Vetëm dy jave përpara zgjedhjeve presidenciale ne SHBA, në një deklaratë të publikuar nga gazeta shqiptaro-amerikane Illyria, kandidati për president i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, i referohet shqiptarëve dhe Kosovës.
Në deklaratën e postuar në rrjetin social Facebook të gazetës në fjalë, theksohet se ish-numri dy i Shtëpisë së Bardhë është një mik i hershëm i Shqipërisë, Kosovës dhe komunitetit shqiptaro-amerikan. Si president, Biden do të vazhdojë të mbështesë sigurinë e Shqipërisë, e zhvillimin demokratik dhe ekonomik në rajon.
Në deklaratë, ai angazhohet të: "Forcojë relatat SHBA-Shqipëri përmes rritjes së marrëdhënieve në fushën e mbrojtjes, për t`u siguruar që Shqipëria të mbetet një aleat i fuqishëm në Nato e të zgjerojë marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare mes dy vendeve. Të mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Kjo do të thotë të ndihmojë shqiptarët të realizojnë reformat ë vështira- përfshirë ato të sundimit të ligjit, ani-korrupsionit, reformat e gjyqësorit dhe ato elektorale. Të ndihmojë, së bashku me partnerët europianë ekonomitë e rajonit të goditura nga pandemia, që të ndërtojnë një të ardhme më të sigurt.
Një pjesë të rëndësishme të deklaratës e zë dhe Kosova, të cilën Biden e ka vizituar dy herë. Kandidati presidencial demokrat në SHBA deklarohet si mbrojtës i integritetit territorial të Kosovës dhe insiston që marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë të përfshijë njohjen e ndërsjellë. Biden, i cili e ka përkrahur ndërhyrjen e NATO-s për çlirimin e Kosovës me 1999, e kritikon politikën e “pabalancuar” të Trumpit ndaj Kosovës dhe Serbisë, ndërsa premton të rikthejë ndershmërinë dhe barazinë e marrëdhënieve mes tyre teksa të ecet drejt një bashkëpunimi më të mirë.
Me anë të një postimi në Facebook, publicisti Veton Surroi ka thënë se Joe Biden meriton besim të plotë për premtimin e tij si president se do angazhdohet në për zgjidhjen e një marrrëveshje midis Kosovë-Serbi, pasi është një nga të rrallët në Washingon që e diskutaur çështjen e Kosovës që në vitet 90-të.
“Joe Biden, një prej të rrallëve në Washington që në vitet e hershme ’90-të na priste e dëgjonte, një prej të rrallëve që çështjen e lirisë e demokracisë në Kosovë e ish Jugosllavi e shndërroi së bashku me kolegët e tij , demokratë e republikanë, në kauzë të Kongresit e të SHBA-ve në tërësi. Në njeri konsistent dhe i fjalës meriton besimin e plotë për premtimin e tij si president për një angazhim të balansuar e të drejtë për të arritur marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë në bazë të njohjes së ndërsjellë dhe me respekt të tërësisë tokësore të Kosovës,”- thuhet në postimin e Veton Surroi.
Edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka shprehur hapur mbështetjen për kandidatin demokrat, Joe Biden për zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Me anë të një video-mesazhi, ish-kryeministri i Kosovës ka ftuar shqiptarët që kanë të drejtë vote në SHBA, të dalin pro Biden dhe ta mbështesin në zgjedhje. Albin Kurti ka ndjekur nje tradite qe e filluan kater vite me pare Rama dhe Thaçi, po dy liderët tashmë janë lidhur aq shumë me administratën Trump sa këtë herë kanë ptreferuar të heshtin.
“Për shqiptarët në të gjithë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po ju drejtohem sot për t’ju nxitur të votoni për Joe Biden në zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Një votë për Biden është një votë për të përforcuar vlerat e përbashkët të drejtësisë, lirisë, vetëvendosjes dhe mundësive për të gjithë, të cilat gjithmonë kanë lidhur bashkë Shtetet e Bashkuara, Kosovën dhe diasporën shqiptare si aleatë të përkushtuar. Që nga vitet e ’90-ta, Joe Biden është një mbështetës i palëkundur i shqiptarëve në Ballkan” theksoi ai.
Po ashtu Biden ka marrë përkrahje edhe nga një këngëtare e njohur:
"Dua Lipa këtu. Vota juaj nuk ka qenë kurrë kaq e plotfuqishme. Joe Biden qëndroi me neve kur Kosova u ballafaqua me një katastrofë njerëzore. Ai dhe Kamala Harris besuan në demokraci dhe institucionet ndërkombëtare. Për ju që po votoni për herë të parë, jam kaq krenare, bëjeni një ditë që mbahet mend, sillni familjarët tuaj dhe bëjeni një ditë për t’u festuar. Bëhuni ndryshimi që na duhet”, u tha këngëtarja Dua Lipa fansave të saj.
©Lapsi.al