Fshehja e vdekjeve nga Covid 19/ Ja cilat janë provat nga morgu
Nga ky pozicion vinin pastaj me radhë të gjitha etiketimet për përfitimet politike nga fatkeqësia, për lojën makabre me humbjen e jetëve, për mosbesimin tek profesionistët, për aleancë me armikun e padukshëm, etj. Natyrisht, fakti se është qeveria ajo që ka vendosur ta lërë mbi profesionistët e shëndetësisë barrën e manipulimit propagandistik të shifrave, nuk i bën ata të paprekshëm. Në këtë debat, togfjalëshat “heronjtë tanë”, “luftëtarët e frontit të parë të betejës”, nuk prezumojnë automatikisht, se ata janë kriteri i së vërtetës. Në Shqipëri shprehja me guxim e mendimit të pavarur të profesionistëve mbetet një mision i pamundur. E këtu nuk kanë pse bëjnë përjashtim as mjekët. Në një mjedis, ku policët fshehin dokumentat e interpolit për të mbrojtur deputetët që votojnë pro kryeministrit, ku inxhinjerët dhe arkitektët nënshkruajnë ekspertiza se teatri do shembej me tërmetin më të parë, ku arsimtarët e Dibrës i nënshtrohen presionit për shitjen e votës tek ai që i ka dhënë vendin e punës, ku prokurorët nuk hetojnë dot trafikantët dhe gjykatësit lirojnë kriminelët e lidhur me pushtetin, bluzat e bardha e kanë të vështirë të sillen ndryshe. Kush do të bindet e ka tejet flagrant një shembull të disa viteve më parë. A nuk ishin mjekë ata dy ditëzinjtë, që thanë me gojën plot nën presionin e tmerrshëm të pushtetit, se viktimat e 21 janarit ishin vrarë nga afër, pra nga vetë protestuesit, ndonëse më vonë rezultoi krejtësisht e kundërta? A nuk e vunë ata politikën mbi profesionin? A nuk gënjyen harbutshe të thyer nga makineria manipulative e qeverisë? Pra nën trysninë e regjimeve autokratike edhe për ata që kanë bërë betimin e Hipokratit, nuk është e lehtë të sillen me ndershmëri dhe profesionalitet. Pikërisht kjo po ndodh edhe sot me trupën e mjekëve. Ata e kanë pothuajse të pamundur, në kushtet e sakrificës sublime, të mungesës së kapaciteteve njerëzore dhe teknike për të përballur pandeminë, që të kenë edhe ndershmërinë qytetare edhe guximin intelektual edhe fuqinë profesionale për të çmontuar manipulimin e qeverisë. Ndonëse në kartelat mortore ata e shkruajnë si duhet shkakun e humbjes së jetës, ata nuk kanë forcën të ngrenë zërin, kur një i vdekur në brendësi të spitaleve Covid, nuk llogaritet si viktimë e pandemisë.Basha plas bombën: 414 të vdekur nga Covid u mbajtën të fshehtë
Ndonëse janë të informuar me atë që ndodh kudo në botë, ata e pranojnë që në këtë vend të mos ketë një protokoll të qartë zyrtar, se cilat jetë do të quhen si të humbura nga Covid-19. Ndonëse i kanë lexuar rekomandimet e OBSH, ata qëndrojnë gojëkyçur para llogarive manipulative të qeverisë. Pikërisht nga ky kolaboracionizëm përfiton rilindja, për të fshehur shifrat që i duhen për të thënë se nën udhëheqjen e Edi Ramës, “ne jemi edhe më mirë se Italia dhe Gjermania në përballimin e pandemisë”. Pikërisht se ata pranojnë primatin e pushtetit politik mbi të vërtetën shkencore, ne gjendemi në pikën ku deklarojmë diçka më shumë se 500 vdekje, kur nga spitalet ekskluzivisht Covid kanë dalë dyfishi i kufomave. Dhe ngaqë ndodh kështu, zyrtarët e qeverisë marrin guximin, që kur akuzohen se fshehin shifrat e vdekjeve, të futen poshtë përparses së mjekëve. Ashtu siç ndodhi në emisionet e së hënës në mbrëmje, gjatë të cilëve opozita vinte gishtin mbi Ramën, ndërsa mbrojtësit e tij ia kthenin se po përdhoseshin bluzat e bardha. ©Lapsi.al