Në dalje të Gjykatës së Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pasi iu dha dënimi me 6 muaj burg (që konvertohet në 1 vit shërbim prove), Luan Daci ndali hapin para gazetarëve për të thënë se: “Nuk kam kryer asnjëherë falsifikim në jetën time. Do e apeloj”.

Por gjykata e dha verdiktin. Kur aplikoi si anëtar i Komisionit të Posaçëm të Apelimit, (niveli i dytë i vetingut) Daci nuk i tregoi të gjitha, por fshehu shkarkimin si gjyqtar nga ish-Këshilli i Lartë i Drejtësisë në vitin 1997.
“Duke analizuar provat, gjykata vlerëson se Luan Daci në kërkesën e tij drejtuar Avokatit të Popullit ka paraqitur rrethanë të rreme duke fshehur masën disiplinore të marrë ndaj tij”, argumenoi gjyqtari Sandër Simoni, kur dha vendimin.
Dënimi mund të jetë një nga goditjet më të mëdha për procesin e Vetingut. Një hap fals që mund ta fusë procesin në qerthullin e përsëritjes së dhjetëra seancave, por edhe nëse kjo nuk ndodh, mbetet një njollë në besueshmërinë e procesit.

Kush është Luan Daci
Tepelenasi 64 vjeçar nuk ka një CV të gjatë. Ai thotë se ka mbaruar juridikun kur ishte 38 vjeç. Para se të mbaronte shkollën për juridik në vitin 1994, thotë se ka punuar ndihmës-gjyqtar në Gjykatën e Tiranës.
“Z. Daci ka ushtruar funksionin e ndihmësgjyqtarit pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë nga shtatori i vitit 1993 deri në mars të vitit 1994, ndërsa nga marsi i vitit 1994 deri në dhjetor të vitit 1997, ka ushtruar funksionin e gjyqtarit pranë kësaj gjykate” shkruhet në CV e tij.

Nga viti 2000 deri në vitin 2017 ka deklaruar punën si avokat. Shkarkimi nga KLD nuk figuronte në dokumentat që u dorëzuan për aplikim tek Avokati i Popullit.

36 të shkarkuar me firmën e Luan Dacit
Dënimi u prit me interes nga 38 gjyqtarë dhe prokurorë, të cilët janë vetuar nga trupa e KPA-së ku bënte pjesë ish-gjyqtari. 36 prej tyre janë shkarkuar nga detyra. Sot ai rezultoi të jetë një falsifikator dokumentash. Ish prokurorja Antoneta Sevdari, është një nga ato për të cilën Luan Daci firmosi shkarkimin. Në intervistë për Radar në Abcnews, për Luan Dacin tha se “mjafton të kesh në dorë CV e tij, faktet janë ulëritëse, ai nuk di të shkruajë, CV e tij është një letër bakalli”.

Pasi mori konfirmim nga Gjykata se është vetuar nga një falsifikator dokumentash, Sevdari vazhdon: “Nuk ka rëndësi nëse Daci do të deklarohet apo jo fajtor, tani është e qartë se Daci nuk plotëson kriteret ligjore, por nuk është vetëm Daci, pasi do të zëvendësohej, por procesi i përzgjedhjes është me shumë të meta, e ka thënë Avokati i Popullit. Psh zonja Shutz edhe pse nuk i plotësonte kriteret u përzgjodh”
Lexo edhe: Vettingu/ Shkarkohet përfundimisht kreu i Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja
Përveç Antoneta Sevdarit, Luan Daci ka firmosur edhe për shkarkimin e disa prej emrave që qëndronin në majë të piramidës së sistemit gjyqësor. Bëhet fjalë për ish kreun e Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja apo për anëtarët e tjerë të Kushtetueses, Fatos Lulo dhe Gani Dizdari.
Lexo edhe: Profil/ Xhezair Zaganjori, misteri i djegies së kryegjyqtarit
Luan Daci, që u dënua për falsifikim dokumentash, firmosi edhe për largimin nga detyra të kreut të Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori.
Veç tyre ka firmosur për shkarkimin nga detyra të anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë Besnik Cami, por edhe për gjyqtarin e Durrësit, Ervin Metalla.

Precedenti i Strasburgut
Gjykata e të Drejtave të Njeriut në Strasburg mori sot (1 Dhjetor 2020) një vendim për një çështje që shkon paralel me ankimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të shkarkuar nga vetingu i Luan Dacit.
Një 34 vjeçar në Islandë u dënua me akuzën e shkeljeve të rregullave të qarkullimit pasi u kap duke lëvizur me patentë të parinovuar, si edhe nën efektin e drogës. Disa muaj më vonë, 34-vjeçari e apeloi vendimin, por sërish gjykata e Apelit la në fuqi.
I riu ankohet në Gjykatën Supreme sepse një prej anëtarëve të trupit gjykues ishte zgjedhur në detyrë në mënyrë të paligjshme, rrjedhimisht sipas tij, ky vendim duhej zhbërë. Gjykata e Strasburgut e vlerësoi të drejtë ankesën, duke dhënë një vendim në favor.
"Ishte në interesin tim që në mëngjes që të ndiqja faqen e gjykatës Europiane të të drejtave të njeriut, e shkarkova dhe e lexova" thotë Antoneta Sevdari, sipas të cilës ky vendim prek të njëjtat argumenta që kanë përdorur edhe ish gjykatës dhe ish prokurorë të shkarkuar nga Vetingu dhe që presin përmbysjen nga Strasburgu.
Por sipas juristit Ledio Braho, vendimi që u mor sot në Strasburg dhe që i jep të drejtë 34 vjeçarit nga Islanda e lë në dorë të shtetit vendimin përfundimtar. Sërish për abcneës, Ledio Braho tha se "Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në arsyetim ka thënë se në momentin që Gjykata do të vendoste, që të rishqyrtoheheshin gjithë këto raste do të shkelej parimi i sigurisë juridike, pra kjo do të sillte një kaos në sistemin gjyqësor".©Lapsi.al