Andi Bushati:Vandalët që dhunuan Tiranën, e kanë me ne të gjithë
Kryeministri që mendon se kontrollon gjithçka, sot gjendet përballë një situate që nëse përshkallëzohet, merr fund vetëm me rrëzimin e tij. Lideri i gjithpushtetshëm nuk është shqetësuar nga protestat e mëparshme të opozitës, madje ndaj tyre nuk ka patur asnjë reagim të përgjegjësisë politike. Atë e tmerrojnë shenjat e pakënaqësisë që shndërrohet në revoltë. Fjalimet e tij më të famshme të zbythjeve publike janë ato përballë protestave kundër armëve kimike, atyre që dogjën traun në rrugën e kombit dhe të studentëve dy vjet më parë. Revoltat e këtyre ditëve, janë të katërtat që e detyruan kryeministrin të shfaqë fytyrën e liderit kokëulur dhe të ndjeshëm, me shpresë se do ta hedhë edhe këtë herë. Problemi është që në këtë zemërim urban, Edi Rama nuk ka kujt t'i thotë "hajde flasim", nuk ka se çfarë kurbani tjetër të flijojë, sepse përballë ka shpërthimin e frustrimit kolektiv të një brezi, që është i pashpresë në gjithçka. Rama nuk është shkaktari i vetëm i dëshpërimit të tyre në këto 30 vite tranzicion, por ai është ekzekutori i shpresës për një të ardhme më të mirë. Në tetë vite, rrënimi ekonomik u thellua, përrallat për edukim cilësor dhe të barabartë për të gjithë nuk i beson më askush, hendeku i pabarazisë ka marrë përmasa të frikshme dhe shteti as nuk vë dorë për ta zbutur atë. Të rinjtë që janë sot në rrugë, mishërojnë jo vetëm dëshpërimin për destinin e tyre të paracaktuar, por edhe zhgënjimin e prindërve që po e kalojnë jetën të nënshtruar.