Mëngjesin e 8 dhjetorit të vitit të kaluar, pak minuta pasi njoftoi vrasjen e Klodian Rashës, policia shpërndau për gazetarët një informacion shtesë në grupin e Whatsapp për reporterët. Sipas këtij informacioni zyrtar që u shpërnda menjëherë u tha se nga kqyrja e vendit të ngjarjes dhe zonës përreth “u bë e mundur gjetja e armës së zjarrit që dyshohet se i përkiste shtetasit K.R, i cili nuk iu bind urdhërit të Punonjësit të Policisë për të ndaluar. U sekuestrua në cilësinë e provës materiale armë e zjarrit pistoletë me një krehër me fishekë”.
https://lapsi.al/2020/12/08/e-dhimbshme-babai-i-klodian-rashes-duke-qare-djalin-e-masakroi-policia-per-nje-maske/
Ky detaj ishte në përputhje me versionin e ngjarjes, sipas të cilit polici e qëlloi Klodian Rashën sepse ai ishte i armatosur. Pas shpërndarjes së këtij informacioni disa media nisën të transmetonin të dhëna për kriminalizimin e të shkuarës së 25-vjeçarit Klodian Rasha, duke thënë se ai kishte kishte pasur probleme me drejtësinë.
https://lapsi.al/2020/12/08/policia-pranon-krimin-a-ishte-i-armatosur-25-vjecari-klodian-rasha/
Ky version i shtrembëruar i ngjarjes, që hidhte baltë mbi viktimën, pati për qëllim shfajësimin e policit Nevaldo Hajdëraj dhe ishte qartësisht i dirigjuar nga drejtues të policisë. Sikur të mos kishte qenë për protestat që kërkonin drejtësi për Klodianin, gjasat janë që kjo dinamikë e ngjarjes e mbështetur nga strukturat më të larta të policisë, do t’ia kishte dalë të shndërrohej në versionin zyrtar. Edhe presioni i familjes së Klodian Rashës luajti një rol po aq të rëndësishëm për ta zhbërë këtë skemë manipulimi. Në çdo vizitë në shtëpinë e të ndjerit, familjarët i kërkuan kryeministrit Rama një hetim të drejtë dhe të paanshëm të vrasjes, duke mos ndryshuar qëndrim pavarësisht pensionit që i lidhi qeveria.
https://lapsi.al/2020/12/14/rama-si-berisha-ne-gerdec-blen-gjakun-e-viktimes-faksimilja-e-pageses-per-familjen-rasha/
Pak ditë më parë, është marrë një vendim që zbulon tentativën për ta devijuar hetimin duke ndërhyrë në vendin e ngjarjes. Laboratori kriminalistik ka dalë në përfundimin se pistoleta që gjet disa dhjetëra metra larg vendit ku u vra Klodian Rasha, nuk ka lidhje as me 25-vjeçarin dhe as me policin Nevaldo Hajdëraj.
Në armë nuk u gjet asnjë gjurmë gishtash, që e lidh me dy protagonistët e ngjarjes dhe për këtë arsye, policia ka vendosur të mos e dërgojë atë për ekspertim të detajuar as jashtë Shqipërisë. Pikërisht për këtë, gjetja e armës do të veçohet nga çështja, sepse nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen.
Ky vendim, jo vetëm që i rëndon pozitat e policit vrasës, por është një e dhënë që zbulon përpjekjen për ta kriminalizuar 25-vjeçarin pas vdekjes. Në këtë akt të rëndë u tentua të përdoren edhe mediat me qëllim lehtësimin nga pozitat të policit vrasës.
https://lapsi.al/2020/12/18/rasti-i-klodian-rashes-rama-vlereson-ardi-veliun-ka-bere-nje-pune-te-jashtezakonshme-ne-zbardhjen-e-ngjarjes/
Ky i fundit, gjatë të gjithë kohës i ka qëndruar versionit që Klodian Rasha iu duk sikur ishte i armatosur. “Duke qenë se ai nuk e ndalte vrapin, unë gjatë ndjekjes vura re që ai shtetas diçka nxori nga brezi dhe po e mbante në dorë dhe duke vrapuar më lëshoi kërcënim… MOS U AFRO SE DO TË QËLLOJ. Ai u kthye dhe me dorën me sendin e dyshuar si armë në drejtimin tim. Në atë çast jam rrëzuar përtokë dhe ashtu i shtrirë bëra qitje në drejtim të këmbëve të këtij shtetasi duke pasur frikën se mos më qëllonte. Pastaj jam ngritur në këmbë dhe ai u tremb dhe u nis drejt një kthese dhe në errësirë, eca pak përpara dhe bëra qitjen e dytë pra ende pa u futur shtetasi në kthesë” ka thënë polici kur është marrë në pyetje.
https://lapsi.al/2020/12/09/historia-nga-justifikimi-i-dhunes-policore-deri-te-manipulimi-i-vrasjes-se-klodian-rashes/
Përpjekja për ta manipuluar vendin e ngjarjes dhe për të hedhur një pistoletë është një krim i rëndë, që kërkon një hetim të veçantë. Prokuroria ka thënë se do ta hetojë "mekanizimin e rrethanave të gjetjes së armës”, por deri tani nuk ka asgjë të re në këtë drejtim. Gjasat janë që prokuroria të tërhiqet nga hetimi i policëve që manipuluan vendin e ngjarjes, por ky detaj shërben për të kuptuar se çfarë janë të aftë të bëjnë policët, nëse nuk do të kishte reagim qytetar.©Lapsi.al