Flash

Çudia në Elbasan/ Gati ndërtimi i Bashkisë me Kullë

Lapsi.al 25 November 2020
Çudia në Elbasan/ Gati ndërtimi i Bashkisë me Kullë

Në maj të 2019, kur militantët e opozitës qëllonin me molotov kryeministrinë dhe çdo natë dhjetëra prej tyre përfundonin në komisariat, një votimi konsensusal PS-PD u ngjiz në këshillin Bashkiak të Elbasanit. Pa zhurmë dhe pa shamatë, me 34 vota pro dhe asnjë kundër, socialistët dhe demokratët e Këshillit ranë dakort për ngritjen e disa kullave në qendër të qytetit, në shpërfillje të sherrnajës politike të Tiranës, që do të çonte më pas në bojkotin e zgjedhjeve lokale nga opozita.

Kryebashkiaku në ikje, Qazim Sejdini kishte hedhur farën e një projekti që do ta përçudnojë krejtësisht qendrën e Elbasanit me kulla që ngrihen edhe mbi lulishte, në afërsi të godinave muzeale apo institucioneve kryesore të qytetit.

Një prej këtyre kullave do të jetë ngjitur me godinën e bashkisë së qytetit, ndërtuar mbi tokë publike që i falet kompanisë private nga Bashkia e Elbasanit që drejtohet nga Gledian Llatja. Sipas një kontrate që mbahet e fshehtë, Bashkia e Elbasanit ka pranuar të “shkëmbejë” tokën publike të lulishteve pranë saj me punimet e kompanisë së ndërtimit për rikonstruksionin e një pjese të godinës që zgjerohet më tej. Sipas kësaj marrëveshjeje, kompania private ndërton kullën ngjitur me godinën e Bashkisë.

Akuza e PD

Afera ka disa kohë që denoncohet nga zyrtarët e PD-së në Elbasan. Sipas tyre kryebashkiaku Gledian Llatja duhet të përgjigjet se përse po i fal kompanisë ndërtuese 3500 metra katrorë tokë publike nga lulishtja ngjitur me godinën e bashkisë? “Pas teatrit me kullë, pas stadiumit me kullë, vepra e fundit e Rilindasve në ikje është një bashki me kullë. Dilema është kullë me bashki apo bashki me kullë? Janë 3500 m2 të vjedhura sipërfaqe publike për t’i dhënë privatit. Nuk ka ndërtesë nga fillimi. Ka vetëm një restaurim për një sipërfaqe jashtëzakonisht të vogël” tha sekretari i PD, Blendi Himçi në një denoncim publik.

“Në këtë lulishte që ju po shikoni nuk do të luajnë më fëmijët tanë. Ka ndryshime edhe me planin rregullues. Ishte një ndërtesë 15 katëshe që do ndërtohej për të mbuluar funksionet e bashkisë, prefekturës dhe këshillit të qarkut. Por situata ka dal krejt ndryshe. Makutëria e kësaj qeverie dhe pushtetit lokal nuk paska fund. Po vjedhin pjesët e fundit të pronave publike” u shpreh Himçi.

Përgjigjia e Bashkisë

Kryebashkiaku Gledian Llatja nuk ka dalë vetë të përgjigjet për një një çështje me shumë interes publik si kjo e ndërtimeve në qendër të Elbasanit, ku përveç të tjerave falet tokë publike në qendër të qytetit për privatin. Përmes një video-mesazhi në rrjetet sociale, Bashkia u kundërpërgjigj duke akuzuar vetë denoncuesin e PD-së, Blendi Himçi, se jo vetëm ka qenë prezent në mbledhjen e 23 Majit të vitit 2019, por dhe ka votuar pro kontratës për ndërtimin e kullave, për të cilën sot kërkon llogari.

