se opozita PD dhe LSI nuk mundi dot ta rrëzonte Ramën me votë duke përdorur krimin e kryer te Teatri për mobilizim. As opozita jashtë kontrollit të PD dhe LSI nuk mundi dot që të mobilizonte masivisht njerëzit përmes denoncimit të shembjes së Teatrit Kombëtar” – shprehet Abazi.

“Iluzioni i tretë i shembur bashkë me Teatrin është se shtresa e mesme në Shqipëri mund të sjellë ndryshimin e shkëputur nga kauzat e masave të gjera të popullsisë. Pjesa dërrmuese e aktivistëve që morën pjesë në rezistencën për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar i përkisnin shtresës së mesme, më saktë një fraksioni të vogël të shtresës së brishtë të mesme në Shqipëri.

Niveli i varfërisë gjatë vitit 2020, duke e përllogaritur me më pak se 5.5 dollarë në ditë për person, në Shqipëri mbërriti zyrtarisht në 40% sipas shumë organizatave ndërkombëtare. Niveli jo zyrtar mund të jetë edhe më i lartë. Një pjesë tjetër e konsiderueshme e qytetarëve nuk janë shumë larg kufirit të varfërisë. Nëse kësaj i shton edhe rrënimin e shërbimeve publike si shëndetësia, infrastruktura, arsimi, etj., kuptohet që varfëria është e shtrirë shumë më gjerë në Shqipëri. Në rezistencën për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar nuk morën pjesë njerëz të varfër.

Shumë prej njerëzve të varfër gjatë fushatës zgjedhore nuk e perceptonin aspak si çështje shembjen e Teatrit Kombëtar. Kauza e mbrojtjes së Teatrit Kombëtar nuk u lidh dot me kauzën e pabarazisë dhe varfërisë në Shqipëri. Ajo mbeti kauzë e huaj për shumicën e qytetarëve të Shqipërisë të zhytur në varfëri. Pati një moment kur kauza e Teatrit u lidh me ndihmën për familjet e dëmtuara nga tërmeti. Por kjo ndihmë mbeti në nivel filantropie, dhe nuk i lidhi kauzat drejt një mobilizimi të përbashkët. Aktivistët e përfshirë në mbrojtjen e Teatrit, të gjithë ne bashkë, dështuam ta lidhnim kauzën e Teatrit me masat e gjera të varfëruara në Shqipëri.

Kështu, bashkë me Teatrin, pas një viti, mund të thuhet se pa përfshirë shtresat e varfra të popullit në Shqipëri, pa u përfshirë drejtpërdrejt në kauzat urgjente që prekin (mbi)jetesën e tyre dhe shtypjen brutale të tyre, atëherë potenciali transformues nuk mund të çlirohet në Shqipëri. Bashkë me Teatrin u shemb edhe iluzioni se qyteti mund të mbrohet pa adresuar njëkohësisht mbrojtjen e më të pambrojturve në këtë shoqëri” –e mbyll Abazi.

Të këshilluara

ide

Një antihero i dëshpëruar i Homerit

Kryeministri ka përdorur mitin antik të Odiseut që nuk joshet nga sirenat, për të përçuar mesazhin se ai do të vazhdojë përpara pa pyetur për protestuesit. Por nëse nuk do e kish njohur veprën e Homerit vetëm përmes ekranizimit, do të kish gjetur tek kjo metaforë gjurmët e një autokrati

16:50 Andi Bushati

Fillimi i fundit të pushtetit të Ramës

Fillimi i fundit mund të jetë mu ky moment, kur piqet bindja e rrëzimit të një kryeministri a qeverie a rendi - pra të një lloj bindjeje se gjërat nuk do të kthehen aty ku ishin para se të fillonte protesta

09:47 Veton Surroi

MOTI TIRANA

27°c

KËMBIMI EURO

94.48

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI