Flash

Vetingu/ Si e përdorën ish-sigurimsin Gjovalin Loka për të rrahur të rinjtë e Tiranës në protesta

Lapsi.al 20 August 2020
Vetingu/ Si e përdorën ish-sigurimsin Gjovalin Loka për të

Në seancën e vetingut të policit Gjovalin Loka kaloi jo pa habi një tentativë e tij për t'u marrë me tregtinë e kastravecave të detit. Se si i kishte shkuar në mendje një polici prej 30 vitesh diçka e tillë, kjo nuk u mor vesh dhe askush nuk kërkoi të dinte më shumë, sepse Gjovalin Lokës i doli një e fshehtë akoma më e rëndë, si ajo e të qënit operativ i Sigurimit në të shkuarën.

Pas këtij zbulimi, kalimi i Vetingut nga Gjovalin Loka, Drejtor i Departamentit të Sigurisë hedh dyshime të forta se procesi përdoret për të mbajtur në postet kyçe të policisë njerëz të shantazhuar. Loka pranoi se kishte qenë operativ i Sigurimit në fshatin Bicaj të Kukësit, por në formularin e vetëdeklarimit e kishte fshehur këtë fakt.

Fshehja e të kaluarës, pra mosdeklarimi i të dhënave në formular përbën një nga momentet kyçe të vetingut dhe kush i nënshtrohet kontrollit, e di se kjo do të thotë skualifikim i menjëhershëm. Fakti që numri dy i Policisë së Shtetit ishte treguar aq mendjelehtë sa të mendonte se nuk do të zbulohej, duket e vështirë. Gjasat janë që të ketë marrë garancinë se do ta kalonte Vetngun, pavarësisht të gjithave.

Trupa e Komisionit të Vettingut: Nga janari '91 deri në qershor '91 Gjovalin Loka ka qenë operativ i sigurimit të shtetit. Ndërkohë në përgjigjet e tij ka deklaruar se nuk ka qenë. Ndërkohë deri në vitin 1990 ka qenë student në shkollën e sigurimit të shtetit. Komisioni i jashtëm do të vlerësojë nëse është apo jo kriter ndalues kjo situatë dhe gjetje ndaj z.Loka.

Gjovalin Loka: Mos më diskriminoni për shkak të studimeve të asokohe. Nuk kam kontaktuar me asnjë nga bashkëpunëtoret e sigurimit të shtetit. Nuk kam dënuar apo keqtrajtuar apo rekrutuar askënd në sigurimin e shtetit.

Me këtë diskutim të shkurtër kaloi një fakt i rëndë, ku ligji për vetingun në polici u shkel në dy momente. Në momentin e parë, sepse Gjovalin Loka gënjeu kur fshehu të qënit pjesë e Sigurimit të Shtetit dhe së dyti, sepse Ligjit për Vetingun në Polici, në nenin 38 pika “g” shkruan se qënia “anëtar i ish-sigurimit të shtetit” përbën kusht skualifikues.

Por përse duhej të kalonte medoemos vetingun, Drejtori i Departamentit për Sigurinë Publike? Pse është ai kaq i rëndësishëm për të vënë në dyshim të gjithë procesin e pastrimit të policisë, si një projekt ku janë investuar ambasadat e huaja?

Kjo pyetje mori përgjigje gjatë seancës së vetingut, ku u konfirmua shërbimi që Gjovalin Loka ka kryer për mazhorancën në dy vitet e fundit. Për postin që mban, një nga detyrat e tij kryesore ka qenë menaxhimi i protestave.

Kur u pyet nga Komisioni i Vlerësimit, nëse ndjehej përgjegjës për tejkalim të forcës së policisë përgjatë tubimeve ai u përgjigj: "Jam drejtori që menaxhoj protestat e tubimet. Ndryshe nga vitet e kaluara kur plani i masave ishte evaziv. Unë kam kurajo, kam plan masash, vendos emrin tim. Dua te them nga protesta e 16 shkurtit më e madhja. Gjykoj që policia e shtetit ka bërë veprime ligjore e standarde e kanë konfirmuar edhe partnerët që na asistojnë. Kemi pas raste sporadike kur është tejkaluar kompetenca nga polica. Kemi proceduar policë. Ka masa deri nga heqja e pagës ose përjashtim nga policia e shtetit".

Në përgjigjen e tij, Gjovalin Loka pranon se ka qenë përgjegjës për hartimin e planeve të policisë për menaxhimin e protestave dhe i referohet si sukses një nga protestave më të mëdha të organizuara ndonjëherë ngë opozita e Bashës, atë të 16 shkurtit.

Bëhet fjalë për një nga tubimet opozitare që hapi siparin e një stine përballjeje me qeverinë vitin e kaluar dhe që u pasua me dhjetëra arrestime të militantëve të opozitës. Në protestat, që nisën në 16 shkurt, opozita u tregua më agresive se asnjëherë në këto 4 vite ne përballje me policinë. Nuk munguan në protestat e saj edhe sulmet me molotov, gurë dhe sende të forta drejt institucioneve.

Por si ka qenë menaxhimi i protestave, që nga momenti që Gjovalin Loka ka qenë në detyrë?

"Risia" qe pa asnjë dyshim gazi lotsjellës që u përdor në masë në rrugët e Tiranës. Kudo në kryeqytet në një rreze që shkonte disa kilometra u hodhën dhjetëra municione me gaz lotsjellës që "bombardonin" jo vetëm protestuesit, por shkaktonin dëmtime në një rreze të konsiderueshme. Qytetarë të ndryshëm që nuk ishin pjesë e protestave, kanë qenë të prekur nga gazi lotsjellës që u përdor masivisht nga policia për të larguar militantët e Partisë Demokratike.

Në shumë protesta të opozitës pati dhunë dhe përplasje të forta me policinë, por edhe nga ana tjetër nuk u kursye përgjigja dhëmb për dhëmb ndaj protestuesve. Kanë qenë me dhjetëra protestuesit që përfunduan në spitale, shumë të tjerë u arrestuan dhe u dhunuan në komisariatet e policisë.

Kushdo mund të arsyetojë se brutaliteti i policisë kundër protestuesve të Partisë Demokratike ishte në mbrojtje të institucioneve, se dhuna e shkopave të gomës ishin dora e ashpër e ligjit kundër sulmeve të motivuara politikisht, apo se në shumë raste, policët e Gjovalin Lokajt u përgjigjën në proporcion me goditjet që i vinin nga turmat e organizuara nga partitë që kërkonin pushtetin.

Por nëse kjo do të kishte qenë e vërtetë, atëherë menaxhimi i protestave nga policët e Gjovalin Lokës do të kishte qenë i ndryshëm në përpjekjen e qytetarëve për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar.

Sepse protesta tek Teatri Kombëtar është shembulli që rrëzon edhe mbështetësit më të flaktë të policisë në rastet e tubimeve. Përballë protestuesve të Teatrit Kombëtar, policët ishin më të shumtë në numër. Përballë nuk kishin as "barbarë" të irrituar dhe të motivuar politikisht dhe as militantë të armatosur me hunj, por djem dhe vajza të rinj që dolën në rrugë me libra në duar në mbrojtje të një godine, që mbartte vlera historike dhe kulturore.

Dhe për më tepër, policët nuk po mbronin një institucion. Përkundrazi, ishin protestuesit që po mbronin institucionin e Teatrit.

Dhe sërish kundër tyre u përdor  e njëjta egërsi. Kushdo që ndoqi protestën e të rinjve pranë godinës së rrënuar të Teatrit Kombëtar, pa disa policë rrugaçë të dalë jashtë kontrollit, të gatshëm të rrihnin dhe të qëllonin këdo nga të rinjtë që nuk po kryenin asnjë veprim të dhunshëm, por kërkonin të protestonin paqësisht.

Kalimi i Vetingut nga Gjovalin Loka, zbuloi shumëçka. Ata policë nuk ishin lëshuar në rrugë të inatosur dhe të dalë nga binarët për shkak se mbronin ligjin. Jo! Ata u lëshuan si qen të tërbuar kundër protestuesve, sepse një ditë shefit të tyre Gjovalin Lokës, mund t'i dilte në dritë dosja e Sigurimit dhe mund ta largonin nga policia.

Ndoshta do të kishte qenë më mirë ashtu. Mund të tërhiqej dhe të vazhdonte i qetë tregtinë e kastravecave të detit, sesa të mbahej peng dhe të lejonte ta keqpërdornin për shkak të ankthit nga një e vërtetë e së shkuarës.©Lapsi.al

 

Të këshilluara

ide

Çfarë e ka shfazuar Edi Ramën

Përtej teorive komplotiste ka një shpjegim të thjeshtë se si ata të rinj që bërtasin rrugëve të Shqipërisë kundër kryeministrit të tyre, u gjendën në të njëjtën anë të barikadës me mediat më të rëndësishme të globit

16:26 Andi Bushati

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

18°c

KËMBIMI EURO

95.24

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI