Shpërthim i mjetit me të cilin udhëtonte Preng Gjini, ndodhi në mes të një zone të populluar pasditen e së martës në Tiranë. 50 vjeçari nga Mirdita ishte shënjestër e një goditjeje që ka tronditur kryeqytetin. Pamjet makabre të Gjinit në makinën e tij gjysëm të shkatërruar qenë shokuese.
[video width="480" height="848" mp4="https://cdnimpuls.com/lapsi.al/wp-content/uploads/2020/09/Video_20200915200328729_by_VideoShow.mp4"][/video]
Makina e shpërthyer nga rreth 400 gram tritol sipas policisë kishte qenë në ruajtje nga atentatorët dhe lënda plasëse është aktivizuar me një celular ose me një mekanizëm telekomandues. Dy persona që kalonin në momentin e shpërthimit në rrugë, mbetën të plagosur: një shtetas italian dhe një fëmijë që u gjendën rastësisht mbi urën e Lanës, pranë zonës që njihet ndryshe si Nisharaku.

Pamjet pas shpërthimit ngjajnë me sulmet terroriste, kur mjeti me të cilin lëvizte Preng Gjini nga Mirdita është gjysëm i shkatërruar dhe përreth tij janë mbledhur qindra njerëz.
Kush ishte Preng Gjini
50 vjeçari që u transportua menjëherë në spital, në gjendje të rëndë për jetën. Ai është vëllai i Armando Gjinit, i vrarë në qendër të Rrëshenit në gusht të vitit të kaluar. Mendohet se shkak i atentatit është një hakmarrje e vjetër mes dy fiseve dhe ka lidhje me një seri vrasjesh të ndodhura në këtë qytet.

Dyshohet se atentati i sotëm në Tiranë ka lidhje me ekzekutimin në mënyrë mafioze të Kastriot Reçit (FOTO LART) në 7 Janar në Rrëshen. Ai ishte viktima e pestë në tri vitet e fundit në Rrëshen. Në vitin 2017, Reçit i vranë vëllanë. Gaspër Reçin, 43 vjeç, i cili jetonte prej vitesh në Romë, u vra nga 4 të shtëna me pistoletë, nga një distancë e afërt. Dy plumba e goditën në këmbë dhe dy në kokë, duke i marrë jetën në vendin e ngjarjes.

Një tjetër vrasje që ka lidhje me zinxhirin e hakmarrjes është ajo e Sajmir Jakut, (FOTO LART). Drejtori i Tensionit të Lartë në OSHE për Veriun, u vra më 9 shtator 2016. Dyshohet se dy persona të armatosur kanë qëlluar për vdekje zyrtarin, ndërsa nga të shtënat me armë edhe një person tjetër mbeti i plagosur. Policia ka thënë se Sajmir Jaku është qëlluar me Kallashnikov kur ka qenë duke pirë kafe në një nga lokalet e zonës më të frekuentuar të qytetit të Rrëshenit me një shok.

Një tjetër krim që u dyshua se kishte lidhje me këtë serial hakmarrjeje, ishte vrasja e ndodhur më 28 prill 2017 në Itali, ku u ekzekutua shtetasi Gaspër Reçi, (FOTO LART) i cili u qëllua me katër plumba. Policia dyshonte se vrasja e Gaspër Reçit mund të ishte kryer si hakmarrje për vrasjen e Sajmir Jakut.
Pak më vonë, më 6 shtator të po atij viti, vritet 31-vjeçari Kreshnik Gjini në komunën e Forestit të Belgjikës. Gjini ishte nipi i Sajmir Jakut dhe u dyshua se ishte vrarë në shenjë hakmarrje për ekzekutimin e Gaspër Reçit në Romë.

Më 13 gusht të vitit 2019 u ekzekutua në qendër të qytetit të Rrëshenit, në sy të dy fëmijëve, Armando Gjini (FOTO LART), i njohur edhe me emrin Tonin Gjini. Shkak për këtë ngjarje, sipas Policisë dyshohej e kaluara e tij në Belgjikë. Gjini u qëllua disa herë me pistoletë, ndërsa ndodhej brenda automjetit të tij përballë katedrales. 48- vjeçari dyshohet që të jetë vrarë për shkak të prishjes së pazareve të drogës. Ai njihej si pjesë e grupit të Met Kananit, bosit të drogës që u kap në Turqi.
Pikërisht për konfliktin e njohur mes grupeve kriminale dhe rrezikshmërinë e tyre të provuar në disa atentate, goditja ndaj Preng Gjinit ka qenë e paralajmëruar. Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj pranoi dështimin e policisë. “Duhet ta pranojmë se policia e shtetit ka dështuar në parandalimin e kësaj ngjarje. Këto janë ngjarje që kanë një parahistori. Është iluzore të pretendojmë se do të parandalojmë të tilla gjëra se do ishim i vetmi vend në botë që do e bënte këtë” tha Lleshaj.