Ka qenë një deklaratë që nuk lë keqkuptime ajo e Ministrit të Jashtëm grek, Nikos Dendias dhënë në datën 7 Gusht një Skai TV, sipas së cilës Greqia do të fokusohet sërish në arritjen e një marrëveshjeje për kufirin detar, në raport me Shqipërinë, pas dështimit të tentativave që u bënë në 2017/2018.
Por ajo që ka zbuluar kreu i diplomacisë greke është se "problemi" në nisjen bisedimeve e një marrëveshjeje mes Greqisë dhe Shqipërisë për kufirin detar, sipas grekëve, qëndron tek Presidenca shqiptare. Dendias iu referua momentit kur Presidenti i jep autorizim Ministrit të Jashtëm për fillimin e bisedimeve, duke e quajtur këtë një çështje të brendshme të Shqipërisë.
Por megjithëse e quajti një çështje e brendshme gjatë intervistës, Ministri i Jashtëm i Greqisë vazhdoi duke thënë se diplomacia greke do të merret me këtë çështje, duke kujtuar në të njëjtin paragraf integrimin e Shqipërisë në BE.
Pyetja e gazetarit për raportet me Shqipërinë erdhi pasi Dendias kishte folur për arritjen e marrëveshjes për kufijtë detarë me Italinë dhe Egjiptin.
Gazetari: Tani që kemi mbyllur marrëveshjet me Italinë dhe Egjiptin, mos ndoshta është radha e Shqipërisë, në mënyrë që të mbyllim këto marrëveshje?Dendias: Gjërat janë disi më të komplikuara këtu, sepse Shqipëria fillimisht ra dakort, pastaj e çoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Janë disa çështje ligjore të brendshme, çështjet e tyre: Dhënia e autorizimit nga ana e Presidentit për qeverinë, që ai mund të mos jetë i gatshëm ta japë. Por kjo është një çështje që politika e jashtme e Greqisë do të merret. Nuk ka asnjë dyshim për këtë. Shqipëria është një vend mik, një vend me të cilin Greqia do që të ketë marrëdhënie miqësore, për të zgjidhur çdo problem që mund të ketë. Ky është një nga problemet që kemi. Sigurisht që ka edhe çështje të tjera: ajo për mbrojtjen e të drejtave të minoritetit grek, që do të zgjidhet me ecurinë e negociatave të Shqipërisë, sepse kjo është pjesë e "aquis". Këtë nuk po e themi si Greqi. Po e themi si një vend europian, dhe kjo është një këshillë për të gjitha vendet që nisin këtë udhëtim të gjatë për t'iu bashkuar familjes sonë, Bashkimit Europian. Çështja e të drejtave të njeriut është një çështje sovraniteti dhe në këtë sens, Shqipëria duhet ta shohë minoritetin grek si një faktor për zhvillimin e vendit, një urë miqësie mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Dendias foli edhe për pretendimet e opozitës greke, sipas së cilës, objektivi kryesor në marrëveshjen me Shqipërinë është të zgjerohen ujërat territorialë nga 6 në 12 milje.
"Kam gjetur një punë përgatitore në Ministri. Siç kam thënë, unë i kam të gjitha minutat e mbledhjeve të mëparshme. Ju e dini, askush nuk e nis nga zero. Nuk ka partenogjenezë. Shteti është një vazhdimësi. Dhe duhet ta respektosh trashëgiminë që ke pasur" ka thënë Dendias.
Ende nuk ka pasur një reagim në lidhje me deklaratën e Nikos Dendias, si nga Presidenca, ashtu edhe nga Ministria e Jashtme, por një mesazh ka ardhur nga Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë, një organizatë e njohur për marrëdhënien e afërt me presidencën. Reagimi i kësaj organizate merr shkas pikërisht nga deklarata e Ministrit të Jashtëm grek dhe kërkon të dijë nga qeveria shqiptare, nëse ka pasur komunikim të mëtejshëm me Greqinë.
“Të jemi të përgatitur me kohë, me alternativa të përditësuara konkrete dhe bindëse, të bashkërenduara me të gjitha institucionet më të larta dhe instancat e tjera përkatëse.Për këtë qëllim, nevojitet të fillojnë sa më shpejt në formatet e duhura konsultimet, shkëmbimi i ideve dhe mendimeve profesionale mbi alternativat paraprake me grupet e ekspertëve, pa paragjykime partiake, politike apo të tjera, në fushat juridike, ekonomike, ushtarake, teknike, të sigurisë, etj.
Mbi atë bazë, mund të bëhet mbi kritere më objektive përzgjedhja dhe krijimi i një ekipi të ri negociator gjithëpërshirës, kompetent dhe i specializuar për këto çështje”, thuhet mes të tjerave në deklaratën e Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë.
Ekipi i vjetër negociator mori një goditje të fortë pak ditë më parë, kur një prej anëtarëve më të shumëpërfolur dhe të akuzuar si spiun i agjenturave të huaja, Artur Meçollari u shkarkua nga detyra si Zv.Komandanti i Flotës Detare pasi lejoi zhvillimin e një ceremonie martesore në anijen ushtarake. Meçollari ishte një nga anëtarët e ekipit negociator që u përzgjodh dy vite më parë për arritjen e një marëveshjeje me Greqinë, por që nuk ia dolën të arrijnë një pakt të ri.
Negociatat për thuajse dy vite u zhvilluan nën një atmosferë të mungesës së transparëncës, e cila u bë shkak për përplasje të forta politike dhe krijimin e një klime konflikti institucional kryesisht mes Presidencës dhe Ministrisë së Jashtme, të drejtuar atëherë nga Ditmir Bushati.
Një nga momentet e konfliktit ishte edhe dhënia e autorizimit për nisjen e bisedimeve nga ana e Presidentit Meta, që përmendet edhe në intervistën e dhënë nga Nikos Dendias për Skai.
Intervista e datës 7 Gusht e Dendias erdhi pas mbylljes së marrëveshjes së pjesshme detare mes Greqisë dhe Egjiptit. Ky pakt u duartrokit njëzëri nga politika greke dhe u konsiderua një sukses, që pason paktin për kufijtë detarë me Italinë.
Të gjitha këto lëvizje bëhen nën sfondin e marrëdhënieve të acaruara mes Greqisë dhe Turqisë për kufirin në detin Egje, që kulmuan me futjen e anijeve turke në hapësirën detare greke dhe krijimin e një incidentitë rëndë mes dy vendeve. © Lapsi.al