Socialistët vazhdojnë të përdorin çështjen e Kosovës dhe gjykimin e krerëve të UÇK-së në Hagë për propagandë dhe interesat e tyre elektorale. Ata kanë miratuar sot ngritjen e një komisioni për zbardhjen e akuzave se çlirimtarët e Kosovës kanë bërë krime gjatë luftës ne teritorin e vendit tonë. Pasi Taulant Balla depozitoi në Kuvend kërkesën për ngritjen e një komisioni të posaçëm për hetimin e raportit të Dick Marty-t, 83 deputetë votuan pro (10 kundër dhe 10 abstenim) kësaj kërkese.
Lexo me tej:
Deputeti kërkon rezolutë për dënimin e genocidit serb/ Socialistët e nxjerrin jashtë nga kuvendi
Sipas Ballës, Komisioni do të ngrihet për të verifikuar rolin e institucioneve publike në Shqipëri në kohën e luftës së Kosovës. Balla u shpreh se në Shqipëri apo në Kosovë nuk ka pasur krime lufte, pasi lufta për pavarësi dhe çlirim nuk është krim lufte
"Kjo bëhet për dy arsye. Së pari, avokatët e Thaçit ia kanë kërkuar këtë gjë qeverisë shqiptare për të mbrojtur më mirë klientin e tij dhe së dyti duke menduar për zgjedhjet. Ka mbi dhjetë mijë votues nga Kosova që pritet të vijnë të hedhin votën e tyre në 25 prill", tha një burim nga PS për Lapsi.al.
Por cilado të jenë llogaritë kolaterale të kësaj lëvizjeje, ajo nuk i përgjigjet qëllimit zyrtar për të cilën pretendon se është ndërmarrë. Në disa deklarata publike, nismëtari i saj Taulant Balla ka thënë se qëllimi është pastrimi nga akuzat i luftës çlirimtare dhe gjithashtu pastrimi i shtetit shqiptar në territorin e të cilit përflitet se janë ngritur burgje për tortura në vitin 1999.
Por kjo lëvizje propagandistike është e kotë. Së pari sepse një vit pas publikimit të raportit të Dik Martit, pra në 2012, Parlamenti shqiptar ka votuar në mënyrë konsensuale një ligj që i lejonte EULEX-it të hetonte në Shqipëri. Në këtë kuptim ky komision nuk ka ndonjë vlerë ligjore dhe politike.
Por ai nuk mund të ketë as ndikim në opinionin publik ndërkombëtar, pasi të gjeturat e Euleksit dhe më pas të prokurorëve të Gjykatës speciale tani po gjykohen në Hagë. Pra pak rëndësi ka për imazhin ndërkombëtar nëse rezoluta e këtij parlamenti do të qe shpëlarëse dhe pozitive. Njolla apo zbardhja nga akuzat për krime lufte, për mbarë botën do të sanksionohet kur Gjykata Speciale të vendosë për fajsinë ose jo të strukturës komanduese të UÇK-së.
Nëse Shqipëria do të kishte ngritur një komision parlamentar, për të ndikuar kancelaritë perendimore dhe opinionin botëror, para se të ngrihej një gjykatë speciale, kjo do të kishte një sens. Por tani pas pilafit, kur e vërteta do të zbardhet nga prokurorët që kanë mbledhur fakte në Shqipëri dhe Kosovë dhe verdikti do të jetpet nga gjykatësit e Hagës, ka shumë pak rëndësi se për çfarë do të ngrenë duart, Taulant Balla, Kujtim Gjuzi dhe Selami Jenisheri.
Por ndonëse e di se kjo nuk ka sanjë sens logjik, PS vazhdon me aktet e saj të propagandës, që në fakt janë një tallje me gjoja mbrojtjen e luftës së UÇK-së.
©Lapsi.al