Analiza pas zgjedhjeve/ Pse rrezikon të bierë regjimi i Gjukanoviçit
Pak rëndësi ka se çfarë do të ndodhë më pas dhe nëse virtuozi Gukanoviç, mandati i të cilit si president përfundon në 2023, do të arrijë ti’a hedhë edhe kësaj radhe. Mesazhi që dhanë zgjedhësit e fqinjit tonë të vogël prej 620 mijë banorësh ishte i qartë: përallat me pro dhe anti perendimorë nuk janë të mjaftueshme për të qenë një faktor elektoral në vende që udhëhiqen nga autokratë. Ndryshe nuk ka si shpjegohet që njeriu që i rezistoi Sllobodan Millosheviçit, ai që udhëhoqi me sukses referendumin për pavarësinë e vendit, duke marrë 55% të mbështetjes popullore, ai që njohu bashkë me SHBA, Gjermaninë e Britaninë , pavarësinë e Kosovës, ai që e futi vendin e tij në Nato dhe që është përpara të gjithë fqinjëve të Ballkanit perendimor në procesin e negociatave më BE, të fitojë gjithnjë e më pak vota në vendin e tij. Kjo anë e medaljes e ish drejtorit të doganave të fundshekullit të kaluar, që e ktheu republikën e tij të vogël në një parajsë për mafiozët dhe kontrabanistët italianë të cigareve, nuk mund të mbulojë fytyrën e tij të vërtetë. Pas të përkëdhëlurtit të perëndimit fshihej gjithnjë njeriu, emri i të cilit dilte në deponimet e të penduarve të Camorra-s e Sacra Corona Unita-s. Artikuj të shumtë të mediave serioze e përshkruajnë atë si pronarin okult të disa hoteleve me 5 yje në bregdet. Ato e paraqesin familjen Gukanoviç si padronen reale të vendit, ku për fatin e një prone shtetërore, në muret e qytetit të vjetër të Budvës, mund të vendosë një gjykatëse e lartë si Ana Kolarevic, që është motra e Milos, apo ku një bankë private mund të shpëtohet vetëm se është pronë e vëllait të presidentit, Ako Gjukanoviç. Përpos pasurisë personale marramendëse që sipas “The independent” i kalon 12 milionë euro, Gjukanoviç ka ngritur në vendin e tij një sistem krejt të kundërt me vlerat perendimore. Ai ka qenë, si një paraprijës i modelit putinian, gjashtë herë kryeministër, ka bërë dy tërheqje nga politika duke e drejtuar vendin nga zyra e kreut të partisë social demokrate dhe është votuar dy herë si president. Ai është treguar tejet represiv me mediat opozitare dhe shumë i ashpër me OJF që kanë denoncuar abuzimet e pushtetit të tij. Dhe pavarësisht të gjitha këtyre atij i kanë ngjitur mbi shpinë etiketën e pro perendimorit, vetëm se di në mënyrë të shkëlqyer të luajë rolin e “yes man-it’ që merr legjitimitetin nga jashtë për të zhvatur dhe sunduar shumicën e qytetarëve të vet. Pikërisht për këtë rezultati i zgjedhjeve të 30 gushtit përbën një risi. Ato dëshmuan se kjo fabul nuk pi dot ujë përjetësisht. Dhe ndonëse është e vërtetë që një pjesë e malazezëve janë pro serbë (mbi 30% e popullsisë janë vetëdeklaruar si të tillë), ajo që ndodhi këtë të dielë nuk mund të shihet vetëm si një arenë beteje ku përplasen Rusia me demokracitë liberale. Reduktimi drastik i votave pro Gjukanoviçit, kësaj radhe, tregon se një pjesë e popullsisë që dikur votonte pro tij, pikërisht ajo që nuk u gënjye më nga etiketat pro dhe anti perendimor, nuk e përtyp dot pambarimisht demokracinë si një produkt që ia imponojnë me dhunë nga jashtë, por si një realitet që do ta prekë dhe ta jetojë përditë. E këtu edhe kryeministri Rama, që u keqpërdor me qëllim, duke u bërë thirje në sllavisht qytetarëve që të votonin në favor të autokratit të tyre (video poshte) edhe ata ndërkombëtarë që e yshtën ta bëjë këtë në emër të stabilitetit, kanë marrë sinjalin e duhur. https://youtu.be/D7YnaD87N90 Apeli për tu bërë bashkë rreth Gjukanoviçit nuk pati më shumë vlerë sesa një puthje me Milon. E në këtë kuptim ky është një mesazh për tu duartrokitur. Pasi tregon se as në këtë rajon, njerëzit nuk i durojnë dot më anti demokratët që shiten si pro perendimorë. ©lapsi.al