“Grataçela…PPP për 30 – 50 vite…” Çfarë u ofroi Niku italianëve në Tiranë
Në këtë këndvështrim edhe përgjimet e fundit italiane na përplasin para syve fabulën që e përshkruan më mirë se çdo gjë tjetër aventurën e rilindjes në pushtet: shkeljen e ligjit për të grabitur dhe pastaj grabitjen e zgjedhjeve për ti shpëtuar ligjit. Por, puna është se rilindasit po lëvizin ç’do gur për të mos u identifikuar më këtë imazh ulëritës për këdo që ka veshtë të dëgjojë. Ata nuk duan të pranojnë se ky tetëvjeçar ka qenë një dështim katastrofal: Se gënjyen me gjithçka që premtuan në 2013, qoftë për papunsinë, qoftë për reduktimin e pabarazisë, qoftë për sjelljen e investimeve të huaja, qoftë me buxhetin për arsimin, qoftë me hapjen e negociatave. Ata refuzojnë të pohojnë se qenë të paaftë të absorbonin 1 miliardshin e donacioneve dhe kredive për rindërtimin, që e shitën si sukses faraonik. Ata nuk janë në gjendje të ndërgjegjësohen se jemi vendi i fundit i rajonit që dhamë ndihmën më të vogël ekonomike për frymë dhe s’qemë në gjendje të ofrojmë kurrë paketën e tretë, për ata që u rrënuan ekonomikisht nga efektet e pandemisë. I gjithë ky bilanc asgjesues, i ndërthurur edhe me skandale kriminale apo financiare, është i pa përballueshëm në një debat publik normal, ku duhet të diskutohen në mënyrë racionale të arriturat dhe mosrealizimet e forcës politike që ka qeverisur vendin. Pikërisht për ti shpëtuar kësaj përballjeje socialistët kanë shpikur në prag të kësaj fushate një truk të ri: përmbytjen e opinionin me sondazhe të reme. Në këtë kuptim, testimet e opinionit nga “kompanitë e mëdha”, që kanë mbirë si kërpudhat pas shiut në të gjitha TV Shqiptare, janë një kopje e keqe e taktikës që Rama përdori në 2017, për të bërë fushatë me dajre dhe çitjane. Qëllimi i tyre është që të shmangin bilancin real, për tu marrë me mirazhin e diçkaje që nuk ekziston. Synimi i tyre është që ti pengojnë qytetarët të gjykojnë për atë që kanë ndjerë mbi kuriz, për atë që kanë parë me sy, duke i bërë të joshen nga të qenit pjesë e një shumice inekzistente që ekziston vetëm në propagandën rilindase. Se si po ndodh kjo në praktikë është e lehtë të tregohet. Disa TV janë treguar të gatshme të publikojnë sondazhe që i vijnë direkt e nga zyra e shtypit e kryeministrit. Disa të tjerë, me më shumë skrupuj, e fshehin goditjet ndaj pushtetit përmes manipulimit të numrit të të pavendosurve dhe të atyre që refuzojnë të përgjigjen. Ndonjë i tretë pranon dhe ta anullojë fare rezultatin që ka paralajmëruar prej kohësh. Po ti shtosh këtyre truqeve edhe dilemen mbi vërtetësinë e sondazheve në një mjedis aspak demokratik, ku njerëzit e paguajnë me vendin e punës bindjen e tyre politike apo kritikën ndaj qeverisë, është e lehtë të kuptohet çorba që po gatuhet. Por, në këtë pikë rilindasve aq i bën. Ata po i shohin sondazhet si të vetmen mundësi për të mbuluar me një mjegullnajë imagjinare realitetin e trishtë me të cilin njerëzit po përballen përditë. Ata duan të ngulin në kokën e gjithkujt, jo vetëm të atyre që i kanë ndjerë mbi shpinë mëkatet dhe gjëmat e pushtetit, por edhe të të tjetëve që i kanë parë me zë dhe më figurë skandalet e tij, se ata gabohen pasi në këtë vend janë pakicë. Plasin memet: S’trembet Veliaj ia përlan 20 %-shin dhe Ndraghetës Pikërisht, si rezultat i kësaj strategjie, ne do të gjendemi deri në 25 prill në një situatë paradoksale, ku sa më keq të shkojnë punët e qeverisjes, aq më lart do na shfaqen kuotat e Ramës në ekranet televizive. Qëllimi është i thjeshtë, që askush të mos reflektojë me mendje të ftohtë për atë që dëgjon në përgjime, por të ushqehet me realitetin virtual që fabrikojnë milionat e personazheve që i kemi dëgjuar të ndajnë paratë me Habilajt, Avdylajt apo Nraghetën. ©Lapsi.al