Që Shqipëria nuk i ka plotësuar 2 kushtet e vendosura nga Bashkimi Europian për caktimin e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, ky është një fakt i gjithëpranuar. Reforma zgjedhore jo vetëm që nuk kaloi me konsensus, por acaroi akoma më shumë klimën politike, ndërsa Gjykata Kushtetuese dhe ajo e Lartë mbeten ende jofunksionale.
Pak ditë më parë ambasadorët e BE-së ranë dakort të mos e caktojnë datën e Konferencës së Parë Ndërqeveritare për Shqipërinë. Komiteti i Përhershëm Përfaqësuesve, i njohur si Coreper, në draftin e konkluzioneve doli në përfundimin se Shqipëria nuk është gati, pasi ende nuk ka përmbushur kushtet e vendosura në mars. Drafti do të kalojë te ministrat e jashtëm dhe të çështjeve të Europës të Unionit më 8 dhjetor.
https://lapsi.al/2020/11/30/kthesa-180-grade-pse-e-braktisi-merkel-avokatine-e-negociatave-per-ramen/
Që Shqipëria do të mbesë sërish në klasë, e konfirmoi edhe kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila nuk dha sinjale se do të ketë një vendim pozitiv: "Me gjithë përparimet, nuk mund të premtoj se do të ndodhë që këtë vit, por shumë shpejt…” tha ajo. Fillimi i bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut tashmë mund të miratohet në mars 2021, por as kjo nuk është e sigurtë.
https://lapsi.al/2020/03/07/voa-komisioni-i-venecias-i-jep-te-drejte-metes-per-gjykaten-kushtetuese/
Dështimi këtë dhjetor është ekskluzivitet i mazhorancës socialiste.
Së pari, ishte Komisioni i Venecias që konfirmoi një skemë të mazhorancës për kapjen e Gjykatës Kushtetuese, skemë që u bë shkak për përplasjen e fortë me presidentin. Së dyti, konsensusi për reformën zgjedhore u zhbë pas marrëveshjes së 5 Qershorit me ndryshimet e njëanshme të Kushtetutës, të cilat Rama i miratoi, nën kritikat e forta të ndërkombëtarëve, që e paralajmëruan për pasojat.

Por ndërsa duket se Brukseli e ka vendosur të ngelë në klasë qeverinë e Ramës për të shtatën herë për integrimin, një thirrje e fortë erdhi këtë të premte nga Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Metju Palmer. Në intervistën për Zërin e Amerikës, zyrtari i Departamentit të Shtetit e quajti një "hap logjik" caktimin e datës për Konferëncën e Parë Ndërqeveritare Shqipëri-BE.
"Ne ishim shumë të kënaqur kur Këshilli Evropian ra dakord marsin e kaluar për të hapur negociatat për anëtarësim me Shqipërinë. Tani duam të shohim hapin e ardhshëm logjik, përcaktimin dhe organizimin e Konferencës Ndërqeveritare, si për Shqipërinë ashtu edhe për Maqedoninë e Veriut. Ne vazhdojmë të shpresojmë që Këshilli Evropian javën që vjen të bjerë dakord që të ndërmarrë këtë hap tjetër logjik" tha Palmer.
Mesazhi i Palmer sfidon direkt refuzimin e liderëve të Bashkimit Europian, ku si rrallëherë ka dakortësi për t'i thënë JO qeverisë, që nuk arriti të plotësonte dy kushte thelbësore për integrimin. Sepse një vit më parë, mbledhja e Këshillit Europian u shndërrua në arenë debati, pro dhe kundër shanseve të Shqipërisë dhe Maqedonisë për integrimitn. Këtë vit, i vetmi zë kundër draft-rezolutës ishte ai i Italisë, që kërkoi një gjuhë më të butë për refuzimin.
Mbështetja e SHBA për ecjen para të Shqipërisë në procesin e integrimit është në vazhdën e diferencave që janë vënë re më herët me europianët.
Ambasadorja amerikane Yuri Kim u investua personalisht për një marrëveshje për reformën zgjedhore në rezidencën amerikane në qershor për arritjen e konsensusit për reformën zgjedhore. Kur marrëveshja u arrit, ambasadorja Kim tha se cilado qofshin pakënaqësitë e palëve politike, ato kishin "sakrifikuar" për hir të integrimit të Shqipërisë në BE.

Por entuziasmi nuk zgjati shumë, sepse Rama nisi të vërë në zbatim planin për ndarjen e koalicionit opozitar duke ndryshuar Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor në mënyrë të njëanshme. Zyrtarë të Bashkimit Europian reaguan ashpër dhe paralajmëruan pasojat në procesin e integrimit. I ndryshëm ishte qëndrimi i diplomacisë së SHBA. Ambasada amerikane nuk e konsideroi ndryshimin e mëtejshëm të Kodit Zgjedhor si shkelje të marrëveshjes së 5 Qershorit.
https://lapsi.al/2020/09/23/ndryshimet-kushtetuese-yuri-kimit-i-ka-humbur-topi/
Në prag të refuzimit të radhës për negociatat, diplomatët amerikanë po i kërkojnë Brukselit të mbyllë një sy. Mbetet për t'u parë, si do të reflektohet thirrja e Zëvëndës.ndihmës Sekretarit të Shtetit Metju Palmer në vendimmarrjen e BE.
Por çfarëdo note të marrë Rama në ditët në vazhdim nga Këshilli Europian, asgjë nuk e ndryshon faktin se Shqipëria mbetet i vetmi vend në botë pa gjykata tashmë prej 3 vitesh dhe ku kryeministri ndryshon Kushtetutën disa muaj para zgjedhjeve për hir të llogarive elektorale të partisë së tij.©Lapsi.al
.