Flash

Largohet nga Shqipëria Bernd Borchardt, ambasadori me damkën “Shame on you”

Lapsi.al 25 August 2020
Largohet nga Shqipëria Bernd Borchardt, ambasadori me damkën

Ishte një nga ripërtypjet më pak elegante nga një ambasador i huaj në Tiranë, ajo që bëri gjermani Bernd Borshard në shkurt të vitit 2017. Një kthesë e trashë, deri në ofendim për inteligjencën e atyre që dëgjonin të fliste për blerjen e votave me paratë e drogës në Shqipëri.

Në kulmin e ekspansionit të kanabisit në vend, gjatë bisedës me Ilva Taren në Oraneës, mbrëmjen e 21 shkurtit të vitit 2017, Borshard tha: “Po të marrim shifrat e publikuara nga Ministria e Brendshme për plantacionet e shkatërruara, duket që mbjelljet kanë qenë më të mëdha se në 2013. Jo gjithçka është kapur, sepse çdo javë dëgjohet se janë kapur ngarkesa. Kjo do të thotë se qarkullojnë më shumë se 2 miliardë euro para të pista. Pra, ekziston rrisku se këto para mund të përdoren për të blerë deputetë. Të gjitha këto janë rreziqe të mëdha. Prandaj ne jemi pro ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, për të shmangur apo më saktë për të limituar sa më shumë blerjen e votave”

Deklarata ra si bombë, sepse me 2 miliard euro në Shqipëri blen rezultatin, jo thjesht votat. Por kaluan 3 ditë dhe Bernd Borshard doli i rilindur nga zyra e Saimir Tahirit në Ministrinë e Brendshme. E hëngri fjalën që kishte thënë një natë më parë, për ta ripërtypur dhe nxjerrë në një version tjetër.

“Pati disa keqkuptime nga publiku për këtë deklaratë, që ne e sqaruam përmes një deklarate të OSBE-së në Tëitter. Bëhet fjalë për vitin 2013, sipas disa vlerësimeve ndërkombëtare që flasin për 1 mijë ton kanabis të shitur, që llogaritur me vlerën e shitjes në tregun evropian, janë diku te 2 miliard euro” u korrigjua Borshard.

Ky ishte një ndër rastet më flagrante të talljes me shqiptarët, që dihet se kur ambasadorët flasin anglisht janë sy e veshë, largojnë dyshimet dhe ndalojnë mendimet. Çështja është se kundërthëniet e Bernd Borshard të nxisnin për hamendësime. Askush nuk mendoi atëherë, se ka edhe gjermanë pa skrupuj.

Qëndrimi i Bernd Borshard në Shqipëri do të karakterizohej në vazhdimësi nga një marrëdhënie e vështirë me opozitën, për shkak të pozicioneve që mbajti në përkrahje të mazhorancës. Ai u kthye në një nga ambasadorët më të sulmuar për shkak të mbështetjes së pakushtëzuar që i dha qeverisë në momente të caktuara.

Kur do flasim?

Pyetjet e përditshme të Edi Ramës për studentët protestues nga Facebook dhe Instagram janë të vështira për t’u harruar. Duke përdorur humorin në një nga momentet më delikate të qeverisjes, Edi Rama ia doli të shuajë protestat e studentëve, vetëm pasi i bindi ta dëgjojnë dhe të dialogojnë me të.

Të rinjtë në fundin e vitit 2018 ishin në dilemë se ulja në tryezë me Ramën do të ishte kurth, nga i cili do të dilnin të humbur (ashtu siç ndodhi). Pikërisht në këtë moment, një zë i huaj i erdhi në ndihmë kryeministrit. Bernd Borchard i këshilloi studentët të dialogonin dhe të bisedonin me kreun e qeverisë, ndërkohë që protestat ishin në kulm. Kontradikta ishte se vetë Borchard e pranonte se funksioni i tij në krye të zyrës së OSBE-së nuk e kishte në fokus një temë si ajo e arsimit.

"Studentët fokusohen në ndryshimin e sistemit arsimor dhe kjo nuk është në fokus të misionit të OSBE-së. Në të njëjtën kohë ne mbështesim të drejtën për protestë paqësore. Dhe ashtu si i gjithë komuniteti ndërkombëtar, edhe ne kemi kërkuar që të ketë dialog", tha Borchard atëherë duke i bërë qokën e radhës kryeministrit Edi Rama.

SHAME ON YOU

Opozita nuk e pranoi asnjëherë autorësinë e damkës së turpit ndaj ambasadorit me shkrimin “Shame on you” në hyrjen e shtëpisë së tij. Por ky veprim erdhi pas një reagimi të fortë të OSBE-së që kriminalizoi menjëherë protestat e opozitës. “Organizatorët e protestës së mbrëmjes të sotme duhet të mbajnë përgjegjësinë politike për dhunën kriminale të ushtruar nga disa prej ndjekësit e tyre” ishte reagimi i Borshard në Maj të vitit 2019.

Nuk zgjati shumë dhe reagimi u korrigjua nga një i dytë, shumë më i sofistikuar.

“Prezenca e OSBE-së e ka ndjekur protestën e sotme minutë pas minute. Ne përsërisim qëndrimin tonë të palëkundur që dhuna nuk është përgjigja. Gjithashtu, reagimi i rëndë ndaj dhunës nuk ndihmon” – thuhej në deklaratën e dytë të OSBE-së.

Fill pas këtyre qëndrimeve, në shtëpinë e Borshard u shfaq mesazhi “Shame on you”, që mendohet se u shkruajt nga të rinjtë protestues të PD dhe LSI.

Rama e përdori menjëherë, duke e quajtur një kërcënim ndaj një diplomati të huaj. "Natën është kërcënuar ambasadori i OSBE pas deklaratë që foli për organizatorë për dhunë kriminale” u shpreh kryeministri.

Basha la të kuptohej se nuk ishte fare i shqetësuar nga ajo që kishte ndodhur, as nuk e pranoi dhe as nuk e mohoi autorësinë. "Nuk kam asnjë informacion që ndonjë ambasador është kërcënuar. Fjala qe Rama deklaroi sot është parantezë për gënjeshtër, unë nuk kam asnjë fakt që është kërcënuar ndonjë ambasador. Ke ndonjë fakt që ndonjë ambasador është dënuar? Parullat? Nuk bëj koment cfarë parullash" ishin fjalët e Bashës.

Pasi tha se nuk ka dijeni për kërcënim të ndonjë ambasadori, Basha i kërkoi gazetarit që përsëriste parullën “Borchardt turp të kesh…”

Gazetari: Ndonjë koment për parullat?

Basha: Çfarë parullash?

Gazetari: Parullat në pallatin e ambasadorit Borchardt?

Basha: Nuk bëj komente për parullat, çfarë parullash?

Gazetari: Borchardt turp të kesh..

Basha: Si?

Gazetari: Borchardt turp të kesh..

Basha: Si?

Gazetari: Borchardt turp të kesh..

Basha: No comment

GISHTI I MESIT PER PROTESTUESIT

Ishte tetor i vitit të kaluar në një nga protestat e shumta të banorëve të Unazës tek Astiri, kur aty pranë kaloi ambasadori Bernd Borshard me bashkëshorten e tij. Protestuesit e njohën dhe i kërkuan të bashkohej. Prej muajsh kërkonin zmbrapsjen e një projekti që parashikonte shembjen e shtëpive të tyre. Si zakonisht, disa prej banorëve ishin shoqëruar në polici. Të tjerët protestonin për lirimin e familjarëve të tyre.

Borshard refuzoi t’u bashkohej në protestë dhe kur dëgjoi thirrjet të irrituara, iu përgjigj duke ngritur gishtin e mesit. Incidenti u regjistrua nga kamerat dhe bëri xhiron në internet.

Në një intervistë për gazetën Panorama, ai ka shpjeguar: “Kisha dalë për shëtitje me bashkëshorten time atë mbrëmje, pa qenë në dijeni se po zhvillohej një protestë përpara Drejtorisë së Policisë. Papritmas, na u afruan disa burra, njerëzit bërtisnin duke na sharë dhe silleshin në mënyrë agresive. Më duhet ta theksoj, ishin burra, jo gra apo fëmijë, siç po pretendojnë disa media tani. Kjo na gjeti tërësisht të papërgatitur mua dhe bashkëshorten time dhe ajo, me të drejtë, u frikësua.

Nëse e shihni fytyrën e saj të tmerruar, në videon e shpërndarë gjerësisht, atëherë e kuptoni se çfarë ndodhi. Nuk e kuptuam se çfarë po ndodhte, u ndiem të kërcënuar drejtpërsëdrejti dhe u çorientuam. Mendova se ishin të njëjtët dhunues që na terrorizuan në apartamentin tonë, në katin e 12-të, në mesnatë, në maj të vitit 2019 dhe e humba kontrollin emocional për pak sekonda.

U pendova dhe kërkova ndjesë menjëherë, duke kuptuar që mund të kem fyer njerëz të tjerë, ata të cilët po protestonin përballë zyrave të Policisë dhe për ankesat e të cilëve nuk kisha dijeni. Ende më vjen keq dhe ende i qëndroj ndjesës publike që kam bërë. E shikoj tani se si disa media e vendosin këtë incident në rrotullën politike. Ky keqinterpretim bëhet me keqbesim dhe është i motivuar politikisht”.

Ndjesa nuk mjaftoi. Borshard ishte rreshtuar për të disatën herë në anën e qeverisë dhe arroganca ndaj banorëve të Astirit ishte pika që derdhi gotën. Banorët nuk e lanë me aq.

Ndërsa Prezenca e OSBE në Shqipëri diskutonte mbi “forumin e Lirisë së mediave”, një grup protestuesish me pankarta në duar u futën në sallë dhe bënë thirrje kundër ambasadorit.

“Borschard ik në shtëpi bashkë me gishtin tënd të mesit”, “Non Grata”- thuhej në shkrimet e tyre. Presidenti Ilir Meta e shpalli “non grata” në presidencë. Në një letër adresuar asamblesë parlamentare të OSBE në Kopenhagen dhe zyrës lokale në Tiranë, thuhej se Borshard, nuk ishte i mirepritur në Presidencë. Lulzim Basha e injoroi publikisht duke e shmangur gjatë një vizite të delegacionit të OSBE-së në Tiranë. Siç duket në këto pamje, kreu i PD-së u soll sikur ambasadori të mos ekzistonte.

Borshard largohet në heshtje nga vendi ynë. Në mesazhin e tij shkruan se lë pas plot miq, ndërsa shpreh keqardhjen që për shkak të pandemisë nuk mund të organizojë një pritje lamtumire. "Ju falënderoj për gjithë bashkëpunimin dhe mbështetjen tuaj. Më vjen keq që në kushte COVID nuk mund të ju ftoja për një pritje lamtumire ose për një takim tjetër personal" thuhet në fjalët e tij të lamtumirës.

Ikën kështu ambasadori i radhës, që pasi ka dhënë mesazhe të forta dhe është marrë si pikë referimi, lë pas shijen e hidhur të rreshtimit politik dhe të leksionit se jo çdo fjalë në anglisht është medoemos këshilla më e drejtë dhe më e saktë për situatën politike.©Lapsi.al

Të këshilluara

ide

Çfarë e ka shfazuar Edi Ramën

Përtej teorive komplotiste ka një shpjegim të thjeshtë se si ata të rinj që bërtasin rrugëve të Shqipërisë kundër kryeministrit të tyre, u gjendën në të njëjtën anë të barikadës me mediat më të rëndësishme të globit

16:26 Andi Bushati

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

19°c

KËMBIMI EURO

95.24

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI