Partia e Presidentit Milo Djukanoviç, në pushtet prej tre dekadash në Mal të Zi, fitoi zgjedhjet parlamentare të dielën (30 gusht) me një diferencë të vogël, sipas rezultateve zyrtare të publikuara të hënën, por ajo mund të humbasë shumicën në parlament nëse kundërshtarët e saj arrijnë të krijojnë një koalicion qeverisës.
Pasi u numëruan 98% të fletëve të votimit, Partia Demokratike Socialiste (DPS), formacioni pro-perëndimor i kryesuar nga Z. Djukanovic, fitoi 35% të votave. Aleanca kryesore e opozitës pro-serbe fitoi 32.5% të votave, ndërsa dy partitë e tjera të opozitës (12.5 dhe 5% të votave).
Lexo me tej:
Profil/ Kush eshte Milo Gjukanoviç, presidenti që drejton prej 30 vjetesh Malin e Zi
Ky është rezultati më i keq zgjedhor për DPS-në që kur Mali i Zi u bë i pavarur nga Serbia në 2006.
Një rënie e mundshme
Nëse koalicioni i aleancës pro serbe arrin të bëjë aleancë me dy grupimet e tjera të opozitës, do ta rrëzonte partinë Social Demokrate nga pushteti duke shkaktuar, një tërmet politik në vendin e vogël buzë Adriatikut me 620,000 banorë.
PDS-ja nuk ka humbur asnjëherë zgjedhjet dhe Milo Djukanoviç e ka qeverisur vendin vazhdimisht që nga çmontimi i Jugosllavisë në vitet 1990. Reformist dinamik për disa, autokrat i korruptuar për të tjerët, ai udhëhoqi procesin e ndarjes të Malit të Zi nga Serbia dhe hyrjen e saj në NATO.
Kreu i koalicionit pro-serb, Zdravko Krivokapic, pasi pa rezultatet nuk ngurroi të shpallte para shtypit se "Regjimi ka rënë".
Mbështetësit e opozitës brohorisnin në rrugët e Podgoricës, kryeqytetit malazez, duke para kaluar me vetura, duke hedhur fishekzjarrë dhe duke u mbledhur para kishës kryesore ortodokse të qytetetit.
Drejtuesit e ppartive të tjera të opozitës u paraqitën gjithashtu entuziastë. "Mafia nuk do të sundojë më Malin e Zi", tha deputeti i sapozgjedhur me origjinë shqiptare Dritan Abazovic, nga partia liberale Bardh e Zi.
Por mbetet për të parë nëse opozita, e cila shkon nga formacioniet e djathta nacionaliste pro serbe deri tek një formacion qytetar me prirje liberale do të jetë e aftë të bashkohet kundër socialdemokratëve.
Gjithësesi, Milo Djukanoviç, i cili aktualisht po ushtron mandatin e dytë si president, pasi ka shërbyer katër mandate si kryeministër, nuk do të provohet vetë elektoralisht deri në vitin 2023, kur i përfundon edhe afati i qëndrimit në krye të shtetit.
PDS gjendej në këto zgjedhje parlamentare, përballë sfidës së koalicionit të krahut të djathtë pro-serb, i cila dëshiron që Mali i Zi, ndryshe nga orientimi pro-perëndimor që tenton ti japë Milo Gjukanoviç, të krijojë lidhje më të ngushta me Serbinë dhe me Rusinë.
Ligji i kthesës
Analistët ia atribuojnë rezultatin jo të kënaqshëm të PDS miratimit të një ligji që ka ngjallur polemikë të fortë me Kishën Ortodokse Serbe (SPC) dhe ka mbizotëruar debatin politik malazez për muaj.
I miratuar në fund të vitit 2019, ky ligj i hapi rrugë ndryshimit të pronësisë të qindra kishave dhe manastireve të menaxhuara nga kisha serbe, dominuese në Mal të Zi dhe me seli në Beograd. Nga autoritetet kishtare ato duhet të kalonin në duar të shtetit. Sipas regjistrimit të vitit 2011, pothuajse 30% e banorëve të Malit të Zi e identifikojnë veten si serbë.
Miratimi i ligjit nxiti protesta të mëdha në formën e marshimeve, të udhëhequra nga klerikë dhe të mbështetur nga opozita. Në ditët që çuan në zgjedhjet legjislative, demonstruesit organizuan parakalime me makina në të gjithë vendin duke tundur flamuj serbë.
Milo Djukanovic, i duartrokitur nga përkrahësit e tij për vendosjen e Malit të Zi në rrugën drejt hyrjes së mundshme në Bashkimin Evropian, akuzohet nga kundërshtarët e tij se e ka shndërruar vendin në një mbretëri personale të ndërtuar mbi lidhje me korrupsionin dhe krim.
Burimet: AFP le Monde, përshtati lapsi.al