Flash

Emrat që u dogjën/ A mund të kthehen në farsë zgjedhjet në PD

Lapsi.al 24 October 2020
Emrat që u dogjën/ A mund të kthehen në farsë zgjedhjet

Eleminimi i disa prej emrave të Kryesisë dhe ish grupit parlamentar të PD nga lista e kandidatëve për deputetë ka provokuar polemika brenda selisë blu, që duket se kanë arritur të vënë në pozitë të vështirë kupolën drejtuese të saj. Pas daljes së produktit final duket sikur Komisioni i Vlerësimit të Kandidaturave e mori punën e filtrimit më seriozisht se ç’duhet dhe vetë procesi mund të vihet në diskutim. Disa ndër emrat më aktivë të katër viteve të fundit në opozitë u përjashtuan nga gara nga Komisioni që përbëhej nga Besnik Mustafai, Genc Ruli, Bujar Nishani, Mark Marku dhe Enriketa Papa.

Lëvizjet e ditëve të fundit dhe disa nga deklaratat publike po reflektojnë qejfmbetje në selinë e PD, pasi emrat e skualifikuar nga Komisioni, jo vetëm kanë qenë të pakursyer në mbështetjen ndaj kryetarit Lulzim Basha, por disa janë edhe "prodhime bio" të tij. Për 13 emrat më poshtë Komisioni nuk e ka dhënë pëlqimin e tij.

1. ANDON FRROKAJ

2. ARBEN KASHAHU

3. ENDRI HASA

4. ERVIN SALIANJI

5. FATBARDHA KADIU

6. IZMIRA ULQINAKU

7. LINDITA METALIAJ

8. LORENC LUKA

9. LUAN BACI

10. NADIRE MEÇORAPAJ

11. ROMEO GURAKUQI

12. TRITAN SHEHU

13. XHEMAL GJUNKSHI

Anëtarët e Komisionit qenë të qartë në misionin që iu ngarkua. Besnik Mustafai doli garant gjatë një interviste në News24 se procesi kishte integritet, pasi askush nuk kishte pasur presione nga lidershipi politik i partisë.

“Në rastin e anëtarëve të Kryesisë së Partisë Demokratike përveç debatit që kemi bërë duke dhënë secili pikëpamjet e veta, kemi bërë votim të fshehtë dhe kush ka marrë nga 5 veta, 3 vota kundër, është skualifikuar” tha Mustafai.

Të njëjtën gjë e konfirmoi edhe Bujar Nishani, që në një intervistë në A2 theksoi se si Basha, ashtu edhe Kryesia e Partisë Demokratike mund të kenë qejfmbetje, por nuk mund të dalin jashtë emrave që i ka vendosur Komisioni për listën e kandidatëve për deputetë.

“Nesër në procesin vijues, kur Kryetari si drejtues i Partisë Demokratike, kryesia e PD do të përcaktojnë listën finale janë të detyruar të veprojnë vetëm këtij grupimi njerëzish që janë përzgjedhur deri më tash, ç’ka do të thotë se gjatë këtij procesi mund të mos jenë përzgjedhur njerëz të cilët mund t’i kenë pëlqyer në mënyrë subjektive kryetarit apo një anëtari të caktuar të kryesisë së PD" tha Nishani.

Por në njoftimin e Partisë Demokratike kur u publikuan emrat e skualifikuar, ata u trajtuan me anë të asaj që u quajt "lista kombëtare e disa prej kandidatëve" (ku bënin pjesë anëtarët e Kryesisë dhe Grupit Parlamentar 2017). Përveç kësaj emrat që morën votë kundër nga Komisioni u tha se “kalojnë në listën e kandidatëve që u shtyhet aprovimi”. Pra vetë emërtimi i kësaj liste nuk flet për skualifikimin e tyre, por për një “aprovim të shtyrë” duke lënë vend për interpretime.

Një tjetër fakt që tregon pavendosmërinë me të cilën po trajtohet filtrimi i emrave nga Komisioni është një takim që kryetari Lulzim Basha pati me 13 të skualifikuarit. Partia Demokratike nuk pati një njoftim zyrtar për këtë takim. Nuk dihet nëse Basha u dha shpresë të skualifikuarve për rikthimin e tyre në listat e kandidatëve përmes një vendimi personal të tij, por ajo që ra në sy ishte deklarata e Tritan Shehut pas takimit. Shehu tha se “për mua organet vendimmarrëse, janë kryesia e partisë, kryetari dhe këshilli kombëtar, këto janë organet statuore. Vota e anëtarësisë determinuese”.

Në fakt, pavarësisht dyzimeve në kupolën e PD, për të skualifikuarit ka një udhëzim të qartë të kryesisë se çfarë ndodh me kandidaturat që Komisioni i rrëzon. Në këtë udhëzim, në pikën 33 të tij, të firmosur edhe nga Lulzim Basha, emrat e skualifikuar nga Komisioni nuk futen më në listën e kandidatëve për deputetë, por mbeten për t’u bërë pjesë e ekzekutivit nesër.

Dokumenti i kryesisë së Partisë Demokratike nuk lë vend për interpretim. Çështja është a do t’i qëndrojë Basha të njëjtit pozicion që mbajti në fillim të procesit të zgjedhjeve, kur e quajti këtë një ndër proceset më demokratike në Ballkan, apo do të rikthejë në listat e kandidatëve disa nga të përkëdhelurit e tij, duke e shndërruar procesin në një farsë.©Lapsi.al

Të këshilluara

ide

Çfarë e ka shfazuar Edi Ramën

Përtej teorive komplotiste ka një shpjegim të thjeshtë se si ata të rinj që bërtasin rrugëve të Shqipërisë kundër kryeministrit të tyre, u gjendën në të njëjtën anë të barikadës me mediat më të rëndësishme të globit

16:26 Andi Bushati

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

19°c

KËMBIMI EURO

95.24

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI