Flash

Kosova, me shpejtim drejt Vetëvendosjes

Lapsi.al 29 November 2020
Kosova, me shpejtim drejt Vetëvendosjes

Ajo që ka ndodhur këtë të djelë në Podujevë e kapërcen cakun e një palë zgjedhjeve të parakohshme lokale. Duke mundur së bashku, edhe partinë e Isa Mustafës edhe PDK-në, liderët e së cilës gjenden në Hagë, Albin Kurti dhe kandidati i tij Shpejtim Bulliqi, nuk kanë fituar një komunë. Ata mposhtën tok kastën e vjetër, i dhanë dërrmën në bastionin e tyre sharlatanëve politikë të tipit Agim Veliu, zhvlerësuan me përbuzje manovrat meskine të Isa Mustafës dhe i hoqën tullën e fundit një qeverie që qëndron në detyrë kot së koti, pa mbështetje popullore. 

Në këto zgjedhje lokale, të zhvilluara në një nga zonat që LDK-ja i fitonte tradicionalisht, Vetëvendosja arriti të grumbullojë shumicën absolute (51.6%) duke shmangur madje dhe turin e dytë.

Natyrisht, shpjegimi i kësaj fitoreje, sado spektakolare të ngjajë në dukje, është tepër i thjeshtë në realitet.

Garën Albin Kurti dhe VV e patën tepër të lehtë me rraqet politike që kishin përballë. Ata shkuan drejt kësaj sfide me petkun e një force që u ishte bërë padrejtësi kur i rrëzuan nga pushteti me puç, marsin e shkuar. 

Ata shkuan me aureolën e faktorit të vetëm që sendërzonte votën popullore për ndryshim, të 6 tetorit 2019. Ata shkuan me moralin e atyre që e lënë pa drojë pushtetin duke mos vënë karrigen mbi interesat e Kosovës.

Dhe kë kishin përballë? 

Treshen më të diskredituar të partisë së vjetër të Rugovës, Mustafa- Hoti- Veliu, që tradhëtoi në mënyrën më të pështirë zgjedhësit e saj. Një parti, që ua kërkoi votën të vetëve duke thënë se do përmbyste shtetin e kapur nga Hashim Thaçi, dhe u shndërrua shumë shpejt në patericën e tij. Një parti që në opozitë përbetohej kundër mini Shengenit, e pastaj e firmoste pa kokëçarje në takimin më të padinjitetshëm që i rezervuan në zyrën ovale. Një parti që “besimin” e kërkonte me Vjosa Osmanin dhe, pasi mbaronte zgjedhjet, e përjashtonte atë pa iu skuqur fytyra se pati mashtruar.  

Bashkë me të humburit u rendit edhe PDK-ja, e cila nuk rikuperoi dot aspak nga situata patetike e krijuar pas marrjes së liderëve të saj në Hagë. Kjo parti, që prej vitesh është kacavjerrë pas pushtetit, po paguan edhe çmimin e gjatë të keqeverisjes, por edhe dorën e fshehtë të ish presidentit.

Mbi Partinë Demokratike ende rëndon hija e Hashim Thaçit për rrëzimin e një kabineti të ligjshëm në kulmin e pandemisë, për manovrat okulte që përdori së bashku me ambasadorin Grenell, për qëllime të mbrapshta, për përdorimin e paskrupullt që ai u bëri deri në fund liderve burokratë të LDK-së.

Rezultati qe si një lakmues për të kuptuar atë që ndodh realisht në gjithë vendin.

Vetvendosja fitoi e vetme kundër të tërëve, pasi të gjithë u bënë bashkë për të mbrojtur status quo-në; Për të ndërtuar koalicione, qëllimi i të cilave është vetëm të grabisin shtetin; Për të vënë në punë të njëjtin mekanizëm, që i përzgjedh njerëzit, nga bordet publike deri te kryetari i shtetit, jo në funksion të meritave, por të pazareve.

Në këtë kuptim, zgjedhjet e së dielës në Podujeve ishin një klithmë, se në gjendjen ku ndodhet, Kosova ka nevojë urgjente për ndryshim. Se njerëzit duan shpagim për talljen që iu bë në marsin e kaluar. Se votuesit po kërkojnë të rikthejnë me votë dhe institucionalisht, legjitimitetin që një kastë ua vodhi pabesisht.

Natyrisht, nga pikpamja taktike, ndonëse fitoi me Bulliqin, Vetëvendosjes nuk i leverdis një rikthim i shpejtë në pushtet. Në këtë situatë pandemie, me pasojat afatgjata ekonomike që ajo do të lërë, me sfidat e ardhshme të dialogut me Serbinë, qeverisja është një patate e nxehtë, që askush s’do të donte ta mbante në duar. 

Por, paradoksi është se ajo e ka luajtur aq fort kartën e diskreditimit të kastës së vjetër dhe politikanë të tipit Mustafa, Veliu, Hoti janë përpjekur aq shumë për t'i vërtetuar tezat e saj, sa e kanë pamundësuar çdo alternativë tjetër.

Prandaj, sot, Kosova ka më nevojë të shpejtojë drejt Vetëvendosjes, sesa kjo e fundit të nxitojë drejt pushtetit. 

©Lapsi.al

Të këshilluara

Kush po i përbalt bluzat e bardha?

Në disa nga debatet e mbrëmjes të së hënës që arrita të ndjek, më bëri përshtypje një fenomen që riprodhohej si me regji. Ndërsa përfaqësuesit e opozitës e ...

09:02

Hijet e një Gjykate më shumë se speciale

Tribunali Special i Kosovës me seli në Hagë më 5 nëntor akuzoi Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Bashkë me të u...

15:53

ide

Çfarë e ka shfazuar Edi Ramën

Përtej teorive komplotiste ka një shpjegim të thjeshtë se si ata të rinj që bërtasin rrugëve të Shqipërisë kundër kryeministrit të tyre, u gjendën në të njëjtën anë të barikadës me mediat më të rëndësishme të globit

16:26 Andi Bushati

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

21°c

KËMBIMI EURO

95.24

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI