Flash

Kufiri me Greqinë rikthen konfliktin Rama-Meta mbi hartat detare

Lapsi.al 26 August 2020
Kufiri me Greqinë rikthen konfliktin Rama-Meta mbi hartat detare

Përpjekjet e grekëve për ta tentuar edhe një herë arritjen e marrëveshjes për kufirin detar me Shqipërinë rizgjojnë në Tiranë një konflikt të përgjumur mes Edi Ramës dhe Ilir Metës.

Klima mes të dyve erdhi duke u zbutur që nga fillimet e pandemisë, kur shkëmbyen me njëri-tjetrin disa komplimenta në distancë, por duket se paqja në rastin e tyre nuk është e thënë të zgjasë. Synimi i njërit apo i tjetrit për të marrë një rol udhëheqës në negociatat e një marrëveshjeje historike me Greqinë, e bën të pashmangshme përplasjen.

Por në anën tjetër të kufirit duket se e kanë shprehur hapur zgjedhjen për negociatat.

Ato do të negociohen me Edi Ramën, siç u pa nga fjalimi i Kiriakos Mitsotakis në parlament. Në fjalën e tij u vu re se kryeministri grek kishte pasur më herët kontakte me palën shqiptare dhe se nuk kishte gjetur ndonjë kundërshtim.

“Greqia po i zgjeron ujërat e saj territorial në Perëndim nga 6 në 12 milje. Greqia po rritet. Të tjerë e kanë thënë, ne po e zbatojmë. Kështu po veprojë ne në zonën detare. Në veçanti në zgjerimin e ujërave në Jon. Një e drejtë që vendi ynë rezervon ta ushtrojë në zonat e tjera dhe që është ushtruar nga fqinjët tanë në respect të Ligjit për Detin, sipas të drejtës së vijës së mesme, ku distance është më pak se 6 apo deri në 12 milje. Ministri i Jashtëm i ka njoftuar homologët e tij italianë dhe shqiptarë” tha Mitsotakis.

Komunikimi me Ramën ishte konfirmuar më herët edhe nga një status në Twitter i Ministrit të Jashtëm grek, Nikos Dendias që kishte folur me kryeministrin Edi Rama në telefon, për të planifikuar së shpejti një vizitë në Tiranë.

Me Metën qasja është krejt tjetër.

Në një intervistë për Skai Tv disa ditë më parë, Ministri i Jashtëm grek e identifikonte kreun e shtetit shqiptar si pjesë të problemit.

Kur gazetari e pyeti Nikos Dendias për marrëveshjen me Shqipërinë, ky u përgjigj: Gjërat janë disi më të komplikuara këtu, sepse Shqipëria fillimisht ra dakort, pastaj e çoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Janë disa çështje ligjore të brendshme, çështjet e tyre: Dhënia e autorizimit nga ana e Presidentit për qeverinë, që ai mund të mos jetë i gatshëm ta japë. Por kjo është një çështje që politika e jashtme e Greqisë do të merret. Nuk ka asnjë dyshim për këtë. Shqipëria është një vend mik, një vend me të cilin Greqia do që të ketë marrëdhënie miqësore, për të zgjidhur çdo problem që mund të ketë. Ky është një nga problemet që kemi".

Nuk dihet se ku bazohen të dhënat e Dendias për problemin "Meta". Në eksperiencën e viteve të shkuara apo në telefonatat me Ramën, por pas kësaj interviste, presidenti Meta u shkeli syrin grekëve me një vizitë në Derviçan.

Aty dekoroi ish futbollistin Lefter Millo bashkë me të tjerë emra të sportit, që vinin nga radhët e minoritetit. Vite më parë, Meta i kishte dhënë fund lutjeve të Janullatos për nënshtetësinë shqiptare, por këto sinjale duket se nuk janë dëgjuar deri në Athinë.

FRUSTRIMI I BUSHATIT PËR NEGOCIATAT

Eksperienca nga negociatat e mëhershme për kufirin janë një leksion, nga i cili duket se pala greke ende nuk ka kuptuar asgjë. Për ish Ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati u duk se ishte më frustruese negociata për të marrë autorizimin nga Meta, se sa të gjente dakortësinë me Nikos Kocias për koordinatat e kufirit.

Në nenin 92 të Kushtetutës, pika ë thuhet se Presidenti i Republikës lidh marrëveshje ndërkombëtare sipas ligjit. I ndërgjegjshëm për rolin që i jep posti, Meta nuk la t’i shpëtojë asnjë detaj në negociata, duke marrë një rol të rëndësishëm deri kontrollues të asaj që ndodhte mes palëve.

Vetëm kur Ditmir Bushati pranoi të raportojë në presidencë për takimet me grekët dhe kur pranoi të ketë në grupin negociator Ksenofon Krisafin,  propozimin e Ilir Metës, ky i fundit i dha autorizimin për të negociuar. E gjitha ishte një lojë nervash, në fund të së cilës rezultoi se shpërfillja e Metës nuk do të ishte e lehtë.

Konflikti i brendshëm politik po reflektohet ende pa nisur negociatat në qasjen e grekëve. Lajmi i mirë në këtë rast është se për herë të parë nga përplasja Rama-Meta nuk po e pësojnë shqiptarët, por grekët, të cilët që nga 2006 kërkojnë një marrëveshje për kufirin me detin dhe nuk po e gjejnë dot.© Lapsi.al

Të këshilluara

ide

Çfarë e ka shfazuar Edi Ramën

Përtej teorive komplotiste ka një shpjegim të thjeshtë se si ata të rinj që bërtasin rrugëve të Shqipërisë kundër kryeministrit të tyre, u gjendën në të njëjtën anë të barikadës me mediat më të rëndësishme të globit

16:26 Andi Bushati

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

19°c

KËMBIMI EURO

95.24

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI