Gjatë një vizite në Gjermani, ku mori pjesë në një forum të titulluar “Europa Park”, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama u ankua se Bashkimi Europian as nuk po denjon të flasë më për zgjerimin, megjithëse populli shqiptar është "në dashuri" me Europën. Pasi ka ripërtypur justifikimet e vjetra dhe akuzat e radhës drejt BE për negociatat, kreu i qeverisë shqiptare shtoi edhe alegorinë e re, duke i krahasuar negociatat para anëtarësimit me komunikimin para martesës. Në tentativë për t’u viktimizuar, Rama ngriti pyetjen, se si mund të bëhet afrimi me Europën, kur kjo e fundit as nuk denjon të flasë?
“Ne jemi të dashuruar me nje dashuri të verbër me Europën, që nuk e vëmë në pikëpyetje. Na thuhet që Evropa do të martohet me ne, por si mund të martohesh kur nuk flet. A mund të martohesh kur nuk flet? Pra, duam të martohemi me ju, por s’jemi gati të flasim” u shpreh Rama në fjalën që mbajti në forum.
Në fakt, për këdo që ka ndjekur në vijimësi sinjalet që vinin nga Gjermania gjatë këtij viti, kuptohet se pala tjetër ka komunikuar mjaftueshëm, por mazhoranca në Shqipëri i ka pasur "veshët e shurdhër". Fajësimi i BE ngjan me një hipokrizi, që përdoret për t'u zhveshur nga përgjegjësia e dështimit me negociatat, pasi realiteti provoi krejt të kundërtën.

Refuzimi gjerman
"Shurdhëria" për pretendimet e qeverisë shqiptare për negociatat mori formën më të mirë gjatë një vizite që Rama kreu në 18 shtator në Gjermani, ku si asnjëherë tjetër që kur është zgjedhur kryeministër, u refuzua në bllok për lobimin për negociatat.
Deutche Welle sqaroi me një qartësi të rrallë se Rama as nuk e takoi dhe as mundi të bënte një telefonatë me kancelaren Angela Merkel. Madje në takimin që pati me disa parlamentarë, nuk u paraqitën as kryetari i Komisionit të Çështjeve Europiane në Bundestag, Gynter Kriqbaum dhe as nënkryetari i grupit më të madh parlamentar në Bundestag CDU/CSU, Johan Vadeful. Refuzimi qe i rëndë. Një paralajmërim për vendimin e dhjetorit, kur pritet caktimi i një date për konferencën e parë ndërqeveritare.
Sipas DW “dy pikat më delikate në argumentimin e skeptikëve nga Gjermania janë: ligji anti shpifje dhe ndryshimet që iu bënë marrëveshjes për ligjin elektoral në parlament".
Rama planifikoi të sillte në Tiranë pamjet e shtrëngimit të duarve me zyrtarë të lartë të qeverisë apo të Bundestagut, por vizita rezultoi një bllof. Nga Gjermania nuk erdhi më shumë se një monolog para kamerave të TVSH-së.

Sinjalet nga Gjermania që ranë në vesh të shurdhër
Pretendimi i Ramës i artikuluar në Gjermani se Europa nuk i flet më Shqipërisë, bie poshtë nga një seri mesazhesh që erdhën nga Gjermania këtë vit. Më e saktë do të qe të thuhej, se gjermanëve nuk i ka mbetur më asgjë për të thënë, pasi tashmë i kanë thënë të gjitha.
Kushtet e Bundestagut për Shqipërinë janë të qarta, të paktën ato për caktimin e një date për konferencën e parë ndërqeveritare, që konsiderohet hapja de facto e negociatave.
Kushti i parë, konsensusi për reformën zgjedhore mori një goditje të fortë në 30 Korrik me ndryshimin e njëanshëm të Kushtetutës. I dehur nga pushteti dhe nën ethet e papërmbajtshme të fitores me çdo kusht në 25 Prill, kryeministri i Shqipërisë shpërfilli paralajmërimet e gjermanëve, megjithëse këta ishin të qartë.

Para se të prishej konsensusi me opozitën, në 14 Korrik, nënkryetari i Grupit Parlamentar të CDU/CSU-së, Johan Vadeful fliste troç, por kryeministri shqiptar nuk e degjoi
“Bundestagu gjerman nuk do të aprovojë konferencën e parë ndërqeveritare dhe hapjen e negociatave të anëtarësimit, për aq kohë sa nuk miratohet marrëveshja e 5 qershorit nga Parlamenti pa asnjë ndryshim dhe pa ndryshime kushtetuese që minojnë këtë marrëveshje"
JOHAN VADEFUL, nënkryetar i grupit CDU/CSU 14 KORRIK 2020
Në 27 korrik, Raportuesi për Shqipërinë në grupin parlamentar CDU/CSU, Kristian Shmid i tërhoqi vëmendjen kryeministrit Edi Rama për ndryshimet kushtetuese. Ai kërkoi që të bëhet kujdes dhe që çdo ndryshim të ketë konsesus politik, por Rama nuk e dëgjoi.
“Me shqetësim të madh po shoh se Partia Socialiste po tenton ndryshime të tjera jashtë marrëveshjes: konkretisht po tenton heqjen nga Kushtetuta të së drejtës për koalicione parazgjedhore. Për të favorizuar vetveten? Bëni kujdes! Ndryshime të tjera bëhen vetëm, nëse partitë e rëndësishme brenda dhe jashtë parlamentit bien dakord për to. Jam i bindur se kryeministri Rama, i cili është edhe kryetar i radhës së OSBE-së, do ta mbrojë frymën e marrëveshjes së 5 qershorit mes të gjitha partive. Besimi reciprok është i domosdoshëm”.Kristian Shmid, raportues për Shqipërinë në CDU/CSU, 27 korrik
Edhe ambasadori gjerman Peter Zingraf ishte i qartë në 30 korrik, ditën kur u ndryshua Kushtetuta, se konsensusi ishte një nga kushtet e Bundestagut.
“Sjell në vëmendje, që reforma zgjedhore mbetet një element qendror në përmbushjen e kushteve të formuluara nga Këshilli i BE-së (dhe në mënyrë të ngjashme nga Bundestag-u) përpara Konferencës së Parë të Anëtarësimit me BE-në dhe se zbatimi i suksesshëm i saj është një prej kushteve të grupit të dytë”Peter Zingraf, ambasador i Gjermanisë në Shqipëri, 30 korrik

Në 1 tetor, zv.ministri i Jashtëm Gent Cakaj bëri një përpjekje të fundit për t'u takuar me grupin skeptik brenda CDU/CSU-së.
Pas takimit, Johann Vadeful i tha DW, të njëjtin mesazh, se Gjermania kërkonte konsensus në Këshillin Politik dhe se politika shqiptare duhej t'i drejtohej ODIHR-it për mosmarrëveshjet që kishte, në mënyrë që gjermanët të thonin se është plotësuar edhe kushti i reformës zgjedhore”.
Por Edi Rama nuk e kapi as këtë shans të fundit. Kundër të gjitha këshillave i miratoi ndryshimet e Kodit Zgjedhor në mënyrë të njëanshme, duke i shërbyer krejtësisht interesave elektorale të Partisë Socialiste.

Kushti i dytë i Bundestagut është funksionimi i Gjykatës Kushtetuese. Në Gjermani nuk kanë të njëjtën qasje me ambasadorët amerikanë që e justifikonin shkatërrimin e Gjykatës Kushtetuese me shprehjen “më mirë djepi bosh, se sa shejtani brenda”. Për më tepër kanë kaluar 3 vite, që kur Vetingu e zbrazi Gjykatën Kushtetuese dhe tashmë është provuar skema e mazhorancës për kapjen e Gjykatës Kushtetuese.
Ndryshe nga vendet e tjera të BE, në Gjermani dhe në Holandë është parlamenti dhe jo qeveria, që ka një rol thelbësor në vendimet që merren në Këshillin Europian. Pra, Ramës nuk i mjafton të bindë vetëm Angela Merkelin për negociatat, por duhet të bindë edhe përfaqësues të tjerë, skeptikë të CDU-CSU për të marrë votën pro.
Për këto arsye, krahasimi i negociatave me komunikimin para martesës, në kushtet e një dashurie të verbër nuk qëndron, sepse kush të do, jo vetëm të flet, por edhe të dëgjon. Dhe në këtë rast, ai që nuk dëgjon, nuk rezulton të jetë Bashkimi Europian, por Edi Rama, të cilit sot i mbetet të krijojë figura letrare hileqare për t'iu shmangur përgjegjësisë së dështimit.©Lapsi.al
Telefonata me kancelaren/ Gjermanët zbardhin versionin e tyre të bisedës Rama- Merkel