Në këtë video-montazh jepen edhe pamjet, ku shfaqet Himçi dhe proces-verbali, ku ai ka votuar pro vendimit, që parashikonte ngritjen e godinave 10 dhe 14 katëshe . “A e keni njoftuar kryetarin tuaj Lulzim Bashën se këtë kontratë ju e keni miratuar vetë?” thuhet në reagimin e Bashkisë së Elbasanit, që kujton se ngritja e kullave është në përputhje me planin rregullues të miratuar nga K.RR.T.R.SH në kohën kur Sali Berisha ishte kryeministër.

Kontrata sekrete

Por edhe sikur zyrtarët e Partisë Demokratike të degës Elbasan të jenë hipokritë në akuzat e tyre, sërish shumë pyetje mbeten pa përgjigje.

Në arkivën elektronike të faqes së Bashkisë së Elbasanit, vendimi i Këshillit Bashkiak të Majit të vitit 2019 nuk ekziston. Mospublikimi i kontratës me kompaninë e ndërtimit dhe mosdhënia e llogarisë për një çështje me një rëndësi të madhe publike, e implikon direkt kryebashkiakun aktual Gledian Llatja.

Nga sa kuptohet në video-mesazhin e Bashkisë së Elbasanit do të ketë një shkëmbim trualli mes bashkisë dhe kompanisë së ndërtimit. “Për shtesën e godinës dhe për rikonstruksionin e saj, Bashkia e Elbasanit paguan zero lekë” thotë bashkia.

Por çfarë jepet në vend të lekëve?

Mesazhi vazhdon: Bashkia e Elbasanit po i jep privatit 2600 metër katror truall. Falë marrëveshjes së shkëmbimit ky i fundit kthen 5471 metra sipërfaqe godinë dhe 1481 metër katrorë sipërfaqe lulishte. Pjesa tjetër është pronë private.

Pra, ashtu siç thotë opozita, është e vërtetë se kompanisë private që do të ndërtojë kullën pranë bashkisë, po i jepen disa mijëra metra katrorë tokë publike. Skema duket e njëjtë me atë që çoi në shembjen e Teatrit Kombëtar në Tiranë.

Duke mbajtur të fshehtë kontratën, është rënë dakort që privatit t'i falet tokë publike për ndërtimin e kullës, në këmbim një pjese të punimeve falas. Ku është negociuar me kompaninë private? Përse është zgjedhur kjo mënyrë për të bërë rikonstruksionin e Bashkisë? Sa kushton zgjerimi i godinës dhe sa do të përfitojë kompania private?

Pyetje si këto e të tjera, mbeten pa përgjigje sot, por projekti nuk mund të mbahet për shumë kohë i fshehtë. Çështja është që me nisjen e punimeve do të jetë shumë vonë, sepse një nga zonat karakteristike të qytetit, do të ndryshojë krejtësisht nga kullat.

Largimi i Qazim Sejdinit pas 3 mandatesh nga Bashkia e Elbasanit dha idenë se PS po shkëputej nga konjukturat e krimit dhe të korrupsionit, për të cilat ishte akuzuar kryebashkiaku i vjetër. Por megjithëse i ri në moshë, zëvëndësuesi i tij Gledian Llatja nuk gjeti forcë të ndryshojë asgjë. Përkundrazi, nën patronazhin e Taulant Ballës, rioshi Llatja është bërë pjesë e një prej çudirave më të mëdha në Shqipëri: Bashkia me Kullë, një mutacion arkitekturor sa i rrallë, aq edhe i denjë për mentalitetin PPP të të zgjedhurve të Rilindjes.©Lapsi.al

Të këshilluara

ide

Çfarë e ka shfazuar Edi Ramën

Përtej teorive komplotiste ka një shpjegim të thjeshtë se si ata të rinj që bërtasin rrugëve të Shqipërisë kundër kryeministrit të tyre, u gjendën në të njëjtën anë të barikadës me mediat më të rëndësishme të globit

16:26 Andi Bushati

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

25°c

KËMBIMI EURO

95.24

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI