Flash

Lajthitje apo kalkulim politik/ Pse në LSI nuk besojnë tek Covid-19

Lapsi.al 2 November 2020
Lajthitje apo kalkulim politik/ Pse në LSI nuk besojnë tek Covid-19

Deri më sot (e hënë 2 Nëntor) në vendin tonë janë zyrtarisht mbi 527 të vdekur nga Covid-19. Ndërsa viktimat shtohen çdo ditë, janë me qindra rastet e reja që konfirmohen me koronavirus. Me rritjen e shifrave, shtohet edhe paniku dhe masat mbrojtëse. Por ndërsa situata shkon drejt rëndimit, kanë bërë habi deklaratat dhe sjellja në publik të kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhit, që ka mbajtur qëndrime dyshues ndaj Covid-19, në kufijtë e mohimit të virusit dhe të masave mbrojtëse që këshillohen nga mjekët.

“Zoti i ndihmoftë shqiptarët. Unë nuk e njoh COVID. Kush beson në Zot, do të jetojë i lumtur pa COVID”, ishte deklarata e Kryemadhit për mediat në dalje të teqes në Malin e Tomorrit gjatë pelegrinazhit në muajin gusht. Shifrat kishin nisur të rriteshin dhe vjeshta do të sillte valën e dytë të koronavirusit në të gjithë botën.

Më herët, Kryemadhi kishte dhënë disa shpjegime ekzotike se pse shqiptarët nuk prekeshin nga koronavirusi. Në maj, kur në Italinë fqinje vdisnin me mijëra njerëz nga Sars-Cov-2, ndërsa në Shqipëri nuk kishte asnjë viktimë, nisën të qarkullojnë edhe teoritë konspirative. E ftuar në emisionin “Open”, kryetarja e LSI-së shpjegoi atëherë, se në Lombardi të Italisë ka viktima, sepse atje hanë më shumë karbohidrate, ndërsa shqiptarët hanë mish, hudhra dhe pinë raki, prandaj kanë imunitet të fortë.

“Është ndryshe të hash karbohidrate si në Lombardi. Është ndryshe si ne shqiptarët që hamë mish, pimë raki e hudhra gjithë ditën” u shpreh kryetarja e LSI-së.

Koha tregoi se deklarata të tilla nuk ishin rastësi. Përkundrazi, i dhanë formë politikave të forcës së tretë politike në vend. Pandemia është rënduar, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën, por Kryemadhi ende sot nuk duket se ka ndryshuar mendim.

Kur u mor vendimi për mbajtjen me detyrim të maskës në rrugë, me bindje të plotë,a jo bëri thirrje të mos mbahej maska, duke u vetëofruar me shembullin personal.

“Unë për vete nuk do e mbaj maskën. Nuk besoj se Rama ka merak shëndetin e shqiptarëve. Se po ta kishte do të anullonte koncesionet në shëndetësi. Sa shqiptarë kanë bërë check-up? Por deri tani kanë kaluar 30 milionë euro te koncesionarët. Kur specialisti del dhe thotë mos e mbani maskën në rrugë, del ky që nxorri anijet luftarake dhe tanket në rrugë për të vrarë virusin… Këto janë qesharake që acarojnë publikun por nganjëherë revolta vjen nga kjo që, këta injorantë, që u kemi dhënë pushtetin, nuk duhet mbajtur maska por duhet të dalë në rrugë. Do t'u bëj thirrje që e ndalon çdo polic, qoftë i Veliajt, qoftë i Ramës, t'i kundërpërgjigjen. Se edhe policët nuk kanë para për maska. A kishin maska policët që morën pjesë në shembjen e teatrit,”- tha Kryemadhi, që pranon se vetë bashkëshorti i saj e kundërshton në këto qëndrime.

"Meta ka frikë shumë nga virusi, se thotë "ç'është kjo që rri pa maskë", unë s'bëhem ekonomiste si Meta, apo juriste si Basha, kam mbaruar për biokimi dhe kjo më jep një siguri përsa i përket imunitetit”, u shpreh gjatë një interviste për Report Tv kryetarja e LSI-së.

Por përtej thirrjve të tilla ra në sy një takim me të rinjtë e LSI pak ditë më parë në Durrës. Monika Kryemadhi sfidoi edhe një herë rregullat e pandemisë, kur e nisi takimin me shtrëngime duarsh dhe e mbylli me puthje dhe përqafime (VIDEO KETU).

Pa mbajtur maskë dhe duke u sjellë sikur virusi të mos ekzistonte, takimi elektoral u mbyll me thirrjet që të grumbulloheshin për të bërë një foto të gjithë bashkë.

Pozicionimet në publik kundër këshillave të mjekëve në kohën e pandëmisë tingëllojnë si lajthitje dhe shpesh janë përdorur nga kryeministri Rama për ta bërë sa më qesharak qëndrimin e LSI në lidhje me pandeminë.

Por në anën tjetër duket e vështirë që Kryemadhi të besojë vërtet se koronavirusi "nuk ekziston", apo se “rakia dhe hudhrat” të mbrojnë nga sëmundja. Në vend të kësaj, gjasat janë që këto të jenë një llogaritje politike për të marrë pas vetes atë pjesë të elektoratit që është lodhur dhe është dëmtuar nga masat e pandemisë. Sepse shumica e njerëzve janë të bombarduar çdo ditë nga një situatë paniku dhe presioni për t’u ruajtur nga virusi dhe për rrjedhojë janë të shumtë ata që pas muajsh frustrimi dhe sakrificash, kërkojnë që e gjitha të marrë fund pavarësisht çmimit.

Me karantinën e ashpër, me masat represive kundër qytetarëve të thjeshtë, me përdorimin e policisë dhe me mesazhet frikësuese të skenarëve apokaliptikë, autoritetet kanë provokuar pashmangshmërisht mllef dhe irritim në një pjesë të madhe të popullsisë. Dhe një pjesë e mirë e këtij mllefi, projektohet sot tek kryeministri Rama, i cili mori mbi vete të gjitha përgjegjësitë e karantinës në muajt e pranverës.

Dhe ndërsa kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zgjedhur të bëjë opozitë duke analizuar dhe atakuar pikat e dobëta të menaxhimit të pandemisë, kryetarja e LSI-së ka zgjedhur sillet në mënyrën më ekstreme, për t'u identifikuar me të gjithë ata që për hir të frustrimit dhe revoltës janë gati t’i çojnë të gjitha në djall. ©Lapsi.al

Të këshilluara

ide

Çfarë e ka shfazuar Edi Ramën

Përtej teorive komplotiste ka një shpjegim të thjeshtë se si ata të rinj që bërtasin rrugëve të Shqipërisë kundër kryeministrit të tyre, u gjendën në të njëjtën anë të barikadës me mediat më të rëndësishme të globit

16:26 Andi Bushati

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

18°c

KËMBIMI EURO

95.24

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI