Çarja e opozitës nëpërmjet ndalimit me ligj të koalicioneve nuk qe pa kosto për Edi Ramën. I mbetur pa asnjë aleat politik, Rama nuk u ndal në ndryshimet kushtetuese me gjithë thyerjen e fortë të besimit tek ndërkombëtarët për prishjen e konsensusit të 5 Qershorit. Madje as shtyrja e Konferencës së Parë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE nuk e ndali zhbërjen e koalicionit të madh PD-LSI & co. Pra prishja e një koalicioni të madh qe domosdoshmëri për të rihapur lojën e 25 Prillit me çdo kosto.
Por a mjafton barriera ligjore e koalicioneve për te fituar 25 Prillin? Në fjalimin që mbajti mes maleve me plehra në vendin e depozitimit në Porto-Romano në Durrës, kryeministri duket se ka kaluar në fazën e dytë: atë që synon të shtojë vlerat e bashkëpunimit me LSI dhe të demotivojë militantët demokratë.
Përtej akuzave politike dhe kunjave të fushatës, ra në sy qasja e dyfishtë e Ramës për aleancat. Herë fliste gati me nostalgji për kohën kur ishte në koalicion me Metën dhe here mohonte se do të kishte “kthim mbrapa”. Herë “ngacmonte” votuesit demokratë për aleancën me LSI dhe herë ngrinte pyetjen se çfarë kërkon sot Ilir Meta.
Për të kujtuar frytet që kishte prodhuar aleanca e dikurshme, Rama tregoi edhe Lefter Kokën në takimin ku foli edhe për inceneratorët. “Nuk është rastësi, nuk është as diçka mekanike, apo pragmatike arsyeja pse unë jam këtu sot dhe po këtu sot është Lefteri, me të cilin kemi punuar bashkarisht për këto projekte kur ishim në aleancë me LSI-në”.
Pa e fshehur tentativën për të joshur, Rama e quajti aleancën me PS si “kohën më të lavdërueshme në karrierën e Ilir Metës”, ndërsa i thoshte se e shoqja nuk ka të drejtë që e quan gabim atë kohë.
“I vetmi gabim që mund të gjejnë, është gabimi që i gjen Monika Ilirit që u bë partner me ne në 2013, ndërkohë që ajo është koha më e lavdërueshme e karrierës së tij dhe ndërkohë pyetja mbetet: Ça do Ilir Meta? Ça do në Durrës Ilir Meta? Për çfarë vjen në Durrës? Çfarë duhet t’i bëjnë durrsakët Ilir Metës akoma? Se shqiptarët asnjë nuk kanë bërë edhe kryeministër 30 vjeç, edhe kryetar parlamenti 40 vjeç, edhe president 50 vjeç.”

Kontradikta në fjalimin e kryesocialistit është se ndërsa rriti vlerat e bashkëpunimit me LSI-në në mandatin e parë, ai e quan një ofertë katastrofike për PD atë që po vjen në këto zgjedhje.
“Nuk është problemi Monika dhe Iliri, problem është si t’i ndihmojmë demokratët, ka votues demokratë siç ka në të gjithë Shqipërinë, që do votojnë PD, por do kenë Monikën bashkë me Ilirin peshqesh. Atyre u duhet shpjeguar, se pse duhet ta refuzojnë këtë ofertë. Sepse kjo është një ofertë katastrofike për të gjithë Shqipërinë, por Shqipëria nuk është e kërcënuar, sepse ata nuk do të fitojnë kurrë, Partia Demokratike po, është shumë e kërcënuar nga kjo ofertë”
Deklaratat provokuese duken gati fëminore, por ato janë në të vërtetë në vazhdën e asaj që duket se është qëllimi kryesor i strategjisë për fushatën e 25 Prillit. Me një mal premtimesh të pambajtura, me pakënaqësinë që ka krijuar menaxhimi i pandemisë, me ekonominë e rënduar nga borxhet dhe koncensionet dhe me skandalet e korrupsionit flagrant, krijimi i një oferte në këmbim të votës për mandatin e tretë, duket gati e pamundur. Pikërisht për shkak të varfërisë së ideve për krijimin e një vizioni të qeverisjes për 4 vitet e ardhshme, shpresa e vetme mbetet se bashkimi mekanik PD-LSI do të shtojë pakënaqësinë mes kampeve kundërshtare dhe do të dekurajojë votuesit e opozitës.©Lapsi.al