Në fillim të seancës së 22 Tetorit, Gramoz Ruçi u shfaq veçanërisht i pikëlluar në parlament. Pasi i hodhi sallës vështrimin e vrenjtur si zakonisht, nisi të flasë me një zë solemn: "Sot në seancën plenare kemi në rendin e ditës votimin e Rezolutës “Për miratimin e përkufizimit të përdorshëm për antisemitizmin, përcaktuar nga Aleanca Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit”. Rezoluta jone u bashkohet ndjeshmërive e përpjekjeve të përbotshme kundër urrejtjes ndaj individëve hebrenj dhe johebrenj, komuniteteve, pronave dhe institucioneve komunitare e fetare të hebrenjve”.

Dënimi i Holokaustit më shumë se 70 vite më parë, ishte gati gati një moment krenarie për Gramoz Ruçin. "Gjatë Luftës kemi ndarë me hebrenjtë të njëjtin atdhe” tha ai mes të tjerash, në mesazhin që u mbyll me ftesën për deputetët, të cilët do të votonin pro rezolutës.
Rezoluta që dënon genocidin serb ndaj shqiptarëve
Një rezolutë tjetër, ka sjellë në Tiranë Presidenten në detyrë dhe Kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmanin. Ajo kërkon nga parlamenti shqiptar të dënojë genocidin serb ndaj shqiptarëve të Kosovës, përmes një rezolute të ngjashme si ajo për hebrenjtë.
Rezoluta për të cilën Osmani erdhi në Tiranë këtë të mërkurë kërkon edhe ndëshkimin e kriminelëve serbë me shpresën se do të ngrihet një Tribunal, që do të gjykojë këto krime. Kuvendi i Kosovës e ka miratuar rreth 18 muaj më parë. Që atëherë, Edi Ramës i është bërë thirrje vazhdimisht t’i bashkohet nismës, por socialistët nuk bëjnë asnjë lëvizje.

Kërkesën e saj, Vjosa Osmani e artikuloi publikisht, ndërsa ishte në konferencë me presidentin Meta. “Kuvendi i Shqipërisë të miratojë deklaratën ose rezolutën ose vendimin, sido që quhet me rregullat e kuvendit që do të dënonte gjenocidin serb në Kosovë. Kuvendi ynë tashmë e ka miratuar këtë deklaratë ku flitet për krimet e kryera nga Serbia dhe ku kërkohet që kryesit të dalin para drejtësisë dhe është krejtësisht e natyrshme që vendi i dytë që ta bëjë këtë të jetë Shqipëria” tha Osmani.

Më herët, Vjosa Osmani dhe nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci, ia kishin shprehur të njëjtën kërkesë Mimi Kodhelit si përfaqësuese e Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Shqipërisë. Por nga pala e Shqipërisë, mbizotëroi heshtja.

Një muaj më parë, Albin Kurti tregonte i habitur se nuk arrinte ta kuptonte përse Rama nuk bashkohej me politikën e Kosovës, kundër presidentit serb Vuçiç duke miratuar rezolutën në fjalë.
“Dallimi thelbësor është qëndrimet e ndryshme që i kam unë dhe kryeministri i Shqipërisë, për presidentin e Serbisë. Ai po përpiqet që krimet e Serbisë t’i lokalizoj në figurën e Millosheviqit, kjo është e padrejtë ndaj Kosovës dhe kombit shqiptar. Andaj kryeministrit të Shqipërisë por edhe Kuvendit të Shqipërisë i bëj thirrje që, ashtu siç e ka miratuar Kuvendi i Republikës së Kosovës, rezolutën e gjenocidit të Serbisë në Kosovë, ta bëjë edhe Kuvendi i Republikës së Shqipërisë”, shprehej Kurti, kur fliste për kontradiktat me Ramën.

Kryeministri i Shqipërisë u pyet gjatë një interviste në OraNeës me gazetarin Alfred Lela, nëse do ta miratonte rezolutën që dënon genocidin serb në Kosovë, por ai as e mohoi, as e pohoi këtë gjë, duke iu shmangur një përgjigjeje shteruese. Më poshtë është një pjesë nga biseda.
Lela: Vetëvendosja e ka kërkuar publikisht një rezolutë për genocidin serb në Kosovë.
Rama: Nuk është një problem ky, ajo që është diskutuar, në mos gabohem, ka qenë diçka tjetër që ka pasur të bëjë me marrjen përsipër nga Shqipëria të çuarjes së Serbisë në gjykatë. Dhe faktikisht, kjo është diçka e pamundur dhe nuk ka ndodhur ndonjëherë që një shtet tjetër të marri përsipër të çojë një palë të tretë në një konflikt mes dy shteteve.
Lela: Parlamenti mund të hedhë një hap.
Rama: Jo, jo. Përsa i përket aspektit të rezolutës kjo nuk ka qenë asnjëherë problem, nuk është problem kjo…
Lela: Por, do ta mbështesnit një nismë?
Rama: Nuk është absolutisht problem. Ajo që ka qenë problem ka qenë diskutimi që thashë, kurse kjo s’është problem.
Ideja e ndryshimit të kufijve

Vjosa Osmani erdhi në Tiranë me disa qëndrime, që qartësisht do të bëjnë nervoz Edi Ramën në bisedën që do të kenë bashkë në kryeministri. Një prej çështjeve eshte ideja e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, që aq shumë e joshi Ramën pak vite më parë. Por këtë ide, ajo e quajti "të tmerrshme" dhe një "aventurë të rrezikshme" duke vazhduar se "këto ide, të cilat më shumë se janë absurd dhe destabilizojnë rajonin, thjesht janë një shpërblim me territor për një shtet si Serbia, i cili ka kryer gjenocid”.
MiniShengeni Ballkanik si leverdi për Serbinë

Një tjetër temë në të cilin Osmani nxorri bllof Ramën ishte ajo për MiniShengenin Ballkanik. Dihet që për të promovuar këtë projekt, Rama nuk ka nguruar të sulmojë publikisht kryeministrat e Kosovës Ramush Haradinaj dhe Albin Kurti. Por sipas Osmanit, Kosova aktualisht nuk ka asnjë dokument konkret në lidhje me këtë projekt.
“Ajo ç’ka do të kërkoj megjithatë si ushtruese e detyrës së Presidentes së Republikës dhe si Kryetar e Kuvendit, institucionit më të lartë përfaqësues në vend, është ta kemi dokumentin, sepse ne vetëm flasim dhe nuk kemi asnjë dokument rreth asaj se: Ç’ka është ky MiniShengen? Ç’ka është kjo inisiativë? Ç’ka përmban? Ajo që kemi dëgjuar nga media për MiniShengenin ka qenë në çështje që sipas vlerësimit tonë i shkojnë me leverdi Serbisë, sesa Kosovës dhe Shqipërisë.” u shpreh Osmani.

Presidentja në detyrë dhe Kryetarja e Kuvendit të Kosovës dukej se i kishte të qarta idetë, para se të hyjë në godinën e kryeministrisë në Tiranë. Mbetet me dyshim, nëse do të ndryshojë diçka në qëndrimet e Ramës përkundrejt Beogradit, që shpesh kanë provokuar përplasje apo ndarje të paprecedenta mes tij dhe politikanëve të Kosovës.
Duke ditur këtë, do të quhej sukses për Vjosa Osmanin, nëse do të arrinte të provokonte tek Rama të njëjtën ndjeshmëri ndaj shqiptarëve të vrarë nga serbët në Kosovë, si ai që ka treguar mazhoranca socialiste ndaj hebrenjve të vrarë nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore.©Lapsi.al